Një borxh i pakthyer në zonën e Kombinatit në Tiranë ka përfunduar në pegmarrje dhe kërcënim për jetën ndaj borxhliut.
Policia ka identifikuar si autor Alban dhe Fatmir Bejon ndërsa ata kanë marrë peng shtetasin Gjergj Fela.
35 vjeçari Alban Bejo tashmë është arrestuar ndërsa 28 vjeçari Fatmir Bejo është shpallur në kërkim nga policia e komisariatit numër 6 në Kombinat.
Njoftimi Policisë
I hoqën lirinë një shtetasi, e kanosën dhe e dhunuan atë, për t’u dhënë një shumë parash, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, vihet në pranga 35-vjeçari dhe shpallet në kërkim vëllai i tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas njoftimit se një shtetas ishte marrë me forcë nga 2 shtetas të tjerë, nga vendparkimi i një lokali në Kombinat, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe profesional të shërbimeve të Policisë, u identifikuan 2 autorët e dyshuar, u kap dhe u vu në pranga njëri prej tyre, shtetasi A. B., 35 vjeç, si dhe u shpall në kërkim bashkautori i dyshuar, vëllai i 35-vjeçarit, shtetasi F. B., 28 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mbrëmjen e djeshme, kanë marrë me forcë, me automjet, nga vendparkimi i një lokali, shtetasin Gj. F., 47 vjeç, e kanë kanosur dhe e kanë dhunuar atë, me pretendimin se 47-vjeçari u kishte borxh një shumë parash.
Vijon puna për kapjen e shtetasit F. B.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.