Që prej 20 Qershorit kur Policia e Shtetit ndërhyri në kampin e “ASHRAF 3” në Manëz, aty u instaluan me turne një pikë kontrolli (ngjashëm me pikë kalimi kufitar), në portën qëndrore të Kampit në rrugën nacionale Maminas-Gjiri i Lalzit. Ndonëse kampi ka disa hyrje, por kontrollet bëhen vetëm në një. Me të drejtë “rojtarët” thonë se aty për ne mund të kalojë edhe tanku, anash, në mes, duke çarë murin, nga toka a nga ajri. Por jo, për procedurë aty, tek ajo portë, duhet që për hir të procedurës të qëndrojnë gati-tuu shërbimet, nga policia private, ajo e Drejtorisë Vendore e Durrësit, Forca e Ndërhyrjes së Shpejtë (që meqë ra fjala Taulanti do na ia ndryshojë emrin në “Forca Kombëtare e Sigurisë Publile”), dhe oficerët e Drejtorisë së Anti-Terrorit. Në Gusht të këtij viti, rreth dy muaj pas oparacionit, pas një analize të bërë nga Policia e Shtetit, në përfundim të të cilës nuk pati asnjë rezultat që të kërkonte nevojën e kësaj “dogane”, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku urdhëroi largimin e Forcave të Policisë së Shtetit nga zona. Edhe ekspertët vlerësuan dhe sugjeruan se një “doganë” e tillë nuk ka efekt në planin efatgjatë, sidomos e stacionuar në të njëjtën adresë dhe me të njëjtën procedurë, jo më të flitet për muaj. Vetëm pak ditë qëndroi në fuqi kjo tërheqje dhe vjen Taulant Balla, që pa asnjë analizë apo indikacion të paktën që të qartësoheshin shërbimet, vendos rikthimin e “doganës”.
Por çfarë bëjnë këto shërbime sot e gjithë ditën?
Kontroll çdo personi që hyn e del nga kampi i MEK, theksoj, vetëm në portën kryesore. Rreth 2800 muxhahedinë e dinë si vdekja që do vijë një ditë se policat janë aty. Dhe çfarë mendoni ju se ndodh gjatë kontrolleve? Asgjë!!! Se sikur kriminelët e dheut të jenë, ata “kriminel” nuk janë aq tutkuna të kalojnë nga ajo portë qoftë fizikisht apo me sende të paligjshme, ose sende që ndihmojnë aktivitetin e paligjshëm (nëse ai kryhet)
Dalim te SPAK!
Kjo strukturë vijon hetimet me dyshimet për konsumimin e të paktën 6 veprave penale nga disa prej anëtarëve të komunitetit të “ASHRAF 3”. Asnjë prej personave të dyshuar nuk i është komunikuar ndonjë masë shtrënguese, teksa një burim i sigurt pranë SPAK, thotë se hetimet për këtë dosje mund të kërkojnë vite të mbyllen. Janë disa letër-porosi që mund të mos vijnë kurrë e pa to shumë gjë mbetet pa u bërë. Natyrisht, thotë i njëjti, edhe syri amerikan është ai që shihet kur jep a nuk jep ndonjë shenjë se kur e si duhet vepruar.
Ndërhyrja e autoriteteve shqiptare erdhi në kuadër të një kërcënimi serioz ndaj Shqipërisë nga Irani zyrtar, pretendon Prokuroria e Posaçme. Autoritetet shqiptare sipas SPAK kanë marrë shpesh kërcënime nga Teherani zyrtar, për shkak se pretendonin që anëtarët e MEK, po sulmonin faqet zyrtare të qeverisë iraniane. Prokuroria e Posaçme pretendon se sulmet e vitit 2022, ndaj faqeve të institucioneve kritike të Shqipërisë, kanë ardhur nga strukturat inteligjente të Iranit për shkak se në Shqipëri strehohej opozita e këtij vendi.
Gjatë fundit të vitit 2022, u konstatua rritja e retorikës kërcënuese nga Republika Islamike e Iranit dhe strukturave të Inteligjencës së tyre për të kryer sulme të mundshme, përfshirë edhe sulme me dron ndaj organizatës “MEK” me qëndrim prej disa vitesh në Shqipëri.
“Ministria e jashtme Iraniane, i ka përcjellë palës shqiptare notë verbale, ku sipas inteligjencës së besueshme dhe të dokumentuar, e cila është siguruar nga agjencitë e sigurisë për tre skuadra terroriste të arrestuara së fundmi, është zbuluar se janë stërvitur në kampet e organizatës “MEK” në Durrës, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Më tej, në dosjen hetimore evidentohen edhe raste konkrete të procesverbaleve që dëshmojnë gjurmët e hakerimeve ndaj autoriteteve iraniane nga përfaqësuesit e Muxhahedinëve në Shqipëri. Identifikohet fakti, se Shqipëria ishte nën kërcënim të vazhdueshëm nga Irani, dhe diçka të tillë e provon procesverbali i kqyrjes së të dhënave të datës 16 maj të këtij viti.
SPAK thotë se aktiviteti shantazhues i Iranit vijonte ndaj Shqipërisë, me kërkesat për t’iu vënë ‘fre’ muxhahedinëve, të cilët i quanin teroristë. I tillë është paralajmërimi i datës 19.10. 2022 në faqen e Telegramit “Homeland Justice”.
“Nëse doni ndonjëherë një Shqipëri të sigurt, jepini fund jetës së garnizonit të banorëve të Durrësit dhe jepini atyre kënaqësinë e të jetuarit në jetë urbane”.
Ky është artikulli i datës 8 maj të këtij viti mbi të cilin referohet edhe SPAK për sulmin kibernetik të kryer nga muxhahedinët e Manzës, ndaj sistemeve qeveritare të vendit të tyre.
Të dhënat e mijëra zyrtarëve Iranian, kamera sigurie të infrastrukturës kritike, emra e numra telefonash të punonjësve të Ministrisë së Jashtme iraniane u raportuan se ishin publikuar nga anëtarët e “MEK” nga Manza ku janë strehuar.
Në pah del edhe këmbimi i të burgosurve mes Iranit dhe Belgjikës, për të cilën SPAK thotë se MEK ka dyshime se bënte gjithçka t’i ndalonte.
“Dokumentet zbuluan përpjekjet dhe korrespondencën e vazhdueshme të Republikës Islamike me zyrtarët evropian për të finalizuar marrëveshjen për shkëmbimin e diplomatit iranian të arrestuar në Belgjikë Asadollah Asad me punonjësin humanitar belg Oliver Vandecasteele. “MEK” ndërmori një fushatë të ashpër kundër marrëveshjes, duke sfiduar ekstradimin”
Në këto kushte thotë SPAK, për të provuar domosdoshmërisht pretendimet e Iranit nëse qëndrojnë apo jo, është urdhëruar kryerja e kontrolleve në kamp, gjetja e serverave dhe pajisjeve që mund të jenë përdorur për sulmet kibernetike, ndërsa ka dyshime të forta që pjestar të “MEK”, janë përfshirë në aktivitet kriminal të terrorizmit dhe financimit të terrorizmit.
Nga Fatjon Gjinaj