Reflektoj shumë rreth konceptit të pronësisë.
Në të vërtetë kjo e pronësisë mendoj se është zanafilla e më shumë se gjysmës së problemeve të botës dhe hipoteza ime ka një bazë që në themel mban historinë dhe përvojën. E kam me këtë botën tonë siç e njohim ne sot. Dikush e quan qytetërim a modernizim e dikush shkatërrim e përfundim të projektit të krijuesit. E nuk besoj aspak, se shkatërrimi i botës ka të bëjë vetëm me pjesën fizike e ligjore të saj, por mbi të gjitha me anën morale.
Pronë e kujt është kjo? Kush e ka ndërtuar e kush e ka zotëruar etj., etj..? Ka një fakt që nuk e luan topi. Asnjë nuk e merr pronën me vete. Asnjë nuk është i lirë në botë të mos paguaj për pronën që ka. Të paguaj taksa e të paguaj kur e blen, kur e trashëgon madje edhe kur e dhuron.
Edhe lufta, edhe ajo mes të qytetëruarve madje, nis gjithnjë nga çeshtje pronësie. Imja, jotja, e tyre, e jona e kështu…
Kam patur skepticizëm rreth konceptit tjetër të lidhur me atë të pronësisë, atë të trashëgimisë. Të trashëgosh, dhe e kam për pjesën materiale të pronësisë, pa mund mendoj se është gabim. Të trashëgosh, sepse yt atë apo jot ëmë kanë qenë punëtorë të mirë e kursimtarë të mirë, nuk të jep asnjë të drejtë morale pronësie, përveç kënaqësisë së të zotëruarit të një gjëje pa asnjë mund. Prona e trashëguar do të jetë gjithnjë e destinuar të shkatërrohet, sepse ata/ato që e marrin falas nuk ja dijnë vlerën e vërtetë dhe nëse janë më shumë se një do kenë probleme mes tyre. Mund të kujtojmë edhe fjal të urta e të mençura të njerëzve që kanë lënë trashëgimi kulturore, të cilat thonë se materia është baza e shkatërrimit të njeriut.
Mendoj se ka shumë për të thënë rreth konceptit të pronësisë dhe duhet reflektuar që të mos përsërisim gabime që na kushtojnë shumë.
Pronësia nuk duhet të jetë qëllimi në jetë, por thjesht një mjet për të kaluar kohën në shoqërinë e atyre që të duan e i do. Natyrisht që nuk është e thjeshtë, sepse historia ka treguar se dikush me forcë kërkon të të marrë pronën dhe kjo gjeneron luftë, por çeshtja është që të gjithë duhet të edukohen se prona e tjetrit është thjesht një mjet dhe nuk mund të merret pa pagesë e pa mund e djersë. Pabarazia nuk mendoj se është justifikimi i gjenerimit të luftës. Mosedukimi po. Padituria po.
Debati mbetet i hapur dhe koncepti kërkon reflektim…
Një ditë të mbarë të gjithëve!
Nga Artur Beu