Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan të mërkurën për mandatin e Këshillit Evropian për të negociuar rregulloren për udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës. Në bazë të këtij mandati, presidenca e Këshillit Evropian do të nisë negociatat me Parlamentin Evropian.
Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Jan Lipavsky, tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës.
“Tani besojmë se do të jemi në gjendje të arrijmë shpejt një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta shndërruar këtë premtim në realitet. Liberalizimi i vizave u mundësua nga përqendrimi i Kosovës në forcimin e mbrojtjes së kufijve, menaxhimit të migracionit dhe sigurisë. Ne kemi besim se ky bashkëpunim i mirë do të vazhdojë të zhvillohet edhe në të ardhmen”, tha zoti Lipavsky.
Lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur me hyrjen në fuqi të sistemit evropian të udhëtimit, ETIAS, që pritet të ndodhë më 1 nëntor të vitit 2023 dhe më së voni me 1 janar të vitit 2024. Sistemi ETIAS nënkupton që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian duhet t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.
Vendimi i sotëm u mor dhjetë vjet pasi Komisioni Evropian i dha Kosovës udhërrëfyesin për këtë çështje. Katër vjet më parë Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën ndërsa e përsëriti në tetor të këtij viti.
Pas pajtimit të ambasadorëve vendimi hidhet për votim në komisionin përkatës të Parlamentit Evropian, e pastaj edhe në seancë plenare. Pas kësaj ministrat e vendeve anëtare në Këshillin Evropian duhet ta konfirmojnë vendimin. Me këtë do t’i hapej rrugë hapit të fundit, që është botimi i vendimit në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, me ç’rast caktohet edhe data e hyrjes në fuqi të vendimit.
Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.
Marrë nga VOA