Veliaj në “Kosova Business Forum”: “Tirana dhe Prishtina, për t’u marrë shembull, po zhvillohen dhe po ecin pa u ndalur”
Këto ditë po mbahet në Prishtinë forumi më i madh i biznesit “Kosova Business Forum”, ku temë kryesore është “Prishtina 2030 – Udhëheqja e rrugës drejt një kryeqyteti të së ardhmes”. I pranishëm në ceremoninë e hapjes së këtij forumi ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai tha se Tirana dhe Prishtina janë dy qytete që duhen marrë shembull.
“Duhet ta pranojmë faktin se Tirana dhe Prishtina do të vazhdojnë të rriten, ndërsa komunat e tjera, edhe pse na vjen keq, do të vazhdojnë të tkurren. Është e pashmangshme. Kjo do të thotë se Prishtina është e destinuar të jetë motori i ekonomisë së Kosovës. Është gjëja më e thjeshtë të ulesh në shkallët e stadiumit e t’i tregosh tjetrit si bëhet goli; është gjëja më e thjeshtë të tregosh si ta shtrish tjetrin në tapet të xhudos; është gjeja më e thjeshtë të shash e të komentosh keq dikë; është më e vështirë të jesh pozitiv, më vështirë të jesh optimist, më e vështirë të jesh inkurajues; më e vështirë të jemi bashkë-aksionerë të këtij zhvillimi e këtij vizioni. Faleminderit që po e mbështesni vëllain tim, mikun tim, Përparimin, në këtë vizion të tij të 2030-ës. Unë besoj se ai vizion mund të jetë edhe vizioni juaj. Ku do jetë kompania juaj në 2030-ën? Ku do jetë investimi juaj në 2030-ën? Ku do jetë stafi juaj në 2030-ën? Jam i bindur se nëse secili prej jush e pyet veten ku do jetë në 2030-ën, përgjigja do jetë në një Prishtinë që zhvillohet, që ecën shpejt e vrapon pa u ndalur”, tha Veliaj.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për praninë e tij në këtë aktivitet të rëndësishëm për fushën e biznesit, ndërsa tha se Prishtina merr shembull nga Tirana në shumë fusha.
“Jam krenar që ofrojmë një platformë vendimtare për nxitjen e lidhjes dhe bashkëpunimit që tejkalon të tashmen dhe vendos gur themelin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm për dekadat e ardhshme. Në një epokë ndryshimesh dinamike globale është e domosdoshme që të bëhemi bashkë për të diskutuar dhe për të formësuar të ardhmen e kryeqytetit tonë. Prishtina ka një rini me një potencial të jashtëzakonshëm dhe i kemi të gjitha kushtet që të bëhemi lider në fushën e biznesit, në fushën e artit, në fushën e sportit, në fushën e kulturës dhe teknologjisë. Ne po mësojmë shumë nga Tirana. Në vitin 2023 Tirana ishte “Qytetit Europian i Sportit” dhe Prishtina sivjet mban me krenari Qyteti Europian i Sportit 2024; pra, po e ndjekim hapin e Tiranës. Përgëzoj përzemërsisht mikun tim, Erionin, që na ka nderuar me prezencën e tij sot dhe ju uroj për atë arritje madhështore që ka pasur Tirana si “Qyteti Europian i Sportit” gjatë vitit që lamë pas”, u shpreh kreu i Komunës së Prishtinës.
Përmes “Kosova Business Forum”, synohet forcimi i lidhjeve mes sektorit publik dhe atij privat, si dhe synohet inkurajimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimi i Prishtinës si një destinacion atraktiv për investime.