Hagë/ Ministri Balla takim me Drejtoreshën Ekzekutive të Europol, Catherine De Bolle: Do të bashkëpunojmë për të çuar përpara procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit
Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi sot një takim në Hagë me Drejtoreshën Ekzekutive të EUROPOL, Catherine De Bolle. Në qendër të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit me EUROPOL për të çuar përpara procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit.
Sipas Ballës, revanshi i sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë.
“Është një proces i rëndësishëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me rritjen e besueshmërisë së Policisë së Shtetit tek qytetarët, dhe për këtë qëllim do të vazhdojmë të shkëmbejmë informacion të vlefshëm që lidhet me këtë proces, për të ndarë një herë e përgjithmonë ata punonjës policie që punojnë me ndershmëri dhe devotshmëri në interes të objektivave dhe qëllimeve të Policisë së Shtetit, me ata punonjës të Policisë së Shtetit që gjatë aktivitetit apo ushtrimit të detyrës së tyre ndajnë informacion ose dëmtojnë punën e Policisë së Shtetit me grupet apo individë kriminal”, nënvizoi Balla, i cili e cilëson këtë angazhim si revansh të sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar dhe që po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë e drejtësinë.
Ai tha se në fokus gjithashtu do të jetë lufta kundër krimit të organizuar, si dhe ajo kundër krimit kibernetik. EUROPOL do të ofrojë në këtë aspekt, ekspertizën më të mirë për Policinë Shqiptare.
“Bashkëpunimi me EUROPOL gjatë vitit 2024 do të njohë një nivel tjetër, duke e shtrirë këtë në 120 aktivitete operacionale të përbashkëta ku Shqipëria do të jetë pjesë e rëndësishme të zbatimit të tyre në territorin europian, pra jo vetëm në Shqipëri por edhe në një pjesë të rëndësishme të vendeve anëtarë të BE”, theksoi ministri i Brendshëm, pas takimit të nivelit të lartë.
EUROPOL ka strukturë të shtrirë, jo vetëm në BE por edhe në vende të tjera, në luftën kundër aktiviteteve kriminale, përfshirë trafikimin e paligjshëm të qenieve njerëzore. E megjithë faktin se rajoni ynë është korridor i rëndësishëm, Shqipëria është vlerësuar maksimalisht nga vendet partnere për rezultatet e dukshme që ka arritur në këtë fushë.
Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, pas takimit me Drejtoreshën Ekzekutive të Europol, Catherine De Bolle:
Bashkëpunimi me Europol është shumë i rëndësishëm në një sërë detyrash që Policia e Shtetit ka në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, por edhe forma të tjera të kriminalitetit, sikurse është lufta kundër krimit kibernetik, lufta kundër krimeve ekonomike e financiare, trafikimi i paligjshëm i qenieve njerëzore dhe plot sfida që na duhet t’i përballim së bashku me ekspertizën më të mirë që mund të na ofrojë Europol.
Në fakt bashkëpunimi me Europol gjatë vitit 2024 do të njohë një nivel tjetër, duke e shtrirë këtë në 120 aktivitete operacionale të përbashkëta ku Shqipëria do të jetë pjesë e rëndësishme të zbatimit të tyre në territorin europian, pra jo vetëm në Shqipëri por edhe në një pjesë të rëndësishme të vendeve anëtarë të BE.
Kemi rënë dakord me Drejtoren Ekzekutive të Europol për të marrë ekspertizë kryesisht në fushën e krimit kibernetik, aty ku duket qartë që do të jetë dhe sfida e madhe jo vetëm e jona, por edhe vendeve të tjera përfshirë vendet e BE.
Kemi diskutuar me Drejtoreshën Ekzekutive të EUROPOL-it edhe sa i përket procesit të vetëpastrimit të policisë. Është një proces i rëndësishëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me rritjen e besueshmërisë së Policisë së Shtetit tek qytetarët, dhe për këtë qëllim do të vazhdojmë të shkëmbejmë informacion të vlefshëm që lidhet me këtë proces, për të ndarë një herë e përgjithmonë ata punonjës policie që punojnë me ndershmëri dhe devotshmëri në interes të objektivave dhe qëllimeve të Policisë së Shtetit, me ata punonjës të Policisë së Shtetit që gjatë aktivitetit apo ushtrimit të detyrës së tyre ndajnë informacion ose dëmtojnë punën e Policisë së Shtetit me grupet apo individë kriminal.
Falë shkëmbimit të informacionit me EUROPOL-in ne kemi arritur tashmë të identifikojmë punonjës policie, të cilët janë nën hetim sa i përket qasjes që kanë pasur në aplikacionet e koduara. Po ashtu do të vazhdojmë ta shkëmbejmë këtë informacion në mënyrë të përditshme dhe vijuese me qëllim që t’i shkojmë në fund këtij procesi vetëpastrimi të Policisë së Shtetit.
Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që EUROPOL ka një strukturë të shtrirë, jo vetëm në BE por edhe në vende të tjera, në luftën kundër aktiviteteve kriminale ku një pjesë të rëndësishme të diskutimit e ka marrë lufta kundër trafikimit të paligjshëm të qenieve njerëzore. Të mos harrojmë që Ballkani Perëndimor mbetet një korridor i rëndësishëm ku në fakt Shqipëria vlerësohet maksimalisht edhe nga Komisioni Europian, edhe nga partnerët e tjerë për rezultatet e dukshme që ka arritur në luftën kundër këtij fenomeni. Ndërkohë do të vazhdojmë të intensifikojmë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve edhe në fusha të tjera me interes në luftën kundër krimit financiar, krimit ekonomik dhe fusha të tjera me interes të dyfishtë.