Studime nga Bari, Tiranë e juriste në Kosovë, Maqedoninën e Veriut e FMN.
Tre gjyqtare janë në garë mes tyre për të drejtuar gjykatën kushtetuese e cila tashmë është e kompletuar me nëntë anëtar. WebLajm sjell një profil me tre CV e gjyqtareve të cilat më 15 shkurt do të prezantojnë platformat e tyre për të bindur 6 kolegët ti votojnë.
Lindur më 12.03.1976 në Vlorë. Diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit, Itali. Në vitin 2012 ka marrë gradën shkencore “Doktore e shkencave juridike” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit. Në vitet 2000-2008 ka ushtruar profesionin e asistent avokatit dhe me pas të avokatit pranë firmave ligjore në Bari. Gjatë periudhës 2009-2011 ka punuar si juriste pranë Drejtorisë së Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese. Në vitet 2011-2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Prej vitit 2007 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Publike në disa universitete, si dhe ka qenë eksperte në disa projekte pranë Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, në procesin e përafrimit të legjislacionit etj. Ka qenë autore e disa artikujve shkencorë në fushën e së drejtës kushtetuese. Në vitin 2019 është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës si pedagoge në dispozicion për vitin e parë të Programit të Formimit Fillestar. Gjatë vitit 2020 ka ushtruar funksionin e anëtares së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Lindur më 13.04.1966 në qytetin e Beratit. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1988. Gjatë viteve 1988 – 1997 ka qenë pedagoge e brendshme në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës për lëndën “E Drejta e Detyrimeve dhe Kontratave”.Në vitin 1993 ka marrë Gradën Shkencore “Kandidat i Shkencave në Drejtësi”. Në vitin 1994 ka marrë Gradën Shkencore “Doktor në Drejtësi” dhe, më pas në vitin 1999 ka fituar Titullin Shkencor “Profesor i Asociuar” dhe në vitin 2009 Titullin Shkencor “Profesor”. Është specializuar nën Programin Fullbright (1993, Virginia School of Law, SHBA) dhe Programin TEMPUS (1993 – 1994, Fakulteti i Drejtësisë, Trento, Itali) etj.Në periudhën nga viti 1997 deri në vitin 2022 ka qenë pedagoge e brendshme në Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë. Në vitet 2009-2013 ka ushtruar detyrën si Drejtore e Shkollës së Magjistraturës. Ka ushtruar detyrën si përgjegjëse e Trajnimit Fillestar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shkollën e Magjistraturës deri në vitin 2022. Ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës për një periudhë gati 20 vjeçare.Ka qenë dhe është pedagoge e jashtme në fakultete në ndryshme të drejtësisë në Shqipëri, si dhe udhëheqëse shkencore në programe dhe shkolla doktorale në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Gjithashtu. Në periudhën 2014-2020 ka qenë pedagoge e jashtme në Shkollën Kombëtare të Avokatisë.Gjatë viteve 1999-2022 ka qënë e angazhuar në programe kombëtare dhe ndërkombëtare të organizatave të Kombeve të Bashkuara (UN) të tilla si: PNUD, UNICEF, ILO, IFC, WIPO, Banka Botërore, si dhe të USAID-it, OSBE-së, Këshillit të Europës, etj. Eshtë aktivizuar si eksperte e pavarur që ka asistuar në Gjykatën e Arbitrazhit të Dhomës së Londrës, Zyrihut, Parisit, Vienës, etj për çështje që lidhen me zbatimin e kontratave në fushën tregtare.Në vitin 2021-2022 ka qenë anëtare e Bordit Disiplinor të Noterisë (quasi gjykatë) pranë DHKN, si përfaqësuese e Shkollës së Magjistraturës.Gjithashtu, është autore dhe bashkëautore në 37 tekste universitare, monografi, komentarë, dhe mjaft artikujsh shkencor dhe publikime të natyrës juridike.Në muajin dhjetor të vitit 2022 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Lindur më 12 janar 1976 në Tiranë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitin 1998. Në periudhën 2007-2008 ka kryer masterin shkencor për “Titujt dhe rregullimet financiare”, në Universitetin e Georgetown në SHBA, në kuadër të programit Fullbright. Rrugëtimin profesional e ka nisur si juriste dhe aktiviste për të drejat e njeriut, duke u angazhuar në vitet 1999- 2001, në Qendrën “Paqe nëpërmjet Drejtësisë”, projekti për krimet e luftës në Kosovë. Më pas, është angazhuar si avokate në Qendrën e Praktikave dhe Shërbimeve Ligjore të Integruara (QSHPLI), në projektet e ndihmës ligjore falas, si: Klinika Ligjore për të Miturit, Zyra e Avokatit të Qytetit pranë Bashkisë Tiranë, Klinka Ligjore për Refugjatët. Nga viti 2008, krahas angazhimit në shoqërinë civile si avokate dhe eksperte e të drejtave të njeriut, ka punuar si avokate në zyrën e avokatisë “Delegibus Consulting” sh.p.k. dhe nga viti 2018 ka ushtruar profesionin e avokatit edhe në shtetin e Massachusetts, SHBA, në zyrën ligjore “Ligris and Associates dhe Zaçaj Law”. Gjithashtu, në periudhen 2009-2013, zonja Zaçaj është angazhuar si lektore në Shkollën e Magjistraturës në trajnimin fillestar, në të drejtën familjare dhe në trajnimin vazhdues në fushën e së drejtës familjare dhe të të drejtave të fëmijëve, si dhe lektore e së drejtës bankare dhe financiare në disa universitete private në Shqipëri, në periudhën 2009-2014. Zonja Zaçaj është angazhuar dhe ka kontribuar si eksperte ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare në një sërë iniciativash të UNICEF-it në Shqipëri, UNICEF-it në Kosovë, UNICEF-it në Gjeorgji, Këshillit të Evropës, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombetar etj. Ajo është autore dhe bashkëautore e rreth 30 studimeve dhe botimeve në fushën e të drejtave të njeriut, të të drejtave të fëmijëve, të së drejtës familjare, të së drejtës bankare dhe të titujve. Ajo është bashkëautore e Kodit të Familjes, ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri, paketës ligjore për trajtimin penitenciar të të miturve në Kosovë.
Në muajin janar të vitit 2023 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuesja u drejtua për disa vite nga ish gjyqtarja Vitore Tusha e cila për më shumë se 1 vit mbeti vetëm një gjyqtare pasi kolegët e saj u dorëhoqën dhe shkarkuan nga vettingu. Me zgjedhjen e zëvëndësueses Tusha u largua dhe gara për postin e saj është hapur.