Është hedhur pasditen e kësaj të shtune në Hamburg të Gjermanisë shorti për finalet e Kampionatit Europian 2024, me finalet e kompeticionit që do të zhvillohen në Gjermani në muajt qershor – korrik 2024. Shqipëria është pozicionuar në Grupin B me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.
Një short mjaft interesant për Kombëtaren shqiptare, që kualifikohet për herë të dytë në historinë e saj në finalet e një Kampionati Europian. Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Italisë më 15 qershor në stadiumin e “Dortmund”, ndërsa më 19 qershor do të përballet me Kroacinë në stadiumin “Hamburg”. Ndeshja e fundit e grupit do të jetë ajo ndaj Spanjës, që do të luhet më 24 qershor në stadiumin “Düsseldorf Arena”.
Në ceremoninë e hedhjes së shortit, përveç personaliteteve të shumta të futbollit europian ishin të pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, trajneri i Kombëtares Sylvio Mendes Campos Junior dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
Shqipëria e mbylli fushatën kualifikuese të këtij Kampionati Europian në vendin e parë në grupin E, duke grumbulluar 15 pikë, me 4 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje. Arritje historike për Kombëtaren shqiptare, të drejtuar nga trajneri Silvinjo.
Në Europianin, “Euro 2024” marrin pjesë 24 ekipe, të cilat ndahen në 6 grupe me nga 4 të tilla. Europiani do të ngrejë siparin me ndeshjen Gjermanë – Skoci, ndërsa gjithçka nis më 14 qershor deri më 14 korrik 2024