Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi sot se transporti publik falas nuk funksionon në asnjë vend. Në një intervistë në RTSH ai ironizoi premtimin e kandidatit të Berishës për kryeqytetin duke theksuar se ky premtim duhet të implementohet fillimisht në Bashkinë e Shkodrës.
Veliaj tha se Tirana ka sot biletën më të lirë se kudo dhe shërbimi është shumë më i mirë, pasi shtimi i numrit të autobusëve ka shmangur edhe dyndjen e pasagjerëve.
“Pyetja është pse nuk e bëjnë në Shkodër këta? Këta e kanë Shkodrën, pse nuk i bëjnë të gjitha gjërat falas në Shkodër, çfarë i pengon? E pe sa ishte taksa në Shkodër? Nëse taksa këtu është 100 lekë për pastrimin dhe 150 lekë për shkollën, pra 250 lekë, taksa atje ishte 708 lekë. Me një taksë 3-fish më të madhe. Kjo falas nuk funksionon në asnjë vend. Kjo kthehet për një ftesë për xhiro me autobus edhe për ata që ecin në këmbë. Ne kemi sot biletën më të lirë se kudo. Sot në Prishtinë është 50 cent, është gjysmë euro, pra 700 lekë. Sot jemi në një situatë kur kanë hyrë më shumë autobusë fizarmonikë dhe atë dyndjen e mëngjesit nuk e kemi si në kohët e vjetra kur bëheshin sardele”, deklaroi Veliaj.
Veliaj njoftoi se Bashkia e Tiranës ka gati një paketë sociale për t’i ardhur në ndihmë pensionistëve dhe shtresave në nevojë. Ai tha se bëhet fjalë për një bonus social në formë aboneje ose kartë për të blerë ushqime në markatë.
“Jemi duke diskutuar për një paketë sociale ku nuk përfshihet vetëm autobusi, por për ata që janë pensionistë ose për ata që janë shtresa në nevojë ne të kemi një bonus social, që mund të përdoret në formë aboneje, në formë karte për të blerë ushqime në markatë. Jemi duke diskutuar një bonus ushqimor, që është më shumë se sa thjesht për të thënë një shashkë për fushatë”, u shpreh Veliaj.
Ai foli edhe për projektin për ndërtimin e linjës hekurudhore. Veliaj tha se ajo ka ardhur deri në Vorë dhe po kalon përgjatë autostradës, teksa po lirohen distancat nga ky del linja hekurudhore.
“Për sa kohë që ka ardhur deri në Vorë, unë besoj se është një gjë e mirë. Për sa kohë që pamë që firmosja me krerët e bashkimit Europian për pjesën e tyre të financimit, me BERZH-in për pjesën e tyre të financimit, me Bankën Europiane të Investimeve për pjesën e tyre të financimit ndodhi në publik dhe puna sot, meqë mbuloj dhe Vorën, po kalon përgjatë autostradës ndërkohë ne jemi duke liruar edhe distancat nga ku del linja hekurudhore. Unë besoj se është provë e qartë mes atyre që i thonë dhe i bëjnë dhe atyre që të kapin ça të kapim, të fusim ndonjë gënjeshtër se zgjedhjet e radhës”, deklaroi kryebashkiaku.