Pas një dekade arrati kapet bosi i drogës në Fushë Kuqe, Gëzim Çela. WebLajm sjell foton e arrestimit në Ferizaj.
Në momentin e arrestimit ai ishte kamufluar me një look pamje të ri, duke lënë mustaqe. Ai është arrestuar në Ferizaj. Çela kishte mjete identifikimi Kosovare, me një identitet të rremë. Lokalizimi i tij është bërë nga partnerët e Policisë dhe Spak. Çela përdorte emrin Kosovar. Ai mundi ti shmangej pak javë më parë operacionit “flakë në det” ku në pranga ra grupi i tij dhe shefi komisariatit Laç Dritan Metaj.
WebLajm mëson ekskluzivisht se ai përdorte identitetin Bekim Bajraktari.
Reagimi Taumant Ballës
🇦🇱 Forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet. Përgëzoj Policinë e Shtetit, e cila në bashkëpunim me një agjenci 🙏të rëndësishme të një vendi partner dhe me strukturat ligjzbatuese të Republikës së Kosovës kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Gëzim Çela, një person i dënuar dhe i kërkuar prej shumë kohësh nga drejtësia në Shqipëri.
Me kërkesë të Spak pritet të nis proçedura e ekstradimit drejt Shqipërisë.
Reagimi Policisë Shqiptare
Policia e Shtetit/Finalizohet një tjetër operacion me partnerët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Fundi i trishtë”, u zhvillua si rezultat i bashkëpunimit mes Policisë shqiptare, Policisë kosovare dhe agjencive ligjzbatuese të vendeve partnerë strategjikë.
Kapet në Kosovë dhe vihet në pranga, një shtetas i kërkuar prej vitesh, nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane.
Strukturat e Policisë së Shtetit, pas sigurimit të informacionit nga inteligjenca policore, se në Ferizaj, Kosovë, fshihej një shtetas i kërkuar prej vitesh nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane, menjëherë e kanë shkëmbyer informacionin me Policinë kosovare dhe me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnerë strategjikë.
Policia e Kosovës, bazuar në informacionin e marrë nga Policia shqiptare, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Fundi i trishtë”, gjatë të cilit, në Ferizaj, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:
Gëzim Çelaj (Çela), 55 vjeç, lindur dhe banues në Krujë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjithashtu, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi ish-Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 10 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municione luftarake”, pasi:
-Më datë 12.06.2014, në orët e para të mëngjesit, është kapur në flagrancë shtetasi R. H., me lendë narkotike kokainë, e cila ishte nisur nga Kosova në Shqipëri, për llogari të shtetasit Gëzim Çelaj. Në banesat e këtij të fundit, në Kurbin dhe në Tiranë, janë ushtruar kontrolle dhe janë gjetur dhe sekuestruar 207 kg kanabis sativa, 22 kg heroinë, 500 gramë kokainë dhe 14 armë zjarri të llojeve të ndryshme.
55-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Interpol Roma, Itali, pasi në vitin 2012, autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 19 vjet, 9 muaj e 29 ditë burgim, për kryerjen e veprave penale “Organizator i migrimit ilegal” dhe “Organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Reagim i Policisië së Kosovës për Gëzim Çela
Njoftimi i Policisë së Kosovës për arrestimin e Gëzim Çelës
Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), pas një pune intensive operative dhe në bashkëpunim e koordinim me autoritetet policore të Republikës së Shqipërisë, sot më 08.12.2023, në një fshat në Ferizaj, kanë arrestuar një të dyshuar.
Hetuesit policorë nga DHTN-ja kanë arritur që sot rreth orës 17:55, të lokalizojnë vend-ndodhjen e të dyshuarit, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar. I dyshuari G.Ç., (mashkull shtetas i Shqipërisë), në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova. Dyshohet se shtetasi i Kosovës, ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria. Arrestimi është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt dhe hetuesit e anti-drogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të PK-së.
Për arrestimin janë njoftuar organet e drejtësisë dhe me urdhër nga prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda-Ferizaj është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit A.I., në një fshat të Vitisë. Gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë.
Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU të cilët në koordinim me organet e drejtësisë, do të merren me procedura rreth rasteve kur kemi të bëjmë me arrestime të personave që janë në kërkim ndërkombëtar.
Policia e Kosovës do të vazhdojë aktivitetet në drejtim të sigurimit të një ambienti sa më të sigurt për qytetarët, arrestimin e personave të dyshuar dhe dërgimin e tyre para organeve të drejtësisë si dhe do të vazhdojë e të thellojë bashkëpunimin me policitë e shteteve mike, me theks të veçantë me Policinë e Shtetit.