Inceneratori i Tiranës/ Veliaj: “Akuzat e opozitës çmontohen me tre fletë: prona nuk ka qenë e bashkisë, unë jam shprehur vetëm për Tiranën dhe Këshilli Bashkiak e ka votuar autorizimin”
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj duke komentuar në “Real Story” akuzat në lidhje me inceneratorin, tha se fabrikimet e opozitës janë të përmasave qesharake, të cilat mund të çmontohen me tre fletë.
“Së pari, nga të gjithë armiqtë politikë dhe kundërshtarët e progresit të qytetit, ka një ngazëllim shumë të madh kur bëhet fjalë për Tiranën. U provua që toka nuk është pronë e Bashkisë. Siç ish-administrata Basha-Tabaku e transferoi atë pronë me një letër, sepse e ka pasur vetëm në administrim dhe jo në pronësi, ashtu e ka kaluar edhe kjo bashki. Pra, bie një legjendë urbane, ashtu siç bie edhe legjenda tjetër urbane, se kryetari i Bashkisë është përgjigjur në emër të Qarkut. Jo! Jam përgjigjur vetëm për bashkinë e Tiranës. Pastaj, bie edhe legjenda e Këshillit Bashkiak sepse ka miratuar jo vetëm fondin, por ka autorizuar Kryetarin e Bashkisë duke i thënë: “O zotëri, meqë qeveria ka caktuar këtë vend për mbetjet, atëherë pasi të kesh siguruar paratë, – që ne i siguruam nga qeveria – shko dhe firmos angazhimin tënd për kontratë shërbimi, jo investimi. Tirana ndryshon edhe si model nga Elbasani dhe Fieri. Ndryshon edhe për faktin se intensiteti i vëmendjes për kryetarin e Bashkisë së Tiranës është më i madh. Por edhe fabrikimi është i përmasave qesharake, që çmontohet me tre fletë. Ndaj, ndërgjegjen e kam të pastër”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku u shpreh se Bashkia është e hapur dhe se dokumentet janë në përputhje me ligjin. “Politikisht ne u kemi dhënë një goditje fatale këtyre dy pronave private që quhen PD dhe LSI. Por, besoj se kemi mundësinë që, edhe nga ana juridike, të provohet se dy kolegët inxhinierë të bashkisë kanë qenë në komision për të kontribuar me informacion se në çfarë vlerash prodhohen mbetjet në Tiranë. Ata nuk janë as juristë, as llogaritarë. Këtë do ta vlerësojë gjykata. Unë jo vetëm që nuk kam arsye ta dyshoj hetimin, por përkundrazi, porosia që kam dhënë është se ne jemi të hapur. Nuk kemi asnjë kompleks për sa kohë që të gjitha dokumentet janë në rregull, për sa kohë prona nuk ka qenë e bashkisë, – thjesht ka qenë në administrim – dhe për sa kohë që Këshilli Bashkiak, pasi është firmosur kontrata në gusht, ka votuar për autorizim në shtator”, tha Veliaj.