Në vitin 2019, Banka Botërore dhe BERZH kryen një sondazh gjithëpërfshirës për industrinë e rryshfetit në Shqipëri. Rezultatet e vrojtimit e nxorren Shqipërinë si vendin e dytë me normën më të lartë të rryshfeteve në botë, duke e renditur vetëm pas Zambias. Sipas databazës jo publike të studimit, në Shqipëri një biznes paguan mesatarisht 3.1 % të xhiros si rryshfet për zyrtarët e shtetit.
Në vitin 2019, xhiro totale e bizneseve në Shqipëri, sipas Institutit të Statistikave, ishte 17 miliardë euro. Meqënëse 3.1% e kësaj shume është dhënë si rryshfet, rezulton se vetëm në atë vit zyrtarët publikë morën të paktën 520 deri në 530 milionë euro rryshfet nga biznesi.
Sot qeveria eshte në vitin e dhjetë në pushtet. Matematika e pameshirshme thote se 10 vjet here 520 milione euro bejne mbi 5 miliardë euro. Iku 30 per qind e GDP-se se nje viti.
Por rryshfetet janë vetëm njëra nga format, përmes të cilës qeveritarët dhe funksionarët e shtetit përfitojnë para në mënyrë të paligjshme. Një tjetër formë është ajo e përvetësimit direkt të pasurive publike, kryesisht sipërfaqe të mëdha tokash dhe trojesh në zonat bregdetare të vendit.
Së treti, janë përfitimet që vijnë drejtepërdrejë nga fondet buxhetore përmes tenderave që merren nga kompani të zotëruara nga njerëz të afërm apo familjarë të zyrtarëve.
Në fund ekziston dhe korrupsioni i nivelit të lartë përmes ortakërive të fshehta offshore ne projektet e mëdha publike. Shqiptarët nuk e dinë se kush qëndron pas fantazmave të inceneratorëve, kush ishte pas guackës së aeroportit në Hong Kong, apo së fundmi kush qëndron pas rrjetit të kompanive që morën Portin e Durrësit.
Flukeset e parave që gjenerohen nga keto tre format e fundit te hajnise janë shumë të vështira për t’u llogaritur. Por sot ka evidenca të shumta publike se në Shqipëri zyrtarët i kane perdorur te gjitha. Ndaj pyetja që duhet të shtrohet tani nuk është më; a ka Shqipëria një qeveri dhe administratë të korruptuar? Pyetja reale që duhet të shtrohet është: A është Rilindja numerikisht më e madhe se GDP-ja?
Nga Klodian Tomorri