Spak vë në hetim gazetarin Elton Qyno, gjykata miraton kërkesën për kontroll personal, banese dhe ambjentet e punës.
Por çfarë thotë neni për të cilin Spak ka nisur hetimet dhe Gjykata e Posaçme ka miratuar me vendimarrje.
WebLajm mëson së për afro 7 orë Spak ka marrë në pyetje kolegun Qyno, ndërsa ky i fundit ka refuzuar të tregojë burimin e informacionit. Ndërsa ende mbetet e pazbardhur çështja sekrete e raportuar nga Qyno e cila nga Spak konsiderohet shkelje ligjore.
Neni 295/a
Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete
(Shtuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012)
Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhënat, të cilat ligji i përcakton si sekret, nga ana e një funksionari publik ose e një personi të ngarkuar me një shërbim publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës ose duke abuzuar me cilësitë e veta, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Zbulimi ndaj të tretëve i të dhënave, të cilat përbëjnë sekret tregtar industrial ose profesional, nga ana e personave publikë, që kanë detyrë ruajtjen e tyre, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave, që përmbajnë aktet sekrete, nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore, si dhe mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave të përmbajtura në aktet sekrete nga persona të tjerë, që kanë dijeni për të dhëna për procedimin penal e që janë paralajmëruar nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore për moszbulimin e tyre, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Zbulimi i të dhënave sekrete, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë, sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.
Zbulimi i sekretit që ka sjellë si pasojë vdekjen, plagosjen e rëndë ose ka rrezikuar seriozisht jetën apo shëndetin e dëshmitarëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të familjarëve të tyre apo të punonjësve të policisë, të ngarkuar me mbrojtjen e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
Neni 295/a i kodit penal
Shënim i redaksisë së WebLajm
WebLajm mbështet çdo hetim të Spak apo institucioni i cili fakton lidhje të medias dhe gazetarëve me botën e krimit dhe shkeljen e ligjit.
WebLajm nuk pranon që gazetarët dhe në rastin konkret kolegu Elton Qyno të intimidohet apo vihet në presion për nxjerrje sekreti, apo idnetifikim burimi.
Ne inkurajojmë që kjo çështje të ketë transparencë dhe respektim të profesionit të gazetarit.