Veliaj nga Njësia 2: “Sot ‘të tretat e Stadiumit’, nuk po mbaron zia në PD, asnjë tubim në Tiranë prej 3 ditësh”
Nga Njësia 2, kandidati i PS për Tiranën, Erion Veliaj ka ironizuar koalicionin e çiftit Berisha-Meta, të cilët nuk kanë bërë asnjë aktivitet në Tiranë që pas hapjes së fushatës në stadiumin “Arena Kombëtare” para 3 ditësh. Veliaj tha se me sa duket, ata janë duke lëpirë plagët nga fakti se e lanë Sali Berishën vetëm në stadium.
“E keni vënë re, nuk kanë bërë asgjë në tre ditët e fundit? Që kur iu dështoi stadiumi, nuk kanë dalë nga shtëpia. Duhet me i parë në sy dhe me u thënë dilni bëni ndonjë aktivitet se edhe 20 ditë fushatë kanë mbetur. Një ditë është 5% e fushatës, kurse ata kanë tre ditë pa dalë, ikur 15% e fushatës. Janë duke lëpirë plagët që lanë Saliun tek pullë aty. Dilni se na duhet të kemi debate, dilni se na duhet të takohemi me njerëzit dhe të ndajmë ndonjë ide. Por, përtej humorit, i mirëkuptoj në fakt, asnjë nga ne nuk do dilte nga shtëpia nëse do e kishim lënë udhëheqësin tek pullë vetëm në mes të stadiumit”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Veliaj shtoi se kush bën 100 punë, mund të bëjë edhe më shumë, duke ftuar të gjithë qytetarët që të besojnë tek ata që punojnë dhe jo te ata që gënjejnë. “Kush i bën 40 shkolla, i bën edhe 42 shkolla të tjera. Unë jam shumë i ndërgjegjshëm që me gjithë vështirësitë që kishim me pandeminë, me tërmetin, me këto çmime të mallkuara, ne bëmë shumë punë, por ndoshta jo të gjitha. Por, dua ta mbyll bilancin e punëve të bëra me stadiumin. Deri dje, për ata [opozitën] stadiumi ishte arena e korrupsionit, arena e mashtrimit, arena e betonit, arena e kullave, arena e “Rilindjes”. Por, krejt papritur, këtë fundjavë u bë “Arena e demokracisë dhe e lirisë”. Ti mund të shash sa të duash, por punën e qeverisë së Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste nuk e mohon dot. Se vjen momenti ku do shkosh, e do ta bekosh, e do ta vlerësosh, e do bësh selfie, e do futesh me autobus, e do parkosh makinat mbi sheshin “Italia” dhe demokratët e shkretë erdhën për të parë stadiumin, se nuk iu lejohej, se ngaqë ishte stadiumi një zonë e ndaluar, të shkretët erdhën për të parë stadiumin. Sa panë stadiumin, ikën, edhe ngeli Saliu me karriget bosh”, tha Veliaj.
Mandej, ai vijoi se “Po mbolle sherr, po mbolle përçarje, do e mbyllësh jetën tek pullë, me një fushë që e kanë bërë kundërshtarët e tu dhe është sot arena më e bukur në Ballkan. Po mbolle pemë, po mbolle mirëkuptim, po mbolle bashkëpunim, dashuri, do korrësh vetëm fitore. Kjo është arsyeja përse Partia Socialiste, ka fituar 8 nga 9 zgjedhjet e fundit. Kjo e bën diferencën.”
Kandidati i PS për Tiranën tha se shpenzimet e Berishës dhe Metës në hapjen e fushatës ishin marramendëse, sidomos për një parti që është pa vulë, pa logo dhe pa emër. “Nga vijnë këto para? Nga vijnë këto financa? Kur shikon si rusët çdo muaj ndajnë një divident special për Monikën dhe Ilirin, ti e kupton fare mirë. Ata hanë bukën e Amerikës, dhe bëjnë duvanë e rusëve; si thoshin gjyshet tona, ‘hanë bukën e Perëndimit dhe bëjnë duvanë e sovjetikut’. Janë nga ata që këtej shqetësohen për integrimin e Shqipërisë, por ama nuk kanë refuzuar asnjë dërgesë bankare të rusëve. Ne mbrapa tek rusët dhe sovjektikët nuk kthehemi kurrë, ne do shkojmë përpara me Europën dhe Amerikën”, u shpreh Veliaj.