Kontrollet në pikat kufitare kane zbuluar para cash dhe drogë.
Departamenti i Policisë Kufitare / Intensifikohen kontrollet në hyrje/dalje, me shërbime të shtuara dhe pajisje bashkëkohore, për të garantuar qarkullimin e ligjshëm dhe të sigurtë të shtetasve dhe mallrave.
Në pranga 2 shtetas, në hetim 3 të tjerë, për paligjshmëri të ndryshme në kufi.
✅Në PKK Morinë dhe në Rinas u sekuestruan mbi 30 000 euro dhe u iniciuan hetimet për 2 shtetas që i fshehën paratë në çantat e tyre, me qëllim mosdeklarimin.
✅Në portin e Durrësit, u godit një rast i pajisjes së një shtetasi me pasaportë false, për të kaluar kufirin, në mënyrë të kundërligjshme. Të dy shtetasit kosovarë të përfshirë në këtë rast, u vunë në pranga.
✅Në PKK Kakavije u godit një rast i tentativës për të dalë nga vendi ynë, me një sasi lënde narkotike kanabis, në automjet. Drejtuesi i këtij automjeti, u procedua penalisht.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në të gjitha pkk-të e vendit, bazuar në analizat e riskut, kanë intensifikuar kontrollet me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare. Si rezultat, u goditën 5 raste të këtyre paligjshmërive në fusha të ndryshme.
-Në PKK Morinë dhe në Rinas, në hyrje të RSh-së, u kaluan në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, përkatësisht, automjeti me drejtues shtetasin T. S. dhe shtetasin D. V. Në çantën e shtetasit T. S., u gjetën dhe u sekuestruan 19 600 euro, ndërsa në çantën e dorës të shtetasit D. V., u gjetën dhe u sekuestruan 11 250 euro, shuma këto të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Në përfundim të veprimeve procedurale, u iniciua procedimi në gjendje të lirë për shtetasin çek T. S., 55 vjeç dhe për shtetasin D. V., 34 vjeç, banues në Tiranë.
-Në Port Durrës, u vunë në pranga shtetasit N. H., 54 vjeç dhe G. Q., 30 vjeç, të dy banues në Kosovë, pasi shtetasi G. Q. tentoi të kalonte kufirin, në kundërshtim me ligjin, duke përdorur pasaportën false me të cilën e kishte pajisur 54-vjeçari.
-Në PKK Kakavije, në dalje të RSh-së, u kalua për kontroll të imtësishëm, në vijën e dytë, automjeti me drejtues shtetasin G. L., në të cilin, si rezultat i kontrollit, u gjet dhe u sekuekstrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis. Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. L., 28 vjeç, rezident në Greqi.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.