Në një takim elektoral si drejtues qarku në Lezhë, ministri Ulsi Manja ka prezantuar kandidatin e mazhorancës për lokalet e 14 majit 2023. Ai është kryebashkiaku aktual Pjerin Ndreu i cili kërkon një mandat të dytë.
“Lezha e 2 marsit 1444 është simboli i bashkimit dhe çdo qytetar që është bërë pjesë e kësaj zone fisnike për t’i dhënë më tepër asaj, është mirëpritur ndër dekada. Kundërshtari politik është i lirë të përdorë të gjithë arsenalin në fushatë, por jo të fyejë ndjenjat qytetare dhe të përhapë frymë përçarëse me karakter krahinor. Kjo, sepse përveçse është një retorikë e turpshme, është po aq edhe primitive.
Lezha e At Gjergj Fishtës i është përgjigjur njëherë e mirë kësaj mendësie kur në qindra vargje u është kënduar shqiptarëve që kanë dhënë për mbarë vendin, nga Oso Kuka tek Abdyl Frashëri. Pa dallim krahine.
Në nderin e çdo qytetari pa dallim bindjesh politike është mbështetja për Pjerinin edhe për një mandat tjetër në krye të Bashkisë Lezhë. Pjerini na e ka zbardhur faqen me punët e mira për komunitetin ndaj edhe do të marrë besimin e zgjedhësve edhe për 4 vite të tjera”-shkruan Manja në FB.