Boso ça bën si je, do vi ky i besuari im jepi 130 mijë euro. Ky mesazh i dërguar nga numri i klonuar i një politikani ndaj biznesmenit të ndërtimit në Tiranë ka vënë në lëvizje dhe alarm policinë dhe hetuesit.
WebLajm mëson se ndërtuesi kish nuhatur se gjithçka ishte një kurth por pas denoncimit ka pranuar të bashkëpunojë me policinë e prokurorinë duke dorëzuar paratë që nga ana tjetër i kërkonte “politikani” i rremë preznatuar si Shefi.
Paratë tashmë janë sekuestruar ndërsa dyshohet se 8 biznesmen të rëndësishëm në Tiranë përfshi dhe ata personazhe publike janë vjedhur me anë të kësaj skeme.
Vlera përllogaritet në miliona euro, ndërsa prokuroria e policia ka bërë thirrje se kush është vjedhur nëpërmjet kësaj skeme të bëj denoncim.
Në kuadër të këtij operacioni në pranga kanë rënë katër persona mes tyre Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj, Sherif Kadroviç të tre banues në qytetin e Shkodrës. WebLajm mwson se Kadroviç nga Shkodra ishte me priofesion berber.
Njoftimi Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Signal”.
Operacioni, për goditjen e një grupi që kryente veprimtarinë kriminale të mashtrimit, me qëllim përfitimin.
Vihen në pranga 3 shtetas nga Shkodra, të cilët u kapën në flagrancë në tentativë për të përfituar nëpërmjet mashtrimit, shumën prej 130 000 eurosh.
Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, u gjetën dhe u sekuestruan 12 600 euro të tjera.
Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Signal”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, shtetasit:
-J. P., 40 vjeç, R. P., 31 vjeç dhe Sh. K., 36 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Drejtoria Hetimore kishte siguruar informacione falë inteligjencës informative, se disa shtetas kryenin veprimtarinë kriminale të mashtrimit, në disa biznese të ndryshme. Këta shtetas prezantoheshin si njerëz të rëndësishëm në strukturat e shtetit, për të përfituar shuma të konsiderueshme parash në euro.
Bazuar në këto informacione, Drejtoria Hetimore në Policinë e Shtetit referoi materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila regjistroi procedimin penal për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.
Si rezultat i përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe bazuar në provat e mjaftueshme të siguruara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Signal”, këta shtetas u arrestuan në flagrancë, në tentativë për të përfituar me anë të mashtrimit, në një biznes në Tiranë, shumën prej 130 000 eurosh.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 12 600 euro të tjera, të përfituara nga veprimtaria kriminale e mashtrimit.
Në total, në kuadër të këtij operacioni, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 142 600 euro.
Në lidhje me këtë rast, nga Drejtoria Hetimore në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, për thellimin e hetimeve, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë pronarët e bizneseve që të tregohen vigjilentë ndaj rasteve të tilla të mashtrimit, si dhe të denoncojnë menjëherë pranë strukturave të Policisë së Shtetit, në rast sa janë viktima të kësaj veprimtarie kriminale.