Ka ndërruar jetë, sot në moshën 86-vjeçare ish-kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi. Berluconi ndodhej i shtruar në spitalin San Raffaele në Milano dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar shumë orët e fundit. Mëngjesin e sotëm në spital kanë mbërritur me urgjencë vajza e tij Marina dhe vëllai i tij Paolo. Lideri i Forza Italia kishte vetëm disa javë që kishte lënë ambientet e spitalit pas një shtrimi të gjatë për 45 ditë. 86-vjeçari ishte diagnostikuar me leucemi dhe ishte shtruar në spital në muajin prill pas problemeve me frymëmarrjen.
I njohur si manjat mediatik në ndërtimin e Mediaset, Berlusconi ka shërbyer tre mandate si kryeministër i Italisë, së fundmi midis 2008 dhe 2011, përpara se të tërhiqej nga politika për gjashtë vjet pas një dënimi për mashtrim tatimor. Ai u kthye në politikën e vijës së parë në vitin 2022, kur fitoi një vend në Senatin e Italisë, duke përfaqësuar Monzën.