Kandidati i Opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Kelliçi, i ftuar në emisionin “Frontline”, në News24, shpjegoi në mënyrë të detajuar disa pika kryesore të programit të tij që synon zbutjen e kostos së jetesës në Tiranë, dhe lehtësimin e trafikut.
Për nënkalimin në Sheshin Skenderbej, Kelliçi u shpreh se në bazë të studimeve që ka bërë ekipi i tij, qytetarët do të kursejnë në një ditë 5 mijë kilometra rrugë, pra aq sa llogaritet sot në gjendjen aktuale, fluksi që përshkohet prej gjithë automjeteve që kalojnë në atë nyje, një prej më problematikeve në Tiranë.
Vetëm ai segment, që është 200 metra dhe nuk e prek në asnjë milimetër Sheshin Skenderbej, Kelliçi tha se qytetarët do të arrijnë të kursejnë çdo ditë, 0.24 tonë naftë, aq sa shpenzojnë sot duke kaluar nëpër itinerarin aktual.
Po ashtu, sipas ekspertëve, vetëm në atë nyje, llogaritet që fluksi i automjeteve dhe trafikut, shkarkon 234 tonë dioksid karboni në një vit, çka me projektin e nënkalimit në Sheshin Skendebej, eleminohet, duke kontribuar kështu në uljen e ndotjes, por edhe të stresit.
Nënkalimi tek “Sheshi Skenderbej” është një prej 5 prioriteteve kryesore të Belind Kelliçit, në paketën e tij për të përmirësuar jetën në qytetin e Tiranës, për të ndihmuar në uljen e kostos së jetesës, në lehtësimin e biznesit të vogël me reduktimin e taksave e tarifave, apo në mbështetjen e familjeve me ndërtimin e çerdheve, kopshteve e shkollave, në çdo njesi.
Belind Këlliçi tha se projekti i nënkalimit që i shërben mijëra qytetarëve në ditë, kushton jo më shumë se kopshti personal që Kryeministri ka ndërtuar së fundmi, në ambjentet pranë zyrës së tij.