Krimi Ekonomik në Policin e Tiranës ka finalizuar një operacion kundra piraterisë televizive. Të hetuar e të ndaluar janë pjestarë të kompanisë Tibo e cila disa kohë më parë u vu edhe në sekuestro.
Por çfarë zbuluan hetimet? Nga materiali i plotë që ka siguruar weblajm thuhet: nga informacionet e grumbulluara në rrugë operative ishim informuar se subjekte të ndryshme tregëtare në Tiranë në mënyrë jo të rregullt tregëtonin dekodera të ndryshme android të cilat ndihmonin në transmetimin e kanaleve televizivë vendas dhe të huaj ku për to kërkohet pagesë specifike nga platforma të licensuara zyrtare.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte u gjetën një sasi e konsiderueshme aparate dekoderash të modeleve të ndrsyhme tokësore dhe satelitore dhe transmodulari i cili bënte kontrollin e gjithë IP-ve të shpërndara pas shitjes së dekoderave me listën e kanaleve specifike dhe gjithashtu bënte gjurmimin në kohë reale të kanaleve nëpër subjektet e shpërndara.
Në kuadër të këtij procedimi u bë ndalimi me iniciativë i shtetasve:
- Fatjon Luniku banues Tiranë, (administrator i subjektit ArfaNet).
- Adnand Mahmuti (administrator i subjektit Tibo).
- Elona Bogdani, (menaxhere e dyqaneve Tibo).
U proceduan në gjëndje të lirë shtetasit:
- E. Pillati
- E.Gjonaj
- A. Gjoka
- D. Muslia
- G.Doci
- G. Palushi
- E. Tarja
- Gjithashtu u bë shpallja në kêrkim e shtetasit J.V (administrator i subjektit Tibo).
Njoftimi Policisë Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Transmodulari”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Sektorin per Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Tregtonin aparatura dekoder që transmetojnë kanaleve televizive vendase dhe të huaja, për të cilët kërkohet pagesë specifike nga platforma të licensuara zyrtare, vihen në pranga 3 shtetas.
Procedohen penalisht 7 të tjerë, dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 200 aparatura dekoder.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Sektorin per Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore finalizuan operacionin policor të koduar “Transmodulari”.
Si rezultat i tij u bë ndalimi i shtetasve:
– F. L., 55 vjeç, A. M., 50 vjeç, dhe E. B., 70 vjeçe, të tre banues në Tiranë.
Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit E. S., 21 vjeçe, E. Hj., 35 vjeç, A. Gj., 43 vjeçe, D. M., 23 vjeçe, G. D., 33 vjeç, G. P., 26 vjeçe, E. T., 21 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë, dhe u shpall në kërkim shtetasi J. V., 30 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, tregtonin në subjektet e tyre tregtare, aparatura dekoder që transmetojnë kanaleve televizive vendase dhe të huaja, dhe për të cilët kërkohet pagesë specifike nga platforma të licensuara zyrtare.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, u gjetën 200 aparate dekoderash, të modeleve të ndryshme tokësore dhe satelitore, dhe transmodulari që bënte kontrollin e të gjitha IP-ve të shpërndara pas shitjes së dekoderave, me listën e kanaleve specifike, si dhe gjithashtu bënte gjurmimin në kohë reale të kanaleve, nëpër subjektet e shpërndara.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Pas këtij aksioni ka reaguar edhe drejtuesja e autoritetit të mediave audio vizive znj.Armela Krasniqi. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Krasniqi thotë se “shkelës të ligjit, vjedhës të të drejtave të transmetimit, përfunduan para drejtësisë.AMA ka bashkëpunuar me forcat e rendit duke dhënë kontribut në gjurmimin e shkelësve të ndaluar në këtë operacion”