Në mandatin e tretë kryeministrit Rama i është dashur të firmosë deri më tani shkarkimin nga detyra të 4 kryebashkiakëve. “FactCheck” sjell një kronologji të vendimeve, ku të shkarkuarit janë përfshirë në krime seksuale, korrupsion dhe shpërdorim detyre nga veriu në jug.
Qeveria Rama e cila është në mandatin e saj të tretë deri më tani ka shkarkuar nga detyra me vendim qeverie katër kryebashkiakë të zgjedhur nga populli.
Mes të shkarkuarve janë një nga opozita dhe tre nga mazhoranca e majtë e cila qeveris vendin prej vitit 2013.
I pari kryetar i zgjedhur dhe i cili ishte ende në detyrë kur u shkarkuar ishte Shukri Xhelili. Ish-qytetari i parë i Dibrës, sipas vendimit të qeverisë asokohe u shkarkua për “Shkelje të rënda”.
Në vitin 2016 për Xhelilin u publikuan në media pamje të një kamere të fshehtë ku ai kërkonte favore seksuale në këmbim të punësimit të një vajze të re.
Afro tre vite më vonë këtë fat do ta kishte kryebashkiaku në detyrë në Vaun e Dejës, demokrati Zef Hila.
Me propozim të ministrit të brendshëm asokohe Sandër Lleshaj në vitin 2019 kryeministri Edi Rama firmosi shkarkimin e Hilës.
Si argument për shkarkimin e Hilës u përdor përfshirja e tij në incidentet zgjedhore për lokalet e 30 qershorit 2019, ku në Vaun e Dejës u dogjën materialet zgjedhore dhe u dëmtua një shkollë në këtë qytet.
I treti i zgjedhur me vota për të qeverisur pushtetin lokal do të ishte Fatos Tushe. Më 7 Korrik 2021 qeveria do të shkarkonte kryebashkiakun e Lushnjes Fatos Tushe. Edhe këtë herë me propozim të ministrit të brendshëm, post që drejtohej nga Bledi Çuçi u firmos shkarkimi i Tushes.
Tushe u shkarkua pak ditë pasi ai u arrestua nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit me dyshimet e përfshirjes në shpërdorim detyre e korrupsion.
Kryebashkiaku i katërt i shkarkuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama është ish-qytetari i parë i Bulqizës. Lefter Alla i cili u arrestua si ish-kolegu i tij Tushe, do të shkarkohej me të njëjtin motivacion.
Me propozim të ministrit Çuçi për shkelje të rënda nga detyra, Alla prej 24 marsit të 2023 s’ do të ishte më kryebashkiak. Shkarkimi i tij erdhi teksa ai ishte ende në detyrë dhe më pak se 2 muaj nga përfundimi i mandatit të fituar më 1 Korrik 2019 për të drejtuar Bashkinë e Bulqizës.
Marrë nga MCNTV emisioni FactCheck