Në media është anatemuar si person që ka marrë të dhëna nga sistemi tims në mënyrë të paligjshme. Ngjarje për të cilën ambasada e SHBA në Tiranë kërkoi të kryhen hetime të plota.
Por duket se z.Florian Sulejmani kreu i ri i AMP-së i cili sot është takuar me zyrtarë të lartë të ambasadës amerikane, nuk bën pjesë tek personat e dyshuar apo një shkelës i ligjit. Nëse do të ishte i tillë sëpaku në zyrën e tij sdo të shkelte i ngarkuari me punë i SHBA-ve në Tiranë.
Njoftimi i AMP-s në faqen zyrtare
I Ngarkuari me Punë i SHBA-së, z. David Wisner, së bashku me Atasheun për Asistencë në Çështjet e Zbatimit të Ligjit, drejtues i ICITAP për Shqipërinë, z. Richard Deasy dhe Këshilltaren Ligjore Rezidente të OPDAT, znj. Mary Kate Butterfield, vizituan Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Ata u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm Z. Florian Sulejmani dhe drejtues të lartë të AMP.
Ambasadori në detyrë i SHBA, Z. Wisner uroi z. Sulejmani për marrjen e detyrës duke shprehur vlerësimet maksimale për procesin transparent dhe mjaft cilësor të përzgjedhjes së drejtuesit të Agjencisë. Ai garantoi mbështetjen e palëkundur që ofron ambasada e SHBA për të rritur kapacitetet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në funksion të zbatimit të ligjit. Z. Wisner theksoi përkushtimin për forcimin e partneritetit përmes programeve ICITAP dhe OPDAT, me qëllim parandalimin e korrupsionit apo paligjshmërive brenda rradhëve të Policisë së Shtetit. Ky bashkëpunim përfshin trajnime të vazhdueshme dhe cilësore të personelit të Agjencisë, të cilat synojnë të rrisin eficencën e hetimeve proaktive në funksion të goditjes së paligjshmërisë, duke përmbushur kështu edhe pritshmëritë e publikut për një shërbim policor në përputhje me standardet evropiane.
Z. Wisner përgëzoi përkushtimin dhe vendosmërinë e Drejtuesit të Agjencisë në përmbushjen e misionit për mbikëqyrje civile, transparente dhe të pavarur, trajtimin e shkeljeve të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Ai siguroi mbështetje të vazhdueshme përmes asistencës teknike dhe profesionale për sektorë të veçantë si hetimi, inspektimi dhe trajtimi i ankesave.
Drejtori i Përgjithshëm Florian Sulejmani shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe vizionin e përbashkët me ambasadën e SHBA në Tiranë, duke theksuar vendosmërinë e Agjencisë në luftën kundër korrupsionit dhe paligjshmërisë brenda Policisë së Shtetit. Ai tha se Agjencia po kontribuon fuqishëm në këtë drejtim, nëpërmjet hetimeve proaktive dhe bashkëpunimit me SPAK e Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm. Një kontribut tjetër mjaft i rëndësishëm është edhe zhvillimi i testeve të poligrafit, detyrim ky që i është ngarkuar Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në kuadër të reformës në drejtësi. Gjithashtu, ai nënvizoi rëndësinë e procesit të vlerësimit kalimtar e periodik dhe rolin kyç të Agjencisë, si një nga mekanizmat e vetëpastrimit, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek Policia e Shtetit dhe forcimin e integritetit brenda rradhëve të saj.
Në përfundim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm, Florian Sulejmani i dorëzoi të Ngarkuarit me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, z. Wisner dhe Këshilltares Ligjore Rezidente të OPDAT, znj. Mary Kate Butterfield nga një dhuratë simbolike me stemën e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.