Kiko ka një letër për Abunë
I dashur Abu,
E di që kemi shumë kohë pa u parë, pa biseduar dhe pa i treguar njëri-tjetrit por siç thonë shqiptarët “rrallë dhe për mall”.
Ky popull ka mjaft shprehje të tilla që të bëjnë përshtypje, ashtu siç ka edhe larmishmëri dukurish të tjera që vetëm këtu i gjen.
Kur erdha fillimisht në Shqipëri, ajo që më bëri përshtypje ishte numri i madh i makinave të tipit mercedez benz, por ama më shumë se benza në rrugë, pashë depozita uji mbi taraca pallatesh, dhe më shumë se depozita pashë antena parabolike, dhe më shumë se parabola këtu ka iPhone dhe më shumë se iPhone ka gjitëologë.
I shtrenjti Abu!
Në këtë fundjavë të zymtë kam vendosur të shkruaj çdo gjë që më vjen në mendje, andaj të lutem mos u mërzit me brengat e mia të hedhura nëpër rreshta.
Shqiptarët janë tolerantë të mëdhenj në fe. I festojnë me hare të madhe të gjitha festat fetare, madje si fetarë të kulluar festojnë edhe festat pagane ku ndajnë në mënyrë të barabartë të gjitha ëmbëlsirat apo pijet. Problemi është se frenat e tolerancës këputen kur vjen puna te politika e cila ka një peshë të llahtarshme. Këtu duhet të bësh kujdes se ke të bësh me një popull që më shumë se pushtuesit, i kanë ngrënë kokat njëri-tjetrit për punë partish.
Nëse në Indi kanë lopën si gjë të shenjtë, në Shqipëri politikanët trajtohen si shenjtorë!
Sa më i korruptuar të jetë aq më i nderuar është, sa më i ditur të jetë aq më i përbuzur mbetet.
Këtu nëse gënjen një personazh televiziv janë gati ta varin në mes të sheshit Skënderbej, por nëse gënjen një politkan thonë se ai është (i) zoti.
Populli në shenje mirënjohje historikisht i ka kënduar dhe i këndon udhëheqësve me eee kur lindin dhe me oii kur vdesin. Prodhimi i këngëve është i mbarë në çdo epokë ku akoma edhe sot kemi prodhime autentike të kultivuara me nostalgji brezash.
Drejtësi në këtë vend ka pasur gjithmonë, edhe para se të fillonin reformën në drejtësi, edhe tani pas implementimit të saj. Është pak e shtrenjtë, por drejtësi ka… Me çekiç, me shpatë, me peshore, si ta preferosh.
Sa i përket rendit duhet të të tregoj se është parajsë. Madje një kohë nuk gjeje në rrugë as një maskara, asnjë hajdut, asnjë vrasës, asnjë mashtrues. I mblodhën të gjithë dhe i futën në Parlament. Për të përfituar nga kontributi i tyre i emëruan te Komisioni i Sigurisë Kombëtare. E di që mbase çuditesh por ata edhe pse nuk i lexojnë ligjet e sigurisë, japin intervista për këtë çështje dhe dhurojnë spektaklin që ky popull ka nevojë.
I dashur Abu!
Këtu gratë e ndërrojnë mbiemrin kur martohen dhe burrat kur futen në politik. Kafeja nuk është vetëm pija e preferuar e shqiptarëve, nuk është vetëm vendi ku dëgjohet muzikë, e shihen lajmet dhe futbolli, por edhe vendi i punës, zyra e ankesave, dhe vendi ku kërkohet dhe jepet drejtësi. Gjysma e shqiptarëve pinë kafe, gjysma tjetër shet kafe. Si rezultat i Luftës në Ukrainë dhe krizës globale janë rritur të gjitha çmimet e artikujve në Shqipëri, me përjashtim të kafesë. Qeveria ka frikë se po të rritet çmimi kafesë do të shpërthejë revolucioni që ka 15 vite që paralajmërohet rregullisht.
E di, shqiptarët janë shumë të dhënë pas punës. Nuk kam ndeshur ende sot e kësaj dite një shqiptar që të mërzitet kur sheh tjetrin që punon.
Figura kryesore me të cilën mburren në botë është bamirësja Nënë Tereza e cila tani është shenjtore. Pyetja-proverb që dëgjon më shpesh nga shqiptarët është: “Pse, Nënë Tereza jam unë?!”
Ndryshe nga popuj të tjerë shqiptarët nuk i besojnë teorive konspirative, por jetojnë me to.
Si ata që kanë bërë prokopi ashtu edhe ata që janë trok, suksesin dhe fajin ja dedikojnë Katovicës!
Vendi është i pasur dhe prodhon pothuaj çdo gjë që nga mineralet, drithërat, agrumet dhe frutat por me shumë njihet si prodhues i veteranëve, heronjve, analistëve, portaleve dhe sidomos programeve politike. Pesë në katër shqiptarë janë anëtarë partish ndërsa ai pa parti është udhëheqësi!
Abu, do doja të të kisha këtu për të folur rreth oxhakut por kaq shumë sa kam për të thënë do duhet të digjnim gjithë xhunglën dhe prapë qyfyret me shqiptarë s’kanë të sosur.
Kaq për sot miku im i largët…
Me dashuri,
Kiko!
Nga Lutfi Dervishi