Deri në 80 mijë euro ofroi Albert Pashaj për të vrarë Aredin Beharin biznesmenin Fierak të naftës.
Ky atentat ka dështuar dy herë nga 2017 dhe në 2019, ndërsa është zbuluar vetëm nga deklarimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Pagesa ishte bërë ushtarëve të Nuredin Dumanin, Skerdi Tases dhe Henrik Hoxhaj të cilët ndodhen në burg për një sërë krimesh.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 75/2022, të regjistruar për veprat penale të “Vrasje me paramendim”, “Vjedhje me armë”, “Vjedhje me dhunë”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” etj, të parashikuara nga nenet 78/2, 139, 140, 80, 152, 278/1, 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 72 datë 25.06.2023 ka vendosur:
• Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim A. P., i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasja me paramendim”, e kryer per interes, në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, e kryer në dëm të A. B., dy here, (në datat 05.11.2017 dhe 03.04.2019), në qytetin e Fierit, në bashkëpunim me të hetuarit H. H. dhe S. T., parashikuar nga nenet 78/2, 22, 25, të Kodit Penal.
Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 26.06.2023.
Nga hetimet ka rezultuar se, për shkak të konflikteve të vazhdueshme midis vëllezërve A. P. dhe të dëmtuarit A. B., i hetuari A. P., ka vendosur të vrasë shtetasin A. B. në vitin 2017. Për të realizuar këtë qëllim, ai ka kontaktuar të hetuarin H. H., që të kryeje vrasjen e shtetasit A. B. kundrejt pagesës. Shtetasi H. H. pasi ka marrë përsipër të kryejë këtë veprim, ka kontaktuar lidhjen e tij, të hetuarin S. T., me qëllim që vrasjen të kryenin së bashku (H.H. dhe S.T. ndodhen aktualisht të arrestuar). H.H. dhe S.T. pasi kanë rënë dakord për të kryer vrasjen e shtetasit A. B. kundrejt pagesës, kanë siguruar armën e krimit kanë vëzhguar viktimën dhe kanë përcaktuar ekzekutorin i cili do të ishte S. T. në datën 05.11.2017. Për arsye që nuk vareshin nga vullneti i hetuarve H. H. dhe S. T. vrasja e A.B. nuk u arrit të finalizohej, pasi objektivi i ka pikasur menjehere dhe është shtrirë në tokë.
Por porositësi A.P. nuk është ndalur këtu. I hetuari A. P. ka dashur ta finalizojë krimin e nisur në 2017 dhe në vitin 2019 (vrasje e shtetasit A. B.) duke e çuar pagesën në 80.000 euro.
Për këtë arsye, të hetuarit H. H. dhe S. T., riorganizohen, duke gjetur automjetin, armën e krimit dhe pas vëzhgimit të objektivit (A.B.) në datën 03.04.2019, vendosin të vrasin shtetasin atë. Ekzekutor në këtë rast u vendos të ishte H. H., duke qënë se herën e parë i hetuari S.T. nuk e finalizoi me sukses.
Edhe këtë rast për fatin e mirë të viktimës (shtetasit A. B.) krimi nuk u arrit të finalizohej, pasi të hetuarit H. H., pas goditjes së parë ju bllokua arma e llojit automatik kallashnikov.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.