Vëzhguesi i Ardian Nikulajt, Harry Simpson është ende në arrati ndërsa pesë bashkëpunëtorët e tij në vrasjen e biznesmenit janë kapur. “FactCheck” zbardh vendimin se si deklarimet e personave të pyetur për krimin e rëndë janë përputhur edhe me prova ADN-je si ajo e bishtave të cigares dhe çamçakëzit. Drejtësia shqiptare po pret nga Maroku dritën jeshile për sjelljen në Lezhë të Ruben Saraivës, vrasësit me pagesë të kontraktuar nga Edmond Haxhia.
Kur po mbushen tre javë nga atentati që i mori jetën biznesmenit Ardian Nikulaj, Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë ka mundur të arrestojë 5 nga 6 të dyshuarit si pjesë e grupit kriminal të vrasësve me pagesë për efekt të gjakmarrjes.
“FactCheck” ka mundur të sigurojë vendimin e gjykatës së Lezhës i cili hedh dritë mbi planin e Edmond Haxhisë për të ekzekutuar Nikulajn.
Sipas hetimeve ka rezultuar se i pari që ka mbërritur në Shqipëri është shtetasi Edmond Haxhia që në vitin 2022.
Pas tij ka mbërritur ekzekutori i Nikulajt, shtetasi i lindur në Portugali, por rezident në Britaninë e Madhe, Ruben Saraiva. Saraiva ka ardhur në Shqipëri 2 muaj e 5 ditë para se të kryente krimin e rëndë, përkatësisht më 14 shkurt 2023.
Mbërritjen e Saraiva-s në Shqipëri e ka konfirmuar për hetuesit jo vetëm sistemi i hyrje daljeve të shtetasve njohur si TIMS, por po ashtu edhe e fejuara Edmond Haxhisë e cila deklaruar para hetuesve se “ai ishte shok i Edmondit, ka ardhur në Shqipëri më 14.2.2023, në aeroportin Nënë Tereza e prita unë dhe Edmondi, e kam fiksuar pasi ishte dita e ‘Shën Valentinit’, pasi e morëm në Rinas e dërguam në Shëngjin tek resorti R… ku ai qëndroi një natë”.
Ndërsa personi ende i pa arrestuar dhe me rol po aq të rëndësishëm në këtë krim, Harry Simpson rezulton se në Shqipëri ka ardhur 5 ditë para kryerjes së krimit dhe ka monitoruar nga pranë çdo lëvizje të Nikulajt.
Por si u shkua tek zbulimi i Simpson dhe Saraiva-s?
Në këtë material dhe veprime të kryera nga prokuroria e policia e Lezhës në terren rezulton se përtej pamjeve filmike, deklarimeve, hyrje daljeve, kontratës së blerjes së motorit dhe marrjes së qirasë së GOLF5, shkencërisht hetuesit kanë mundur të gjejnë edhe prova ADN-je.
Për Simpson ata kanë mundur të përftojnë profile gjenetike nga bishtat e cigares, shishet e birës të lëna në dhomën e hotelit që ai braktisi me shpejtësi pas vrasjes ndërsa për Saraivën nga mbetja e çamçakëzit të gjetur në banesën ku ai ka qëndruar në Kakarriq.
Edmond Haxhia, Ruben Saraiva, Steven Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgman janë arrestuar në Britani dhe Marok. Për këta shtetas tashmë në Britani dhe Marok janë nisur provat që i implikojnë me vrasjen e Nikulajt dhe pritet vendimi nga drejtësia atje për ti Ekstraduar dhe në rastin e Saraiva-s në Marok për dorëzim pasi nuk kemi marrëveshje ekstradimi.
“FactCheck” mëson se kërkimet e policisë Britanike vazhdojnë për kapjen e Harry Simpson i cili pas vrasjes ka udhëtuar me taksi nga Shëngjin në Rinas ku ka ndërruar rrobat në tualetin e aeroportit dhe më pas ka udhëtuar drejt Luton.