Një hetim i referuar në SPAK në vitin 2021 nga Shërbimi i Brendshëm në Burgje ka zbuluar se si shoferi i Parlamentit dhe një Kakmbist, duke kërkaur para i premtonin punësime të paligjshme qytetarëve.
Si sekser të kësaj skeme janë arrestuar Klodian Gjeçi ( Shofer tek Kuvendi) dhe Agron Balla (kambist në Durrës). Ata tashmë janë në qelitë e paraburgimit ndërsa SPAK po i heton për veprën penale të “Ushtrimit të Ndikimit të Paligjshëm”
Njoftimi i SPAK
KProkuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar hetime në lidhje me proçedimin penal nr.18 viti 2021 që bën fjalë për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me këtë proçedim penal, në bashkëpunim me policinë gjyqësore në Shërbimin e Kontrollit të Brëndshëm në Sistemin e Burgjeve, janë krijuar dyshime se shtetasit K.Gj dhe A.B, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kërkuar dhe kanë marrë përfitime materiale të padrejta, në formën e shumave monetare, me qëllim për të ushtruar ndikim të paligjshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Shumat monetare janë kërkuar dhe janë marrë me qëllim për të bërë të mundur punësimin e një shtetasi në strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.55, datë 06.06.2023 të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim K.Gj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal.
– Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim A.B, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policise Durrës kanë ekzekutuar në datën 06.06.2023 masat e sigurimit personale të vendosura ndaj personave nën hetim të mësipërm.
Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.