Kompania e hidrokarbureve “Gega Oil” është gjobitur nga Autoriteti i Konkurencës me 5 milion lekë gjobë për mos deklarimit të përqëndrimit të kryer me kompaninë Genklaudis. WebLajm mëson se hetimi i kryer nga “AK” ka zbuluar përqëndrimin e padeklaruar sipas ligjit pranë autoritetit shtetror të monitorimit të konkurencës.
Këtë masë administrative e ka bërë të ditur Konkurenca e cila sqaron se “Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij të datës 08.06.2023, vendosi gjobitjen në vlerën e 5.000.000 (pesëmilion) lekë të shoqërisë Gega Oil Group SHA, si pasojë e mos njoftimit brenda afatit nga ana e shoqërisë Gega Oil Group SH.A. të përqendrimit të realizuar nëpërmjet bashkimit me përthithje të shoqërisë Gega Oil SHA nga shoqëria Genklaudis SHA. Referuar dokumentacionit të depozituar pranë Autoritetit të Konkurrencës konstatohet se transaksioni nuk është njoftuar brenda afatit të përcaktuar në nenin 12, pika 2 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.