Edhe pse afati fillestar përfundoi për të përzgjedhur kreun e ri të AMF, Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, sipas burimeve për WebLajm afati është shtyrë deri më datë 23 tetor 2023 nga fund shtatori që ishte fillimisht.
Zyrtarisht nuk ka një listë kandidaturash të konfirmuara, ndërsa burime nga AMF sqaruan se kanë plotësuar aplikimet deri më tani katër kandidatë.
Ata garojnë mes tyre për të zënë postin e Ervin Mete i cili pak javë më parë u emërua në postin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Në garë për të drejtuar institucionin që kontrollon tregiun e sigurimeve, tregun e titujve, tregun e pensioneve private dhe veprimtarin financiare jobankare janë: Armand Reveli, Redi Lleshi, Pajtim Melani, dhe Petrit Perhati.
Armand Reveli, vjen në këtë garë me një eksperiencë si Drejtor i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ndërsa ka drejtuar më herët edhe Auditin në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Kandidati Redi Lleshi i cili është një emër i çertifikuar edhe nga raportet ndërkombëtare vjen me një CV të sutdimeve jashtë vëndit. Ai aktualisht është pjesë e zyrës së Kryeministrit Rama, aty ku mban postin e këshilltarit të Kryenegociatorit për Integrimin në Bashkimin Europian.
Lleshi ka studiuar në Shtetet e Bashkuara në Florida ku është diplomuar me Titull Master në Kontabilitet Financë. Redi Lleshi ka eksperiencë të mëparshme në pozicione drejtuese në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe në Ministrinë e Integrimit Europian, e po ashtu edhe në konsulencën financiare. Ai flet tre gjuhë të huaja, Anglisht, Italisht, Frengjisht ndërsa prej pak kohësh është kthyer në Shqipëri.
Pajtim Melani ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare mes viteve 2015 dhe 2019, ndërsa në vitin 2020 ka kandiduar edhe për postin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv. Përveç detyrës si anëtar joekzekutiv i Bordit të AMF, Melani ka mbajtur pozicione drejtuese edhe në Autoritetin e Konkurrencës.
Kandidatura tjetër është ajo e Petrit Perhati, i cili vjen nga sektori privat dhe nuk rezulton të ketë pasur detyra të mëparshme drejtuese në sektorin publik.
I përzgjedhuri ndër garuesit pritet të ketë një mandat të pjesshëm pasi do të plotësojë mandatin e mbetur vacant nga Mete i cili e la në mes drejtimin pas marrjes së postit të Ministrit.
Kualifikimet e kërkuara për Anëtar i Bordit të AMF-së sipas ligjit janë: përfundimi i plotë i ciklit të studimeve universitare në fushat ekonomike, juridike ose të lidhur me shkencën e aktuarëve dhe të ketë përvojë 7-vjeçare, nga të cilat, të paktën 5 vjet në financë-kontabilitet, administrim i shoqërive tregtare, këshillim ligjor i shoqërive tregtare, hartim legjislacioni, shkencë e aktuarëve ose sigurime shoqërore dhe pensione.
Por çfarë është AMF?
Sipas historikut të botuar në faqen e AMF, thuet se “Viti 2006 shënoi një hap të rëndësishëm në drejtim të reformimit të mbikëqyrjes dhe rregullimit të sistemit financiar jobankar. Me qëllim reformimin e sistemit rregullator financiar jobankar, në muajin tetor 2006 u realizua integrimi i enteve rregullatore-mbikëqyrëse për aktivitetin e tregjeve dhe subjekteve në fushën e sigurimeve, tregut të titujve, si dhe instituteve të fondeve të pensioneve vullnetare. Në këtë kuadër, u realizua unifikimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS), Komisionit të Letrave me Vlerë (KLV), si dhe Inspektoriatit të Instituteve të fondeve të pensioneve vullnetare , duke krijuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF), si të vetmin institucion përgjegjës për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e të gjithë aktivitetit që i përket sektorit financiar jobankar në Shqipëri”.