Për shkak të detyrës, referuar një lajmi të publikuar mesditën e kësaj të mërkure në Report Tv dhe Shqiptarja.com mbi një vendim gjykate, gazetari Elvis Hila është dhunuar nga 2 persona, tashmë të identifikuar dhe të shpallur në kërkim nga policia. Autorët, Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri nuk kanë kursyer as bashkëshorten e tij, Benereta Hila, e cila ishte në makinë së bashku me gazetarin në momentin kur ndodhi ngjarja.
Gazetari ka marrë fraktura në trup, për shkak të dhunës dhe është nisur drejt spitalit së bashku me gruan, ku kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor. Pas kësaj, kanë bërë kallëzimin në polici.
“Jam me vendbanim në adresën e lartë përmendur, dhe punoj si gazetar i Report TV dhe Shqiptarja.com prej 10 vitesh. Sot me datë 25.01.2023 kam publikuar një lajm në portalin Shqiptarja.com dhe televizionin Report Tv ku unë punoj, në këtë lajm bëhet fjale për vendimin që është dhënë me datë 24.01.2023 nga Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë në lidhje me dënimin e shtetasit Fran Ameri për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”. Pasi lajmi është publikuar në mediat ku unë punoj rreth orës 14:47 të ditës së sotme më ka telefonuar nga numri i telefonit “+355693076906 djali i tij duke më share, ofenduar dhe kërcënuar në lidhje me publikimin e bërë. Rreth orës 16:42 isha me bashkëshorten time dhe jam telefonuar nga një tjetër shtetas me numrin “+355693638336” i prezantuar si shtetasi Paulin Pergjini dhe me kërkoi që të takoheshim përballë Bar Firence në afërsi të rrugës së spitalit. Kur jam afruar aty e kam telefonuar numrin në fjalë dhe ka dalë nga një automjet tip Golf 6 i cili ishte i parkuar në anë të rrugës. Nga kjo makinë ka dale edhe shtetasi Indrit Ameri.
Më thanë që të parkoja makinën dhe të dilja nga makina. Unë e parkova në anën e rrugës së vjetër të spitalit dhe aty me janë afruar personat në fjalë të cilët unë i identifikova si Paulin Përgjini dhe personi tjetër me Indrit Ameri dhe filluan të më kërkonin llogari dhe të më kërcënonin në lidhje me lajmin e publikuar. Pasi unë nuk pranova të zbrisja nga makina tentuan të më hapnin derën e makinës dhe në këtë moment ka zbritur bashkëshortja ime shtetasja Benereta Hila që t’u thoshte që të largoheshin. Pasi bashkëshortja ime tentoi t’i largonte nga dera e makinës dhe po mundohej të telefononte policinë shtetasi me Indrit Ameri i ka rënë me dorë telefonit dhe pasi ajo është ulur për të marrë telefonin ky shtetas e ka goditur me grusht në pjesën e pasme të qafës. Dhe më pas kanë ardhur në drejtimin tim dhe ka tentuar të më nxjerrë me forcë nga makina. Pasi nuk arritën të më nxirrnin nga makina shtetasit Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri më kanë goditur me shkelma dhe grushte. Bashkëshortja ime ka hypur në makine dhe jemi larguar drejt spitalit ku dhe morëm mjekimet e duhura. Proces verbalin e kallëzimit pasi e lexoj dhe konfirmoj se thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e kuptoj çfarë kam thënë, e firmos pa asnjë vërejtje”, ka dëshmuar në polici, gazetari.
Cili ishte lajmi për të cilin u dhunua gazetari Elvis Hila?
Gazetari i Report Tv Elvis Hila është dhunuar për shkak të detyrës dhe gjithçka lidhet me një lajm që ai ka publikuar ditën e sotme për Fran Amerin. Ky i fundit u dënua me një vit burg pasi kishte prodhuar një vendim gjyqësor të falsifikuar. Ameri u gjet fajtor për veprën penale “Falsikim Dokumentesh”.
Reagimi Presidentit Bajram Begaj
Dënoj me forcë dhunimin e gazetarit të Report TV në Lezhë, Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij. Tek sa i uroj një shërim të shpejtë zotit Hila dhe bashkëshortes, inkurajoj institucionet shtetërore përgjegjëse të hetojnë dhe zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje. Cënimi i fjalës së lirë, presioni dhe mbi të gjitha dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme në një shtet demokratik!
Reagimi kryebashkiakut të Lezhës Pjerin Ndreu
Dhuna ndaj gazetarit lezhjan Elvis Hila eshte akt kriminal i denueshem ligjerisht, por dhe publikisht!
Shpreh keqardhje dhe indinjaten time per nje veper te tille te shemtuar qe cenon rende ligjin, fjalen e lire, por edhe standartet e komunitetit lezhjane!
Kerkoj qe policia sa me pare te gjeje autoret dhe drejtesia tu jape denimin e merituar autoreve te ngjarjes!
Reagimi kryetares së kuvendit Lindita Nikolla
Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, dënon sulmin ndaj gazetarit Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij
Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, ka reaguar e dënuar sulmin ndaj gazetarit Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij.
“Sulmi ndaj gazetarit të Report TV në Lezhë, Elvis Hila, dhe bashkëshortes së tij është një dhunë e dyfishtë: goditje ndaj lirisë së medias dhe njëkohësisht ndaj një gruaje. Dhuna ndaj medias është dhunë ndaj të gjithëve. Media e lirë është një shtyllë e shoqërisë së lirë, një nxitëse e demokracisë, e konsolidimit dhe kontrollit të institucioneve, e edukimit të vlerave demokratike. Inkurajoj agjensitë ligjzbatuese të zbardhin sa më shpejt, me përgjegjësi, profesionalizëm e transparencë këtë veprim të dënueshëm.”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
Reagimi deputetes së PD, Ina Zhupa
Akt shumë i rëndë i goditjes së gazetarit të Report Tv Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij.
Si anëtare e komisionit të medias dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt, që vjen për shkak të profesionit të gazetarit. I uroj shërim të shpejtë gazetarit Hila dhe bashkëshortes së tij.
Bëj thirrje policisë së shtetit të veproj me shpejtësi për kapjen e autorëve.
Është rasti që të na bëj më të ndërgjegjshëm si ligjvënës për të ashpërsuar masat ligjore për ata që guxojnë dhe prekin gazetarët. Duhet të kenë rrethana rënduese për shkak se gazetarët janë misionar të interesit publik dhe nuk kanë asnjë mjet për t’u mbrojtur nga sulmet për shkak të profesionit.