Në Shqipëri, Banka Qëndrore ka ndërhyrë disa herë brenda pak muajve, duke rritur normën bazë të interesit, me qëllim për të ulur inflacionin. Ky është një instrument që po përdoret në mjaft vende nga bankat qëndrore, për të frenuar rritjen e çmimeve shkaktuar nga mungesa e ofertës në tregjet ndërkombëtare, pas agresionit rus në Ukrainë. Por edhe pse pritet të ndikojë në uljen e çmimeve, nga ana tjetër, kjo masë, parashikohet të sjellë rënie ekonomike dhe ulje të konsumit gjatë muajve në vazhdim. Bankat tregëtare që preken të parat, gjithashtu pritet të shtrenjtojnë kreditë, për qytetarët dhe bizneset.
Shqipëria po përballet me një rritje të lartë të çmimeve, që prej fillimit të luftës në Ukrainë në shkurt të këtij viti. Inflacioni arriti në 8.3% në muajin tetor, rreth dy herë më e lartë së në fillim të vitit, dhe më e larta që prej dy dekadash. Pasojat e luftës po dëmtojnë në vijimësi gjithë zinxhirin e furnizimeve në tregjet ndërkombëtare pasi Rusia dhe Ukraina janë vende të rëndësishme në eksportin e gazit dhe drithërave. Kërkesat janë më të larta së ofertat dhe shtrenjtimi i burimeve të energjisë në Eurozonë ka sjellë një inflacion të lartë mbi 10%. Bankat qëndrore në mjaft vende të botës, si dhe ajo qëndrore europiane po rrisin normën bazë të interesit me qëllim për të frenuar rritjen e çmimieve, një politikë që po e ndjek dhe Shqipëria. Banka qëndrore ka ndërhyrë 5 herë që prej muajit maj, duke e çuar normën bazë të interesit nga 0.5-2.75%, që gjithsesi mbetet nën mesataren historike të dy dekadave. Kjo masë synon të sjellë ulje të çmimeve përmes përmes uljes së fuqisë blerëse, pra të kërkesës. Por kjo nga ana tjetër pritet të sjellë një rënie ekonomike në 2.6%, gjatë vitit 2023 nga 3.7 që parashikohet të jetë këtë vit. Sektori i parë që ndjen pasojat e ndryshimeve të politikës monetare është ai bankar, pasi me rritjen e normës bazë të interesit, kreditë shtrenjtohen për qytetarët dhe bizneset.
“ Një klient dikur kur merrte një kredi i kushtontë diku tek 3.8%. Kjo përkthehet në një këst mujor x, le të themi sipas maëdhësisë. Ky 3.8 % ka shkuar 7,74%. Pra kujt po i indeksohet kredia do paguajë 37% më shumë në terma mujor. Është e përllogaritur në mënyrë hipotetike në një kredi prej 10 milion lekë që duhen për të blerë një apartament”- tha për Zërin e Amerikës Blodin Çuçi, ekspert i tregjeve financiare, “Caesar Investment Advisory”.
Drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i bankës Intesa Sanpaolo Albania i tha Zërit të Amerikës, se i konsideron të nevojshme masat e Bankës së Shqipërisë, por shpreson që ato në të ardhmen të frenohen. Rritja normës bazë të interesit, mund të sjellë për bankën më shumë të ardhura për momentin, sipas tij, por në një plan afatgjatë ka efekt negativ, pasi kreditimi bie dhe kreditë e këqija rriten.
“Në rast se rritja e normave të interesit është shumë e lartë kjo mund të sjellë një efekt negativ në ekonomi dhe madje ta reflektojë këtë efekt negativ tek klientët që marrin kredi. Këta të fundit do të ndikohen tek aftësia e tyre ripaguese e vlerës së kredisë. Pra, natyrisht, ne jemi të shqetësuar për situatën. Madje ne po përpiqemi të kuptojmë se cili do të ishte ndikimi i këtyre normave të interesit tek klientët tanë, si dhe të përcaktojmë dhe parandalojmë çdo rrezik të mundshëm nga rritja e kredive me probleme”- tha për Zërin e Amerikës Alessandro D’Oria, Drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i Bankës Intesa Sanpaolo Albania.
Autoritetet e Bankës së Shqipërisë nuk shohin rrezik për bankat tregëtare, pasi sipas tyre, ato janë të mirëkapitalizuara, kanë likuiditet dhe rezistencë të lartë ndaj goditjeve. Por bizneset që kanë ose duan të marrin kredi, sipas ekspertëve, pritet t’i transferojnë kostot më të larta të kredive në produktet që shesin dhe shërbimet që ofrojnë. Ndaj dhe Banka Qëndrore parashikon inflacion në rritje gjatë muajve në vazhdim dhe më pas gjatë vitit të ardhshëm një reduktim të tij. Por rreziku mbetet gjithnjë prezent për ekonominë, kjo dhe në varësi të ecurisë së tregjeve ndërkombëtare, sipas autoriteteve të Bankës së Shqipërisë.
“Dy janë faktorët që do ndikojnë në këtë reduktim, stabilizimi i çmimeve në tregjet e huaja dhe të dhënat e fundit tregojnë që një gjë e tillë ka nisur, si dhe politikat monetare, pra rritja e normës bazë të interesit. Këto do të sjellin një ekuilibër të mirë mes kërkesës dhe ofertës, dhe do të lehtësojë presionet inflacioniste. Aktualisht pasiguria dhe parashikimet shoqërohen me skenar rreziku në kahun lart për inflacionin dhe në kahun rënës për rritjen ekonomike. Kjo veçanërisht, nëse kemi lajme të këqija nga Europa”– tha për Zërin e Amerikës Zv. Drejtorja e departamentit të politikës monetare në Bankën e Shqipërisë
Një prej rreziqeve që bart rritja e normës bazë të interesit lidhet edhe me shtrenjtimin e borxhit publik. Qeveria në vijim do të paguajë më shumë interesa për këtë borxh, i cili gjithsesi vijon të mbetet i lartë.
“Në kuadër të buxhetit të përgjithshëm të shtetit nënkupton rritje e shpenzimeve për diçka që nuk prodhon para. Pra janë shpenzime pasive të qeverisë, ndërkohë që këto para asaj i duhet t’i heqë diku. Dhe nëse nuk do të rrisë taksat, do të rishpërndajë shpenzimet në ekonomi. Kjo do të thotë më pak para në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, etj pra një shtrëngesë e mëtejshme në mirëqenien e përgjithshme”- u shpreh për Zërin e Amerikës Elvin Meka, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, UET.
Qeveria është zotuar ta ulë këtë vit borxhin në rreth 71% të PBB, nga 73 që ishte në vitin 2021. Autoritetet e Bankës së Shqipërisë mendojnë se efektet negative të rritjes së kostove të këtij borxhi, pritet të zbuten nga rritja ekonomike, e cila për vitin e ardhshëm parashikohet e ngadalësuar, por gjithsesi pozitive, rreth 2.%.
“Por në një moment që ekonomia është në rritje dhe në fakt politikat fiskale janë në kahun konsolidues borxhi publik do të ulet”– vijoi Zv. Drejtorja e departamentit të politikës monetare në Bankën e Shqipërisë
Në vlerësimet e FMN në muajin tetor, edhe pse nënvizohet se ekonomia shqiptare ka përballuar goditje të shumta relativisht mirë, sërish autoriteteve u vihen në dukje vështirësitë që sjell borxhi i lartë publik në përballimin e krizës globale të ushqimeve dhe energjisë. Fondi këshillon konsolidim fiskal, mbështetje buxhetore të përkohshme për shtresat në nevojë, shtrëngim të mëtejshëm të politikës monetare, pra rritje të normës bazë të interesit, si dhe rritje të efiçensës dhe besueshmërisë tek financat publike. Dhe në një terren të panjohur si pasojë e luftës në Ukrainë dhe ecurisë e tregjeve globale, sfidat për të patur një ekonomi të qëndrueshme mbeten të mëdha.
Marrë nga VOA