Banka e Nivelit të dytë Raiffeisen Bank, nëpërmjet departamentit Raiffeisen Leasing SHA ka kërkuar që gjykata e lartë të heq sekuestron për dy automjete luksoze në pronësi të bankës të cilat ajo i kishte dhënë me qira (leasing).
Në vendimin e atashuar në këtë shkrim, shihet se Kolegji Penal ka argumentuar se si SPAK ashtu edhe Gjykata e Posaçme dhe Apeli i Posaçëm kanë vepruar drejt duke sekuestruar pasuritë e të afërmve të Anton (Pashuk) Gjinaj (Gjini) pasi edhe qiratë e paguara janë me burime ende të pajustifikaura.
Ndërkohë Raiffeisen Bank ka pretenduar të hiqet sekuestro pasi pronare e mjeteve është ajo dhe jo personat subjket të ligjit antimafia.
Në argumentimin pika 18 dhe 19 të këtij vendimi thuhet
“18. Kolegji vëren se gjykatat e faktit, bazuar në ligjin parandalues, kanë argumentuar se shtetasi Anton (Pashuk) Gjinaj (Gjini), si dhe personat e lidhur me të (në rastin konkret, bashkëshortja dhe e bija, zotëruese të pasurisë së pretenduar nga kërkuesi) janë subjekte të këtij ligji. Gjykatat e faktit kanë vlerësuar se, nga të dhënat e disponuara në fashikullin e këtij hetimi pasuror, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova mbi ligjshmërinë e burimit të pasurisë së këtyre subjekteve të ligjit parandalues, ndër të cilat edhe të pasurive objekt të këtij gjykimi si: Autovetura e tipit “Mercedes-Benz”, modeli G 63 AMG, me numër shasie WDB4632761X327336 dhe autoveturë e tipit “Merceds-Benz”, modeli GLE 400 D4MATIC Coupe, me numër shasie WIN1673231A160131, në pronësi të Raiffeisen Leasing SHA, për të cilat, siç është bërë me dije nga organi i prokurorisë gjatë gjykimit në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, po kryhen ende verifikimet e nevojshme, pra çështja ndodhet ende në fazën e hetimit pasuror. Për më tepër, që nga përmbajtja e kontratave të qirasë financiare, të administruara me cilësinë e provës, rezulton se nga ana e qiramarrësve Anton Gjinaj dhe Radusha Gjini janë paguar shuma të konsiderueshme monetare, si paradhënie për çmimin përfundimtar të blerjes së mjeteve objekt kontrate, përkatësisht 45.000 dhe 29.100 euro, burimi i ligjshëm i sigurimit të të cilave, është ende në fazë verifikimi.
19. Masa e sekuestrimit të pasurive është një masë parandaluese, me qëllim që të shmanget tjetërsimi i pasurive/të ardhurave nga subjektet e ligjit parandalues. Të dhënat e dokumentuara nga prokuroria në kuadër të këtij procedimi pasuror kanë qenë të mjaftueshme për të justifikuar vënien e masës parandaluese të karakterit pasuror, nëpërmjet sekuestrimit të pasurisë së paluajtshme/luajtshme objekt në gjykim, për të shmangur rrezikun e tjetërsimit apo të marrjes së kësaj pasurie nga persona të tjerë/të tretë (element i parashikuar nga neni 11 shkronja ‘a’ të ligjit parandalues dhe i argumentuar nga gjykatat e faktit). Ligji parandalues i ka njohur të drejtën subjektit dhe/apo personit të lidhur që të provojnë të kundërtën, pra ligjshmërinë e të ardhurave dhe të pasurive të tij, fakt që do të jetë objekt i shqyrtimit të kësaj çështjeje në rast se do të konkludohet nga organi i akuzës se ka vend për konfiskimin e saj. Në këtë vështrim, Kolegj thekson se hetimi pasuror është në vijim e sipër dhe tashmë, i takon subjekteve të këtij ligji, apo palëve të prekura nga vendimi i sekuestros së pasurisë, të provojnë ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive të tyre, apo të drejtat pasurore mbi psuritë e sekuestruara, duke paraqitur para prokurorit të çështjes të gjitha aktet/dokumentet/provat që ato disponojnë.