Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ministri i Emigracionin të Britanisë së Madhe, Robert Jenrick ishin së bashku sot në aeroportin “Nënë Tereza”, për të parë nga afër përpunimin e të dhënave të shtetasve të kthyer nga Anglia si pasojë e qëndrimit të tyre të paligjshëm. Prej Komunikatës së Përbashkët të dhjetorit 2022 të kryeministrave të dy shteteve, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria e kanë përforcuar edhe më shumë bashkëpunimin mes tyre. Gjatë kësaj periudhe, numri i shtetasve shqiptarë që shkojnë në mënyrë të paligjshme drejt Mbretërisë së Bashkuar ka rënë me 90% krahasuar me vitin e shkuar, dhe është vënë re një rritje e numrit shtetasve shqiptarë, të kthyer në përmbushje të marrëveshjes së suksesshme.
Më pas dy ministrat vizituan Task Forcën, e cila funksionon në ambientet e godinës së re të Komisariatit të Policisë Rinas ndërtuar në maj 2022, e cila është financuar nga qeveria britanike. Gjithashtu në Rinas janë ndërtuar ambiente të posaçme për intervistimin e shtetasve të kthyer, subjekt i riatdhesimit. Pala britanike ka asistuar Policinë Shqiptare edhe me pajisje logjistike, duke rritur kapacitetet përpunuese të strukturës.
Ministri Balla e informoi ministrin Jenrick mbi masat e marra duke ngritur me kohë të plotë një Task Forcë të Përbashkët, për Migracionin me pjesëmarrjen e strukturave të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve britanike për parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve kriminale në fushën e migracionit. Kjo njësi kryen shkëmbimin, verifikimin, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit nëpërmjet mekanizmave të sigurt të komunikimit, që lidhen me migracionin e paligjshëm, falsifikimin dhe mashtrimin me dokumentet në lidhje me migracionin.
Ministri Britanik ndodhet në Tiranë, pasi do të marrë pjesë në Ministerialin e Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, që mbahet në datë 14 shtator.