Në dy operacione mes Tiranës-Kavajës dhe Elbasanit policia ka arrestuar persona të përfshirë në kultivim e trafik droge, armbajtie dhe vjedhje banesash.
Konferenca Policisë Tiranë
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj, deklaratë për shtyp për finalizimin e 2 operacioneve nga strukturat e DVP Tiranë.
Jam sërish këtu me ju, për të bërë prezente rezultatet e 2 operacioneve të zhvilluara 12 orët e fundit, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje dhe të vjedhjes të pronës. Gjatë këtyre 2 operacioneve u evidentua një vilë e përshtatur për kultivim kanabisi, u sekuestrua një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit cannabis sativa me vlerë rreth 100 000 euro, u sekuestruan 3 armë zjarri, municion luftarak, 1 granatë, si dhe u bë i mundur zbulimi dhe dokumentimi i 24 vjedhjeve në banesa, të ndodhura në rrethin e Kavajës, më konkretisht;
Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, pas një hetimi me metoda speciale, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “SHTËPIA JESHILE”. Për finalizimin e këtij operacioni, strukturat e Policisë kanë përdorur edhe një mjet inteligjent dron.
Gjatë operacionit u godit një grup kriminal që ushtronte veprimtarinë në fushën e kultivimit të kanabisit, me anë të llambave, dhe të tregtimit të tij, në qytetin e Tiranës.
Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, bazuar dhe në inteligjencën informative se një grup kriminal shpërndante me shumicë, lëndë narkotike të llojit kanabis, referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila regjistroi procedimin penal.
Si rezultat i hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur identifikimi i këtyre shtetasve dhe lokalizimi i ambienteve që ishin përgatitur për të kultivuar bimë narkotike të llojit kanabis.
Bazuar në këto prova u organizua dhe finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Shtëpia jeshile”, në kuadër të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
- E. P. alias E. B., 29 vjeç, banues në Tiranë;
- A. M., 44 vjeç, banues ne fshatin Mallkuç, Fushë-Krujë;
- G. M., 26 vjeç, banues në fshatin Mallkuç, Fushë-Krujë.
- Në kuadër të operacionit policor të koduar “Shtëpia jeshile” u arrestuan Ervin Prifti alias Ervin Beti alias Ervin Preni, Artan Muça, dhe Gentian Muça
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A. M., në Mallkuç, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 61 kilogramë lëndë narkotike kanabis, e paketuar gati për shitje, me vlerë rreth 100 000 euro.
Gjithashtu, nga kontrolli u gjetën dhe u sekuestruan pajisje të ndryshme që shërbejnë për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura, si: llamba, aspiratorë, ventilatorë, filtra ajrimi etj, një shotgun, municion luftarak, shuma parash, 2 automjete dhe 3 aparate celulare.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 3 të arrestuarit, pasi kultivonin kanabis në banesën e shtetasit A. M., e paketonin dhe më pas e shisnin atë.
Ky operacion është bërë i mundur falë dhe bashkëpunimit me DVP Durrës.
–
Gjatë operacionit të dytë të koduar “TRINOMI”, të zhvilluar nga ana e strukturave të Komisariatit të Policisë Kavajë, pas një hetimi disamujor, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i 24 vjedhjeve në banesa, të ndodhura në rrethin e Kavajës, gjatë vitit 2022 dhe 2 muajve të parë të vitit 2023.
Gjatë këtij operacioni u vunë në pranga 3 shtetas, 2 prej tyre të dënuar më parë për vjedhje, si dhe u sekuestruan sendet e vjedhura. Po gjatë këtij operacioni, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u sekuestruan 2 armë zjarri dhe municion luftarak.
Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit:
- E. T., 21 vjeç dhe E. Q., 28 vjeç, të dy të dënuar më parë për vjedhje, dhe E. M., 32 vjeç, të tre banues në Durrës.
- Në kuadër të operacionit policor të koduar “Trinomi” u arrestuan Eraldo Troshku, Ervis Qoli, Enea Meta
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nga muaji qeshor i vitit 2022 deri në muajin shkurt të vitit 2023, kanë kryer vjedhje në banesa të ndryshme, në rrethin e Kavajës, kryesisht në banesat e emigrantëve.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të 24 rasteve të vjedhjeve në banesa, ku kanë marrë sende me vlerë, orendi, vegla pune dhe pajisje të tjera elektroshtëpiake.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasit E. T. dhe E. Q. bashkëpunonin me shtetasin E. M., për të realizuar vjedhjet dhe për të nxjerrë përftitime prej tyre.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në këtë kuadër fton qytetarët, për vijimin e bashkëpunimit.