Të arrestuarit, Në kuadër të operacionit policor të koduar “Subjekti” u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Erjon Lika
Edmir Jaçe
Gazmir Ismailaj
Konferenca Policisë
Shefi i Njësisë “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në Drejtorinë Hetimore në Policinë e Shtetit, Kryekomisar Gentian Berberi, konferencë për rastet e mashtrimeve të operatorëve ekonomikë.
Përshëndetje,
Jam sot këtu për t’ju bërë me dije rezultatet e operacionit policor të koduar “Subjekti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të mashtrimit të operatorëve ekonomikë, me qëllim përfitimin e vlerave të konsiderueshme monetare.
Siç jeni në dijeni, në kuadër të operacionit policor të koduar “Signal”, të zhvilluar 4 ditë më parë nga strukturat hetimore qendrore të Policisë së Shtetit, u godit një grup kriminal që ushtronte veprimtarinë kriminale të mashtrimit, dhe u sekuestruan rreth 142 000 euro.
Në këtë kuadër, ka vijuar puna hetimore nga strukturat në qendër dhe në qarqe, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të ngjashme në këtë fushë.
Bazuar në inteligjencën informative, se disa shtetas që vepronin në formën e një grupi kriminal, mashtronin në disa biznese në Kamëz, duke përfituar prej tyre, shuma të konsiderueshme në euro dhe në lekë, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me strukturat hetimore qendrore të Policisë së Shtetit dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, kanë organizuar punën për identifikimin, lokalizimin dhe vënien në pranga të pjesëtarëve të këtij grupi kriminal.
Falë punës hetimore profesionale, të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Subjekti”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, i shtetasve:
-E. L., 41 vjeç, banues në Tiranë, E. J., 32 vjeç dhe G. I., 39 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Të tre këta shtetas, pas informacioneve nga strukturat hetimore, u kapën në flagrancë, në Kamëz, gjatë tentativës për të përfituar përmes mashtrimit, shumën 13 000 euro, nga administratori i një subjekti privat.
Nga tërësia e veprimeve hetimore, ka rezultuar se në datën 7 janar 2023, këta shtetas kishin përfituar, po përmes mashtrimit, edhe shumën 12 000 euro.
Gjatë operacionit policor të koduar “Subjekti”, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 10 100 euro, 50 000 lekë të rinj, 2 automjete të përdorura për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale, fatura transaksionesh, 6 celularë dhe sende të tjera.
Në vijim të veprimeve, për këtë rast, u bë shpallja në kërkim e shtetasve I. K. dhe F. Gj., bashkëpuntorë të 3 shtetasve të arrestuar. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Theksojmë se grupet, për realizimin e qëllimit të tyre, kanë përdorur aplikacione të ndryshme telefonike për të komunikuar me operatorët ekonomikë, duke u kërkuar donacione në emër të përfaqësuesve vendorë, por jo vetëm.
Nisur nga rastet e evidentuara dhe të goditura ditët e fundit, Policia e Shtetit apelon edhe një herë, për të gjithë operatorët ekonomikë në të gjithë vendin, që të tregohen vigjilentë ndaj rasteve të tilla të mashtrimit dhe të denoncojnë menjëherë pranë strukturave të Policisë së Shtetit, në ato vendore dhe qendrore, çdo rast të dyshuar apo në rast se janë viktima të kësaj veprimtarie kriminale.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht dhe ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të parandaluar dhe goditur në kohë, veprimtarinë kriminale në cilëndo fushë që ajo shfaqet.