Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj foli për ndërtimin e shkollave të reja në kryeqytet dhe planin e bashkisë për mandatin e ardhshëm.
Në një intervistë në Report TV, ai u shpreh se Tirana ka nevojë për të paktën edhe rreth 12 shkolla të reja, duke iu referuar numrit të popullsisë që ka aktualisht. Ai tha se Bashkia e Tiranës do të ndërtojë dy shkolla në rrugën “Tre Dëshmorët”në Kombinat, dy shkolla në zonën e Kasharit dhe një tjetër shkollë në vijën e parë të Astirit.
“Unë besoj se për popullsinë që kemi tani duhet të ketë edhe 10 shkolla të tjera, rreth 10-12 shkolla të tjera. Janë ndërtuar në mënyrë të njëtrajtshme. Sepse janë ndërtuar shkolla dhe në Pezë. Katër shkolla në Pezë. Në Pezë kishte lënë territor komuna. Kishte një plan urbanistik Peza. Nuk kishte lekë. Por kur erdhi bashkia e madhe e futi dhe Prezën brenda, komuna tha ja ku i kemi tokat për shkolla por nuk kemi pasur para se nuk na dilte. Të njëjtën gjë bëri edhe Petrela. Por Komuna e Petrelës, demokratë kanë qenë edhe ata nuk e kanë problem.
Duke pasur bashkinë arritëm që ta bënim edhe në komunën e Petrelës. Ajo që na ka ndodhur është se në zonën e Astirit nuk kemi pasur asnjë terren. Pavarësisht se ishte vetëm 20 metra në vijë ajrore në anën tjetër të rrugës “Teodor Keko” nga njësia 7. Në fakt njësia administrative ishte kufiri i Kasharit me Tiranën. Aty mbaronte vija e verdhë. Sot jemi në një situatë ku edhe aty i kemi gjetur terrenet. Do jenë dy shkolla te rruga “Tre Dëshmorët” pas Kombinatit të mishit në Yzberisht, do jenë dy shkolla në zonën e Kasharit dhe një shkollë tjetër në vijë të parë të Astirit. Mandatin tjetër ajo do quhet lagja Rilindja se do ketë përfituar më shumë”, deklaroi Veliaj.
Ai tha se ndërtimi i shkollave vitin e shkuar u bllokua për shkak të rritjes së çmimeve të çelikut dhe betonit si pasojë e luftës në Ukrainë. Bashkë me 5 shkollat e Astirit, Veliaj tha se do të ndërtohen edhe katër shkolla të tjera te kopshti Botanik, në zonë e Parkut Olimpik dhe Sauk. Veliaj theksoi se bashkia që ai drejton ka ndërtuar 40 shkolla dhe krahasohet me një administratë që në katër vite nuk bëri asnjë shkollë.
“Në zonën e Astirit kemi 5 shkolla. Çfarë ndodhi vjet? Vjet ndodhi që kur ne u përgatitëm për të hedhur lotin, pasi kishim zgjidhur të gjithë konfliktet e pronësisë u rrit çmimi i jashtëzakonshëm i çelikut dhe betonit. Nuk erdhi askush të bënte shkollat. Me të drejtë thonë që me 3-fishimin e çmimeve që pësuam prej një lufte që nuk e organizuam ne, u bë e pamundur që me ato buxhete që ne kishim bërë një vit përpara që të vinte dikush të aplikonte.
Tani janë kthyer çmimet në realitet, kemi sqaruar dhe tokat dhe do kemi jo vetëm 5 shkollat e Astirit, një shkollë e kemi te cepi i Kopshtit Botanik. Një shkollë tjetër e kemi te parku Olimpik, shkolla “Dritëro Agolli”. Kemi edhe dy shkolla të tjera në Sauk. Është pa dyshim një kënaqësi e jashtëzakonshme që kemi bërë 40. Krahasohemi me një administratë që nuk ka bërë asnjë shkollë. Përkundrazi, shkollën “Betim Muço” e ktheu në shesh për pallat në Kombinat, shkollën “Kosova” e kishte bërë lejen gati për pallat dhe fushën e Laprakës e kishte bërë gati për pallat. Unë i kuptoj këta, unë jam gati të jap llogari. Pse 40 dhe jo 50? 40 me zero është prapë një rezultat mbresëlënës”, deklaroi ai.