WebLajm mëson se 3 nga të arrestuarit nga policia e Durrësit dhe AMP janë lënë në qeli me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkelje të rregullave kufitare, ndërsa një vajzë punonjëse e agjencisë doganore është liruar.
Ata janë arrestuar pasi kanë lejuar nxjerrjen pa kaluar në skaner një kontenier me banane të “Bana King”. Pasi është pikasur mungesa e kontenierit ai është rikthyer sërish në port pas afro 2.30-3 orësh duke ndjekur proçedurat standarte të kontrollit dhe ka rezultuar i pastërt.
Shpesh kontenierët me banane janë përdorur për trafik kokaine ndërsa nuk dihet nëse edhe ky kontenier ka patur apo jo lëndë narkotike. Kompania Zico e cila sjell “BanaKing” në Shqipëri ka qenë e më herët pjesë e hetimeve ku është kapur drogë dhe staf i saj është arrestuar. Ndërsa pronari i kësaj kompania z.Trifon Murataj ka mohuar akuzat duke e cilësuar si një sulm ndaj markës dhe biznesit të bananeve që ai menaxhon dhe droga ska qenë asnjëher e tija.
Por si kaloi kontenieri në Durrës pa kontroll? WebLajm sjell pamjet
Ky kontenier sqaruan burimet ka qëndruar në një zonë të Shkozetit dhe pas ndërhyrjes së policisë u rikthye në port.
Nuk mungoi edhe reagimi i Ministrit Balla i cili kalimin e kontenierit dhe nxjerrjen e tij pa kaluar në skaner dhe sipas proçedurave e ka cilësuar një sëmundje të vjetër.

“Lufta kundër korrupsionit nuk nis jashtë Policisë së Shtetit, por edhe brenda rradhëve të saj. Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka filluar pastrimin e një “sëmundje” të vjetër në Portin e Durrësit, ku janë arrestuar inspektorë të Policisë Kufitare dhe persona të tjerë të përfshirë në thyerje të paligjshme të kufirit. Pastrimi i Pikave të Kalimit Kufitar nga bashkëpunëtorët e veprimtarive kriminale është një detyrë prioritare për drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore. Pres rezultate të tjera si këto në ditët në vijim“
Foto Galeri




Hetimet kanë zbuluar se ky kontenier sipas dokumentave të dorëzuar pas rifutjes në port në shkelje të proçedurave ligjor, mbante vulat e një kontrolli në itali.
Njoftimi i Policisë së Shtetit për arrestet
Durrës/Strukturat e Policisë vendore, angazhim maksimal për të garantuar sundimin e ligjit në territor.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinkroni”, i zhvilluar nga Seksioni për Kontrollin e Kontenierëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe me Prokurorinë e Durrësit.
Regjistronin të dhëna të rreme, duke shpërdoruar detyrat, në mënyrë që automjete dhe kontenierë t’iu shmangeshin kontrolleve në pkk dhe të kalonin mallra të kontrabanduara, vihen në pranga 4 shtetas.
Vijon puna për kapjen e një 56-vjeçari, i cili dyshohet se duke falsifikuar elementet e sigurisë (plumbçet) të kontenierit të kamionit që drejtonte, ka kaluar mallra të kontrabanduara.
Në vijim të aksioneve intensive të Policisë, të kryera në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, kundër paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Sinkroni”. Si rezultat i operacionit u vunë në pranga, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, të kryera në bashkëpunim, shtetasit:
E. Gj., 35 vjeç, A. K., 52 vjeçe dhe D. M., 41 vjeç, të tre me detyrë inspektorë mbikëqyrës në kompaninë private që merret me përpunimin e mallrave dhe të kontenierëve në portin e Durrësit, si dhe shtetasi A. V., 27 vjeç, me detyrë ndihmësspecialist kontrollor në Policinë Kufitare të portit të Durrësit.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 4 shtetas, duke shpërdoruar detyrat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar të dhëna të rreme në sistemet kompjuterike, me qëllim lejimin e kalimit pa kontroll doganor, të automjeteve dhe kontenierëve që transportonin mallra të kontrabanduara.
Në vijim të këtyre veprimeve u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi D. H., 56 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Kondrabanda me mallra të tjera”, pasi dyshohet se ka falsifikuar vulat e sigurisë (plumbçet) të kontenierit të kamionit që drejtonte dhe me të ka kaluar mallra të kontrabanduara. Vijon puna për kapjen e shtetasit D. H..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.