Pas politikës e cila rriti pagat, një tjetër faturë pritet ti shtohet buxhetit të shtetit dhe taksave të shqiptarëve. Këtë herë është Gjykata Kushtetuese e cila kërkon rritje pagash, me argumentin se ata janë maja e piramidës së gjyqësorit dhe smund të kenë paga më të ulta se gjykatat e tjera.
Një tjetër argument i përdorur në dokumentin e siguruar nga weblajm është edhe fakti se kjo gjykata ka vështirësi dhe duhet të ketë paga më të larta se gjykata kudnër krimit e korrupsionit. Pas reformës në drejtësi një ndër argumentat që i hapi rrugë rritjes së pagave në gjykatën e posacme dhe atë të apelit përfshi edhe prokurorinë kundër krimit e korrupsionit ishte heqja dorë nga privatësia.
Ky kusht nga verifikimet që ka bërë weblajm deri më tani nuk rezulton për gjyqtarët kushtetues, ata skanë një detyrim të heqin dorë nga privatësia apo të përballen në sallën e gjyqit me grupe kriminale teksa japin vendime.
Masivisht gjykata kushtetuese funksionionin si gjykatë e kontrollit gjyqësorë apo thënë ndryshe gjykatë ligji dhe jo fakti! Ky propozim për rritje page deri në mbi 773 mijë lekë në muaj për kryetarin e kësaj gjykate dhe deri në 644 mijë lekë për anëtarët, ndodhet në parlament në pritje të votimit.
Kërkesa
Një ndër rezultatet e reformës në drejtësi ishte edhe miratimi i ndryshimeve
ligjore në ligjin nr.8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e
Gjykatës Kushtetuese”, me ligjin nr.99/2016. Këto ndryshime ligjore pasqyruan
ndryshimet kushtetuese në drejtim të mënyrave të reja të përzgjedhjes dhe
emërimit të gjyqtarëve kushtetues, kompetencave të reja të kësaj Gjykate në
trajtimin në veçanti të ankimit kushtetues individual, statusit të këshilltarëve
ligjorë të Gjykatës, si dhe rregullat e reja për shqyrtimin e çështjeve. Ligji
nr.8577, datë 10.2.2000, ndryshoi më tej në vitin 2021 me ligjin nr.45/2021.
Gjykata Kushtetuese ka përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë propozimin për
ndryshime në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese me qëllim rritjen e pagës
së gjyqtarëve pranë kësaj gjykate, duke e vendosur atë në majën e piramidës së
pagave të sistemit të drejtësisë duke qenë se kontrollon kushtetutshmërinë e
vendimeve që japin gjykatat e posaçme për krimin e organizuar dhe
korrupsionin dhe kështu mbart çdo vështirësi dhe kompleksitet që haset në
punën e tyre, ka përgjegjësinë për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe
akteve normative, zgjidhjes së konflikteve të kompetencave midis organeve
kushtetuese dhe kontrollin e papajtueshmërive dhe kushteve të zgjedhshmërisë
të funksionarëve të organeve kushtetuese që nënkupton se gjyqtarët e kësaj
gjykate përfaqësojnë nivelin më të lartë të ekspertizës dhe përgjegjësisë, si dhe
për shkak se sipas ligjeve që rregullojnë protokollin e shtetit, Kryetari i
Gjykatës Kushtetuese është personaliteti i katërt në hierarkinë protokollare pas
Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit.
Kjo kërkesë paraqet disa propozime për shtesa dhe ndryshime në
ligjin nr.8577, datë 10.2.2000, të cilat kanë për qëllim adresimin e nevojave të
evidentuara në drejtim të rregullimit të statusit të gjyqtarit kushtetues.
2
II. VLERËSIMI I PROJEKTAKTIT NË RAPORT ME PROGRAMIN
POLITIK TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ME PROGRAMIN
ANALITIK TË AKTEVE DHE DOKUMENTE TË TJERA POLITIKE
Nisma e propozuar vjen në përputhje edhe me qëllimet strategjike të Gjykatës
Kushtetuese, të parashikuara në planin e veprimit 2021-2023 për të rritur
efektivitetin dhe efektshmërinë e veprimtarisë së saj, si dhe me përcaktimet e
nenit 124 të Kushtetutës. Projektligji nuk është përfshirë në programin e
përgjithshëm analitik të projektakteve që do të paraqiten për shqyrtim në
Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2023.
III. ARGUMENTIMI I PROJEKTAKTIT LIDHUR ME PËRPARËSITË,
PROBLEMATIKAT, EFEKTET E PRITSHME
Kjo nismë vjen si rezultat i kërkesës së paraqitur nga Gjykata Kushtetuese, në
kuadër të nevojës për përmirësimin dhe rritjen e efektivitetit të veprimtarisë së
saj, si institucion i pavarur dhe si një gjykatë sui generis, e cila administron
drejtësinë kushtetuese.
Ligji nr.8577, 10.2.2000, në nenin 17, pika 1, parashikon se: “1. Paga e
gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese është e barabartë me pagën e Kryetarit të
Gjykatës së Lartë”.
Kudo në botë, sistemi i pagave të funksionarëve publikë i përngjan një strukture
piramidale në majë të së cilës qëndrojnë pagat e funksionarëve më të lartë. Të
gjitha pagat e tjera përcaktohen bazuar në raporte e koeficiente të gjykuara të
përshtatshme nga ligjvënësi, mbi pagën që qëndron në majë të piramidës.
Reforma në drejtësi e vitit 2016 e zhbëri sistemin piramidal që ekzistonte deri
në atë pikë nisur nga nevoja akute e rindërtimit të sistemit të drejtësisë.
Sidoqoftë, lëvizjet e fundit të ndërmarra nga qeveria dhe Kuvendi në fushën e
pagave në sektorin publik synojnë rikthimin e “normalitetit” në strukturën e
pagave, duke rikthyer, në një masë të madhe, parimin piramidal në ndërtimin e
sistemit të pagave. Në këto kushte, bazuar në parimin/konceptin e
sipërpërmendur, jemi të mendimit se shtrohet për zgjidhje edhe rishikimi i
pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për arsyet e mëposhtme:
Së pari, Gjykata Kushtetuese ka juridiksion përfundimtar kontrolli për
kushtetutshmërinë e vendimeve që japin të gjitha gjykatat e zakonshme dhe
të posaçme, përfshi gjykatat e posaçme për krimin e organizuar dhe
korrupsionin. Në këtë këndvështrim, çdo vështirësi dhe kompleksitet që
haset në punën e strukturave të posaçme të ngritura brenda sistemit të
drejtësisë, të cilat përbëjnë shkakun në kuptim të politikës legjislative, që
përcaktojnë nivelin e pagave të këtyre funksionarëve të drejtësisë,
3
eventualisht mbarten në Gjykatën Kushtetuese teksa kjo e fundit shqyrton
pretendimet për shkelje kushtetuese në vendimet e tyre. Vlen të theksohet se
vetëm vendimet e organeve të sistemit të vetting-ut nuk i nënshtrohen
juridiksionit kontrollues të Gjykatës Kushtetuese, duke qenë se Kolegji i
Posaçëm i Apelimit (KPA) funksionon si dhomë e dytë e vetë Gjykatës
Kushtetuese. Megjithatë, theksojmë se edhe ky përjashtim nga juridiksioni i
përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese përcaktohet nga natyra e përkohshme
dhe e jashtëzakonshme e sistemit të vetting–ut, i cili do të pushojë së
funksionuari në vitin 2026. Në atë kohë, çështjet që gjykon sot KPA-ja (si
dhomë e dytë e Gjykatës Kushtetuese), me gjithë vështirësinë dhe
kompleksitetin që justifikojnë nivelin aktual të pagave të KPA-së, do të
përthithen nga Gjykata Kushtetuese (Dhoma e Parë);
Së dyti, Kushtetuta e ka veshur Gjykatën Kushtetuese me përgjegjësi
ekskluzive për sa i takon kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve
normative, zgjidhjes së konflikteve të kompetencave midis organeve të tjera
kushtetuese dhe kontrollit të papajtueshmërive dhe kushteve të
zgjedhshmërisë të funksionarëve të organeve kushtetuese. Vendimet e
Gjykatës mbi këto çështje kanë fuqi të përgjithshme rregulluese dhe
qëndrojnë në një nivel më të lartë se ligjet në sistemin e hierarkisë së
normave. Këto përgjegjësi të larta nënkuptojnë se gjyqtarët e Gjykatës
Kushtetuese përfaqësojnë nivelin më të lartë të ekspertizës, përgjegjësisë dhe
rëndësisë protokollare në sistemin shtetëror. Vendimet e Gjykatës afektojnë
jetën politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit njëlloj si ligjet dhe në rast
përplasjeje me to (ligjet) mbizotërojnë;
Së treti, nisur edhe nga një këndvështrim ngushtësisht protokollar, kujtojmë
se sipas ligjeve që rregullojnë protokollin e shtetit, kryetari i Gjykatës
Kushtetuese është personaliteti i katërt në hierarkinë protokollare pas
Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit.
Nga ana tjetër, vendosja e Gjykatës Kushtetuese në majën e piramidës së pagave
është një standard dhe model që gjendet në të gjitha vendet e zhvilluara.
Për këtë arsye, në kushtet kur sistemi i pagave në sektorin publik po i rikthehet
parimit të organizimit piramidal, propozohet që në nenin 17 të bëhen shtesa dhe
ndryshimi i mëposhtëm:
- Pika 1 ndryshohet, si më poshtë:
“1. Paga mujore e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese është e njëjtë me
shumëzimin e koeficientit 0.96 me pagën e Presidentit të Republikës. Paga
mujore e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese indeksohet me vendim të
Këshillit të Ministrave jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit. Niveli i
indeksimit në çdo rast nuk kalon një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar
të inflacionit nga Banka e Shqipërisë.”.
4 - Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Përveç pagës mujore, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese përfiton një
shtesë për shkak të natyrës së veçantë të punës, në masën 58% për qind të
pagës.”. - Pika 2 ndryshohet, si më poshtë:
“2. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, për pozicionin drejtues përfiton edhe 20
për qind shtesë page mbi pagën mujore të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese
dhe shtesës për shkak të natyrës së veçantë të punës.”.
Shtesa dhe ndryshimet e sipërpërmendura synojnë që nga njëra anë të rrisin
pagën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe nga ana tjetër të mos cenojnë të
drejtat e fituara të tyre, duke garantuar indeksimin e pagës, si dhe shtesën që
përfiton kryetari i Gjykatës Kushtetuese për shkak të pozicionit drejtues.
Në zbatim të nenit 138 të Kushtetutës garantohet indeksimi i pagës së gjyqtarit
të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të njëjtë me parashikimet për indeksimin e
pagës së magjistratëve sipas ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe
prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Ndërkohë, rritja e pagës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese sjell efekte edhe
në pagën e gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Kjo pasi fjalia e
fundit e pikës 3 të nenit C të aneksit të Kushtetutës parashikon se gjyqtarët e
Kolegjit të Apelimit gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa
pika 3, e nenit 29, të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve
dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (në vijim, ligji për vetting-un),
parashikon se gjyqtari i Kolegjit të Apelimit merr pagë dhe përfitime të tjera
financiare, në përputhje me rregullat e përcaktuara në ligjin “Për organizimin
dhe funksionimin e Gjykatën Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”.
Gjithashtu, përmes këtij projektligji është rregulluar edhe çështja e shtesave për
natyrë të veçantë pune që përfitojnë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe
Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Konkretisht, sipas parashikimeve të pikës 1/1
që i shtohet nenit 17, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të përfitojnë shtesë
për shkak të natyrës së veçantë të punës në masën 58% për qind të pagës, ndërsa
gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në përputhje dhe zbatim të nenit 29,
pika 4, të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe
prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, do të përfitojnë pagesë mujore shtesë
për shkak të vështirësisë, në masën 43% për qind mbi pagën mujore.
Këto dy shtesa kanë natyra të ndryshme dhe lidhen drejtpërdrejt me
veprimtarinë dhe kompetencat e secilit prej institucioneve. Kështu, për shkak të
5
veprimtarisë, kompetencave dhe rolit të veçantë që luan Gjykata Kushtetuese,
gjyqtarët e saj do të përfitojnë një shtesë për shkak të natyrës së veçantë të
punës. Ndërsa, gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të përfitojnë
vetëm pagesën mujore shtesë për shkak të vështirësisë, në zbatim dhe në
përputhje me parashikimet e ligjit për vetting-un.
Sa më sipër, gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të përfitojnë vetëm
pagën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, sipas pikës 1, të nenit 17, të ligjit për
Gjykatën Kushtetuese, dhe jo shtesën për shkak të natyrës së veçantë të punës të
cilën e përfitojnë vetëm gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, si pasojë e
kompetencave dhe veprimtarisë që kryen ky organ.
Shënim
Kjo kërkesë vjen në një kohë kur për pjesën më të madhe të shoqërisë rritja e çmimeve ka sjellë vështirësi për të përballuar jetesën, ndërsa rezulton se një pagë e cila ndoshta referuar standarteve europiane do duhet të ishte vërtet e lartë për gjyqtarët, në realitetin shqiptarë e bën 55 herë më shumë se sa një pensionin minimal prej 14 mijë lekë.