Vdes në moshën 82 vjeçare legjenda braziliane e futbollit Pele
Pele, ylli brazilian i futbollit, fitues i tre Kupave të Botës dhe një nga figurat më të njohura të sportit gjatë shekullit të kaluar, vdiq të enjten në moshën 82 vjeçare.
Ai që njihet si arkitekt i “lojës së bukur” të futbollit, po trajtohej për kancer që nga viti 2021. Muajin e fundit ai u shtrua në spital për shkak të një morie problemesh shëndetësore.
Agjenti i Pelesë, Joe Fraga konfirmoi lajmin për vdekjen e tij.
I njohur gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj në botë të futbollit, për dy dekada Pele magjepsi tifozët. Ai ishte golashënuesi më i suksesshëm me klubin brazilian Santos dhe ekipin kombëtar të Brazilit.
Pele shquhej për lojën e shpejtë të tij duke sjellë revolucion në këtë sport.
Ai e çoi Brazilin në majat e suksesit dhe u bë një ambasador botëror i futbollit, duke e nisur punën nga rrugët e San Paulos, ku në mungesë të një topi të vërtetë, luante me topa lecke.
Në lojtarëve më të mëdhenj të historisë së futbollit, së bashku me Pelenë radhitet futbollisti i ndjerë Diego Maradona, ylli argjentinas Lionel Messi dhe ai portugez Cristiano Ronaldo.
NJË HISTORIK I SHKURTËR I YLLIT BRAZILIAN
Edson Arantes do Nascimento, të cilin më vonë bota do ta njihte me emrin Pele, lindi në qytetin e vogël të Tres Coracoes më 23 tetor 1940.
Ai tërhoqi vëmendjen me talentin e tij që kur ishte 11 vjeç. Një lojtar profesionist vendas e prezantoi atë me skuadrën e të rinjve të klubit Santos. Nuk u desh shumë kohë që ai të bëhej pjesë e ekipit profesionist.
Pele veshi për herë të parë fanelën e klubit brazilian në vitin 1956.
Angazhimi i tij me klubin Santos zgjati mbi tre dekada, para se ai të dilte në pension për herë të parë në vitin 1972.
Gjatë shkëlqimit të tij, klubet e pasura evropiane u përpoqën ta blinin lojtarin, por qeveria braziliane ndërhyri për ta penguar shitjen e tij, duke e shpallur atë një thesar kombëtar.
Lojtari që cilësohej si “mbret” i futbollit u njoh nga bota në moshën 17 vjeçare në Kupën e Botës në vitin 1958 të mbajtur në Suedi, lojtari më i ri ndonjëherë në këtë turne. Ai u largua nga fusha mbi supet e bashkëlojtarëve të tij pasi shëndoi dy gola në fitoren 5-2 të Brazilit në finale kundër vendit që e organizoi kampionatin.
Në total, Pele luajti 114 ndeshje me Brazilin, duke shënuar një rekord prej 95 golash, përfshirë 77 në ndeshje zyrtare.
Me Brazilin ai fitoi Kupën e Botës edhe më 1962 dhe më 1970.
NDIKIMI QË PELE KISHTE NË BOTË
Ndikimi i Peles ishte aq i madh saqë në vitin 1967 fraksionet e një lufte civile në Nigeri u pajtuan për një armëpushim të shkurtër në mënyrë që ai të mund të luante një ndeshje përgatitore atje.
Më 1997 ai mori titullin e kalorësit nga Mretëresha Elizabeta II e Britanisë.
Në vizitën e tij në Uashington, në kuadër të përpjekjeve të tij për ta popullarizuar futbollin edhe në Amerikën e Veriut, Pele u prit nga presidenti amerikan Ronald Reagan.
“Emri im është Ronald Reagan, jam president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, i tha presidenti zotit Pele, “por ju nuk keni nevojë të prezantoheshin sepse të gjithë e dinë se cili jeni”, shtoi ai.
Pele i dha fund karrierës së tij më 1 tetor të vitit 1977.
Pas futbollit jeta e Peles mori drejtime të ndryshme. Ai shërbeu si ministër sporti në Brazil dhe ishte një biznesmen i pasur dhe ambasador i UNESCO-s dhe Kombeve të Bashkuara.
Atij iu dhanë role në filma, telenovela dhe madje Pele kompozoi e regjistroi këngë të muzikës popullore braziliane.
Marrë nga Zëri Amerikës
VOA