Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi abuzimin, zyrtarët e bashkisë Durrës: ishte lapsus nga 2.04 e bëmë 20.4 hektarë.
Në fillim të vitit 2013, Bashkia e Durrësit shpalli tenderin “Projekt zbatimi për Promenadën Detare dhe plazhin nga Bërryli deri në Currila“ me fond limit 21 milionë lekë me TVSH. Pas zhvillimit të procedurës së prokurimit, fituese e tenderit u shpall kompania Sphaera e biznesmenit Ajkid Topore me ofertë 20 milionë e 988 mijë lekë, pra 12 mijë lekë më pak se fondit limit. Por kishte një problem. Fondi limit ishte fryrë 10 herë mbi vlerën reale. Sipas VKM përkatëse fondi limit duhet të ishte 2.67 milionë lekë.
Kontrata me kompaninë Sphaera u nënshkrua në mars të vitit 2013. Projekti u mor në dorëzim nga Bashkia Durrës në tetor të vitit 2014. Sipas kontratës, Bashkia do të shlyente 60 për qind të vlerës së kontratës me marrjen në dorëzim të projektit, ndërsa 40 për qind të tjera në momentin e zbatimit të projektit. Sipas kësaj klauzole, kësti i parë, që në vlerë ishte 12.6 milionë lekë u pagua në datën 24 tetor 2014.
Në qershor të vitit 2015 në Bashkinë e Durrësit mbërrin një grup audituesish nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Pasi marrin nën auditim bashkinë, audituesit e KLSH-së konstatojnë anomalinë e tenderit dhe faktin se fondi limit i tij ishte rritur 10 herë mbi vlerën që parashikonte Vendimi i Këshillit të Ministrave në fuqi “Për tarifat e studimit, projektimit, drejtimit dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit.”
Audituesit e KLSH i dërgojnë raportin paraprak me gjetjet e kontrollit Bashkisë së Durrësit, përfshirë gjetjen për anomalinë e tenderit “Projekt zbatimi për Promenadën Detare dhe plazhin nga Bërryli deri në Currila.“
Në observacionet e kthimit, Bashkia e Durrësit e pranon se fondi limit i tenderit ishte fryrë me 10 fish. Anëtarja e grupit të punës të ngritur nga Bashkia për përcaktimin e fondit limit të tenderit, Diana Dedja i përgjigjet KLSH, duke deklaruar se fryrja me 10 herë e fondit limit kishte ardhur për shkak të një lapsusi në përllogaritje.
Sipas Dedjas, grupi i punës kishte përllogaritur gabim sikur sipëraqja e e zonës së studimit që do të bënte kompania Sphaera ishte 20.4 hektarë dhe jo 2.04 hektarë sa ishte realisht.
Beteja për paratë
Pas marrjes së observacioneve nga Bashkia e Durrësit, KLSH përpilon raportin përfundimtar të Kontrollit. Në faqen 185 të raportit KLSH i lë rekomandim Bashkisë së Durrësit sa më poshtë: “Bashkia e Durrësit të marrë masa për të kërkuar mbrapsht nga shoqëria Sphaera dëmin prej 18.3 milionë lekësh”.
Por sipas SPAK, edhe pse ishte njohur me këtë fakt, 6 muaj pas raportit të KLSH, Bashkia e Durrësit pagoi në llogarinë e kompanisë Sphaera edhe këstin e dytë, pra 40 për qindëshin e mbetur të kontratës me vlerë 8.4 milionë lekë.
Në dosjen hetimore, SPAK thotë se Bashkia kishte dijeni të plotë edhe nga raporti i KLSH-së që fondi i kësaj kontrate ishte fryrë me 10 fish. Por pavarësisht kësaj ajo pagoi edhe këstin e dytë për kompaninë Sphaera. Ky fakt sipas SPAK dëshmon qartë se anëtarët e grupit të punës, Adhurim Qehajaj, Adnan Toçila, Diana Dedja dhe kryetari i bashkisë Vangjush Dako, me ndërgjegje dhe vullnet kanë kryer veprime të kundraligjshme duke i sjellë shtetit dëmin prej 18.3 milionë lekësh.
Madje sipas SPAK, në kohën kur ka ndodhur fakti penal, ish kryetari Vangjush Dako ka autorizuar juristin e bashkisë Ermal Pronjari, që të padisë në gjykatë shoqërinë Sphaera për të marrë mbrapsh paratë. Por në vitin 2016, Gjykata e Durrësit e mbylli çështjen sepse Bashkia si palë paditëse nuk u paraqit në gjyq.
Ky tender ishte akuza e dytë për të cilin SPAK kërkoi arrestimin e Vangjush Dakos. Akuza e parë lidhet me lejen e ndërtimit të një pallati të dëmtuar nga tërmeti.