Lefter Alla kryebashkiaku socialist i zgjedhur më 30 qershor 2019 nuk mundi dot ta përfundojë mandatin e tij në zyrën e qytetarit të parë të Bulqizës.
FactCheck zbardh për herë të parë vendimin e gjykatës dhe provat e SPAK që e çuan atë në pranga.
Një postim në rrjetin social Facebook rezulton fakti i parë i marrë nga SPAK ku kryebashkiaku Alla ka pasqyruar të dhëna e si një punonjës i kompanisë “2AFALBANIA GROPUP” kryen punime edhe pse nuk kishte një kontratë”.
Ky postim sipas vendimit të siguruar nga FactCheck daton më 11 qershor 2021, kur ende SPAK s’kishte trokitur në zyrat e Bashkisë Bulqizë por kishte nisur të hetonte mbi këtë fakt pas denoncimeve të njësisë E në drejtorinë e Policisë së Shtetit e cila ka nisur procedim pas informacioneve marrë nga media.
Një tjetër fakt që ka bindur hetuesit se në këtë tender dhe raport me firmën ka diçka përtej ligjores janë edhe udhëtimet jashtë vendit të vetë kryebashkiakut Alla.
Ai rezulton se më 16 Prill 2021 ka dalë nga Shqipëria me automjetin me targë AA 009 XH automjet që rezulton në pronësi të shoqërisë 2AF Albania Group”.
Më 9 mars 2020 z.Alla ka edhe një tjetër udhëtim jashtë vendit këtë herë me mjetin me targa AA 494 ZF i cili është në pronësi të së njëjtës kompani dhe në bord ka qenë edhe administratori i saj Aqif Konesha po ashtu i arrestuar në kuadër të këtij procedimi penal.
Ky tender prej afro 3 milion euro i Bashkisë Bulqizë është pezulluar vetëm fiktivisht thotë SPAK në hetimin e tij pasi nuk është raportuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik edhe pse herë të tjera kjo bashki i ka raportuar pezullimit, si në rastrin e tenderit për strehimin social.
Një tjetër shkelje e gjetur nga SPAK është edhe një mashtrim që shtetasit Ana Nishku, Lefer Alla dhe Rasim Daci të kenë qenë në qytetin e Bulqizës më 11 shkurt 2022. Kjo sqaron SPAK verifikohet me qelizat telefonike të telefonave të tyre që dalin në qytet të ndryshme dhe ndërkohë ata kanë një dokument sikur e kanë firmosur në Bulqizë të tre në të njëjtën ditë e orë, pra procesverbalin e rifillimit të punimeve.
Rasim Daci dhe Ana Nishku kur janë pyetur nga SPAK kanë thënë se këtë procesverbal ata e kanë firmosur të tre bashkë me z.Alla, por hetimi ka zbuluar se kjo është e pavërtetë dhe ka prodhuar për pasojë veprën penale të falsifikimit.
Të tjera prova të siguruara nga FactCheck tregojnë se SPAK në Bashkinë e Bulqizës ka në hetim edhe ndërtimin e qendrave shëndetësore.
Është pikërisht rikonstruksioni i qendrës shëndetësore në fshatin Gjoricë një tjetër hetim që pritet të shtojë numrin e të arrestuarve nga SPAK.