Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u paraqit në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dosjen e “Sterilizimit” ndërkohë që ndaj tij ishin duke u kryer edhe hetime paralele për korrupsion e shpërdorim detyre. Teksa automjeti që e priste para dyerve të SPAK, sipas vetë kësaj të fundit dyshohet se është e tij por e ka fshehur, duket që ka qenë gjithçka nën survejim. Mjeti në fjalë u gjobit nga policia bashkiake e Tiranës për parkim të parregullt, ndërsa SPAK iu fut kërkimeve për të zbuluar pronësinë e mjetit. Ai rezulton në emër të bashkëpunëtorit të ngushtë të ish-ministrit Ermal Kurtulaj që sipas organit të akuzës ka dyshime se është pasuri e fshehur e Beqajt.
Në kërkesën e prokurores Elida Kaçkini që kërkoi aprovim nga GJKKO për kontrolle ndaj Ilir Beqajt dhe bashkëpunëtorëve të tij lidhur me hetimin që po kryhet për veprat penale korrupsion dhe shpërdorim detyre, bie në sy se SPAK ka siguruar prova nga media. Në faqen 9 të vendimit, SPAK evidenton me detaje automjetin që përdorej nga Ilir Beqaj më 12 dhjetor 2023 kur u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ku teksa Arben Dani, shoferi i ish-ministrit u largua për disa çaste, dy punonjës të policisë bashkiake të Tiranës u afruan dhe e gjobitën mjetin për parkim kundravajtje. Teksa në dosje SPAK thotë se mjeti është blerë në shtator të 2019 kohë kur Ilir Beqaj ishte deputet i Partisë Socialiste, atij i është ndryshuar targa rreth 3 vite më vonë. Mjeti sipas SPAK rezulton të jetë në pronësi të Ermal Kurtulajt, por dyshohet se është pasuri e padeklaruar e ish-ministrit. “Nga këqyrja në sistemin E-Gjoba rezulton se ky mjet ka marrë 3 gjoba ku i pranishëm ka qenë Arben Dani, si dhe gjoba e fundit me datë 12.12.2023 rezulton e vënë në momentin kur mjetin e ka pasur në përdorim Ilir Beqaj, parkuar para SPAK *sipas këqyrjes në internet, mediat)”, thuhet në vendimin e SPAK që konfirmon se Ilir Beqaj paraqitej në prokurori si person nën hetim teksa jashtë e priste një automjet që gjithsesi ishte pjesë e skemave të fshehjes së pasurisë.