9982 efektivë të Policisë së Shtetit pas më shumë 1 dekade do të përfitojnë në llogaritë e tyre bankare nga 1 milion lekë të vjetra.
Kjo pagesë vjen si përmbushje e ligjit për kompensimit ushqimorë të cilët efektivët se marrin prej vitesh, ndërsa me ardhjen në krye të Ministrisë të z.Balla ky detyrim do të paguhet për herë të parë.
Ndërsa ende sështë zyrtarizuar dhe plani i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shetit për shpërblimin e fundvitit.
WebLajm mëson se ky kompensim pre 1 milion lekë të vjetra i përket vitit 2023, ndërsa Ministri Taulant Balla ka kërkuar nga Financat të akordojë fondet.
Ministri i Brendshëm Balla: Shpërblim 1 100 Euro për 10 mijë punonjës të Policisë së Shtetit
Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave njoftoi një sërë vendimesh, që lidhen me shpërblimet e fundvitit.
Monistri Balla theksoi se për herë të parë, rreth 10 mijë punonjësve të policisë së Shtetit do t’u paguhet ushqimi që konsumojnë gjatë ushtrimit të detyrës dhe dietat për operacionet speciale. Sipas listës së detyrimeve për vitin 2023, vendimi parashikon pagesën e 118 mijë lekëve të reja për çdo punonjës të policisë.
Prononcim i Ministri të Brendshëm Taulant Balla pas mbledhjes së qeverisë:
Doja të ndaja me ju dhe publikun një sërë vendimesh të rëndësishme që kemi marrë sot në mbledhjen e këshillit të ministrave.
Së pari, dua të informoj të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit se qeveria shqiptare, sa ka miratuar vendimin për të shlyer një detyrim, prej shumë kohësh ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, i cili lidhet me pagesën e ushqimit për çdo punonjës të Policisë së Shtetit për gjatë gjithë kohës së ushtrimit të detyrës së tij, pra përgjatë orarit të punës. Dhe po ashtu, për gjatë gjithë kohës kur bëhet fjalë për angazhimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në misione, operacione apo edhe në përballimin e situatave të emergjencave civile. Këtu dua ta sqaroj që në rastin e 22 ditë pune në muaj ose 264 ditë në vit, çdo punonjës i Policisë së Shtetit do të marrë një pagesë për një vakt ushqimor, e cila, nëse do ta përllogarisnim afërsisht, në 22 ditë punë për 12 muaj, i bie rreth 264 pagesa, shumëzuar me 450 lekë, çdo punonjës i Policisë së Shtetit, për vitin 2023 do të marrë një pagesë prej gati 118 mijë lekësh, që është detyrimi për vitin 2023.
Eshtë shpërblimi më i madh që mund të ketë marrë ndonjëherë një punonjës i Policisë së Shtetit por besoj biem dakord të vlerësojmë punën e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe këtë revansh të forcës dhe sundimit të ligjit kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj forme kriminaliteti në vend.
Në rastet e angazhimit në operacione, pagesa është më e lartë se kjo.
Lajmi tjetër është mirënjohja që qeveria u jep punonjësve, të zjarrfikësve, shërbimit zjarrfikës në të gjithë territorin e vendit. Sapo kemi miratuar në qeveri një shpërblim për të gjithë punonjësit e shërbimit zjarrfikës të angazhuar në një situatë të vështirë që kemi kaluar gjatë kësaj vere me zjarret. Gjej rastin t’i falënderoj në emër të Kryeministrit dhe qeverisë, të gjithë punonjësit e shërbimit zjarrfikës të angazhuar në përballjen me situatën e vështirë të zjarreve. Qeveria do t’u transferojë menjëherë të gjitha bashkive të vendit, fondin, në mënyrë që para natës së vitit të ri, të gjithë këta punonjës zjarrfikës të marrin shpërblimin e një page mujore në vlerësim të punës së tyre.
Dua të nënvizoj këtu që të gjithë zjarrfikësit shqiptarë të angazhuar në misionin për t’u ardhur në ndihmë shtetit dhe popullit grek gjatë përballjes me situatën e vështirë të zjarreve gjatë kësaj vere, për ta, shpërblimi do të jetë dy paga mujore.
Kemi marrë edhe një sërë vendimesh të tjera që lidhen me implementimin e vendimit të marrë me aktin normativ ku një sërë kategorish sociale, pensionistët, invalidët dhe të gjithë të tjerët, përfitojnë ato shpërblime që kemi planifikuar në aktin normativ.
Pyetje: Sa është numri i punonjësve të policisë që do të përfitojnë nga trajtimi ushqimor?
Ministri Balla: Të gjithë punonjësit e policisë përfitojnë. Ne kemi në organikën tonë 9964 punonjës policie të cilët do të përfitojnë nga kjo politikë e re, dhe dua të sqaroj se përse po bëhet tani? Në kushtet e reja të përmirësimit të treguesve makroekonomikë dhe të rritjes së të ardhurave të qeverisë, ne kemi mundësinë që këtë shpërblim, këtë vit, për shkak të mungesës së pagesës përgjatë gjithë vitit 2023, në vitin 2024 kjo do të jetë një politikë. Pra në 2024 nuk do të presim fundin e vitit për të parë se si jemi me të ardhurat për ta zbatuar këtë politikë. Por ne do ta zbatojmë në mënyrë të vazhdueshme për të garantuar diçka që të gjithë e dimë, punonjësit e Policisë së Shtetit kryejnë një detyrë të vështirë, përballen çdo ditë me krimin në vendosjen e forcës së ligjit dhe për këtë arsye, kjo e drejtë e cila ishte e parashikuar në ligjin për Policinë e Shtetit, tashmë po zbatohet dhe ajo që dua të ndaj me ju, është që përveç kësaj pjesës së pagesës së ushqimit, i cili do të transferohet në llogarinë e tyre bankare për t’u tërhequr më një kartë banke, brenda kësaj jave ose fillimit të javës tjetër, ne po përmbyllim edhe një marrëveshje me rrjetet e supermarketeve, të dyqaneve që shesin mallrat bazë ushqimore, në mënyrë që punonjësit e Policisë së Shtetit dhe jo vetëm me mallrat ushqimore, por te ky fond të kenë përfitime edhe për një lloj lehtësimi të çmimeve ku ata do të blejnë më një kartë banke. Pra me një rrjet supermarketesh, dyqanesh, ne do të nënshkruajmë një marrëveshje ku çdo punonjës policie të ketë një ulje 10-20%, është negociatë kjo, për të arritur që punonjësit e Policisë së Shtetit të kenë një trajtim preferencial sa i përket kësaj pagese që po marrin sot nga qeveria.
Pyetje: BE miratoi paktin për emigrantët e në këtë kuadër çfarë kuptimi ka tashmë marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për emigrantët?
Ministri Balla: Shqipëria dha një shembull solidariteti në marrëveshjen që kemi nënshkruar me qeverinë italiane, dhe që ky model solidaritetit tashmë po merret si shembull për tu zbatuar nga të gjithë vendet e tjera anëtare, apo dhe ato që aspirojnë të bëhen anëtarë të BE. Shpesh e kam thënë dhe nuk bëj pjesë në ata që mendojnë që të jesh pjesë e BE apo të tentosh të hysh në BE, nuk duhet t’i gëzohesh vetëm përfitimeve që vijnë nga procesi, por duhet të marrësh angazhime dhe përgjegjësi. Dhe e vërteta është që besoj të gjithë e kemi ndjekur që ka një diskutim në Europë që jo të gjithë vendet anëtare të BE duan të marrin përgjegjësitë në përballje me një sfidë që mendoj që është sfida e shekullit.
Migracioni do të jetë sfida e shekullit që jetojmë jo vetëm për hapësirën e BE por më gjerë se sa kaq. Dhe Shqipëria ishte vendi i parë nga vendet që aspirojnë të hyjnë në BE. Sepse ne një ditë ne do jemi anëtarë të BE, nëse kjo do ndodhi brenda vitit 2030, kjo është diçka në përgjegjësinë e BE nuk është më në përgjegjësinë tonë, ne po bëjmë gjithçka për ta arritur atë. Kështu që në këndvështrim me strategjinë e re të BE morën përgjigje të gjithë ata skeptikë të cilët këtë marrëveshje dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë e panë si një marrëveshje ku Italia e trajtoi Shqipërinë si vend i dorës së dytë: jo. Shqipëria është një vend partner, është transformuar tashmë duke u kthyer në Europën e Ballkanit. Dhe mos harroni rolin shumë të rëndësishëm që Shqipëria ka, por dhe vlerësimin që Shqipëria ka marrë për gjithçka që kemi arritur në një kohë kaq të shkurtër. Dhe unë shpreh bindjen se Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë në një kohë të shkurtër sikurse e ka kompetencë dhe e vlerësoj gjithë vendimmarrjen e tyre, për të filluar zbatimin e kësaj marrëveshje, e cila duhet parë dhe në këtë kontekst që ju përmendët.
Pyetje: PD dhe PL publikojnë përditë fakte të reja që sipas tyre implikojnë kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj në çështjen e inceneratorit të Tiranës. A i druhet qeveria një hetimi të mundshëm ndaj kryenashkiakut apo arrestimit të tij?
Ministri: Balla: Secili prej nesh që jetojmë në Tiranë e dimë fare mirë që çdo ditë mbetjet pranë çdo pallati apo blloqe pallatesh tërhiqen çdo ditë nga kompanitë që kanë për detyrë pastrimin. Dhe besoj që të gjithë e kemi mësuar që mbetjet urbane duhen trajtuar domosdoshmërisht. Halli që i ka zënë ata që ju përmendët dhe përpjekja për të hequr vëmendjen nga halli i tyre dhe për t’u marrë me hallet e të tjerëve, unë nuk i jap dhe nuk i jap dot përgjigje sepse nuk më takon.
Por dua të sqaroj opinionin publik që besoj janë dy gjëra, të cilat besoj janë të qarta për të gjithë. Nevoja për të trajtuar mbetjet është një, dhe kush ka gabuar dhe kush ka bërë gabime me procedurat është një tjetër. Dhe për nevojën e trajtimit të mbetjeve në mënyrë të integruar, për incenerimin e tyre besoj që jemi sqaruar të gjithë. Dhe e vërteta është që qoftë impjanti i trajtimit të mbetjeve në Elbasan qoftë ai në Fier që funksionon deri më sot pjesa që ka të bëjë me landfillin, dhe shpresoj që shpresoj që investimi të përmbyllet gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit të ardhshëm në mënyrë që dhe procesi i incenerimit në Fier të vijojë, dhe pjesa tjetër e impjantit të trajtimit të mbetjeve të kryeqytetin, i cili nuk përfshin vetëm kryeqytetin. Dhe mos harroni që aty përfshihen dhe bashkitë e tjera që nga Durrësi te Vora, Kamza, Kavaja, dhe gjej rastin që ta falënderoj kryetarin e bashkisë së Kavajës që bashkëpunon në mënyrë të përditshme, sepse si kryebashkiak e di fare mirë që çdo ditë duhen tërhequr mbetjet.
Dhe nuk marr përsipër pastaj të bëj komente, dhe kurrë nuk do dëgjoni nga ana ime të bëj komente për sa i përket vendimmarrjes së SPAK-ut apo Gjykatës së Posaçme, sepse në këtë vend reforma në drejtësi i ka ndarë njëherë e për gjithmonë se kush bën drejtësinë, kush bën hetimin, dhe kush bën zbatimin e politikave.
Unë jam këtu një prej anëtarëve të këshillit të ministrave, dhe dua t’ju garantoj që asnjëri prej nesh nuk komenton asnjëherë këto vendimmarrje. Kush ka nevojë pastaj për t’u fshehur dhe për të hedhur vëmendjen diku tjetër, ju e dini fare mirë çfarë problematikash dhe çfarë hallesh kanë ata.