Kancelari Olaf Scholz njoftoi të mërkurën se qeveria e tij do t’i sigurojë Ukrainës tanke luftarake ‘Leopard 2’ si dhe do të miratojë kërkesat e vendeve të tjera për të bërë të njëjtën gjë. Vendimi erdhi pas disa javësh hezitimi të Berlinit, që u ndesh me një padurim në rritje në mesin e aleatëve të këtij vendi.
Nëpërmjet një deklarate, qeveria gjermane tha se do t’i sigurojë fillimisht Ukrainës nga stoku i saj, një njësi tankesh ‘Leopard 2 A6’, që përbëhet nga 14 automjete. Qëllimi është që Gjermania dhe aleatët e saj t’i ofrojnë Ukrainës gjithsej 88 tanke.
“Ky vendim ndjek linjën tonë të mirënjohur në mbështetje të Ukrainës, duke bërë me të mirën e aftësive tona”, tha zoti Scholz pas një takimi me kabinetin e tij në Berlin.
Gjermania po vepron në koordinim të ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, shtoi ai.
Vendimi i shumëpritur erdhi pasi zyrtarët amerikanë thanë të martën se ishte arritur një marrëveshje paraprake që Shtetet e Bashkuara të dërgonin tanke ‘M1 Abrams’ për të ndihmuar trupat e Ukrainës në zmbrapsjen e forcave ruse, të cilat vazhdojnë të ruajnë pozicionet e tyre në lindje të vendit, ndërsa po shënohet pothuajse një vit nga fillimi i luftës.
Zoti Scholz kishte këmbëngulur që çdo vendim për të pajisur Ukrainën me tanke të fuqishme ‘Leopard 2’ të merrej në bashkëpunim me aleatët e Gjermanisë, kryesisht Shtetet e Bashkuara. Duke e detyruar Uashingtonin të përdorë disa nga tanket e veta, Berlini shpreson të ndajë rrezikun e çdo reagimi nga Rusia.
Ekkehard Brose, kreu i Akademisë Federale Ushtarake Gjermane për Çështje të Sigurisë, tha se ky pozicion i Shteteve të Bashkuara ishte vendimtar, për të shmangur që Evropa të përballet e vetme me Rusinë, një vend që disponon armë bërthamore.
Por ai vuri në dukje gjithashtu rëndësinë historike të këtij vendimi.
“Tanket e prodhimit gjerman do të përballen edhe një herë me tanket ruse në Ukrainë”, tha ai, duke shtuar se ky nuk ishte “një mendim i lehtë” për Gjermaninë, e cila e merr seriozisht përgjegjësinë e saj për tmerret e Luftës së Dytë Botërore.
“Megjithatë ky ishte vendimi i duhur“, tha zoti Brose, duke argumentuar se u takonte vendeve perëndimore demokratike të ndihmonin Ukrainën për të ndalur fushatën ushtarake të Rusisë.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius paralajmëroi se do të duheshin rreth tre muaj që tanket e para të dërgoheshin në Ukrainë. Ai i cilësoi tanket ‘Leopard 2’ si “tanket më të mirë të betejës në botë”. Qeveria gjermane tha se planifikonte të fillonte me shpejtësi stërvitjen e ushtarëve ukrainas në Gjermani. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i cilësoi synimet gjermane dhe të SHBA-ve me vendimin për tanket, si një “një plan katastrofik”. “Jam i bindur se shumë specialistë e kuptojnë absurditetin e këtij vendimi”, u tha zoti Peskov gazetarëve të mërkurën.
“Gjëja kryesore është se ky është një mbivlerësim i potencialit që do t’i shtonte furnizimi me tanke, forcave të armatosura të Ukrainës. Është një tjetër gabim, një gabim mjaft i madh”, tha zyrtari i Kremlinit.
Anëtarët e qeverisë së koalicionit tre-partiak të zotit Scholz e mirëpritën lajmin përpara njoftimit zyrtar. Dy parti më të vogla opozitare, e kritikuan vendimin.
Alternativa e Ekstremit të Djathtë për Gjermaninë e quajti vendimin “të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm”.
Partia e Majtë, e cila gjithashtu ka lidhje historike me Moskën, paralajmëroi për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit. Sondazhet e fundit të opinionit publik treguan një ndarje mes votuesve gjermanë mbi këtë çështje.
Trysnia ndaj zoti Scholz u rrit këtë javë pasi Polonia i kërkoi zyrtarisht Gjermanisë miratimin për të dërguar disa nga tanket e veta ‘Leopard’ në Ukrainë. Polonia ka qenë ndër vendet udhëheqëse që u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë për të dërguar tanke gjermane në Ukrainë.
VOA