Teksa shumë shoferë abuzivisht parkojnë mbi trotuare, vijat e bardha dhe tek pedanat e kalimit të karrocave dhe tetraplegjikëve, policia bashkiake tiranë ka nisur një aksion masiv në çdo lagje e rrugicë për të liruar hapsirat dhe ndëshkaur abuzuesit.
Pjesë e aksionit janë edhe automjetet e kompanive me qira të cilat zënë vëndet e rezidentëve në komunitetet e lagjeve nëpër tiranë. Ndërsa përtej masës ndëshkuese, policia po aplikon edhe bllokuesin e gomave duke i bërë apel shkelësve të respektojnë rregullat dhe të shlyejnë detyrimet.
Shërbimet e Policisë Bashkiake , kanë
intensifikuar punën jo vetëm në drejtim të marrjes së masave për të parandaluar dhe ndëshkuar parkimet abuzive të automjeteve në qytet, por edhe në drejtim të vjeljes së masave administrative të pashlyera nga kundravajtësit .
Përfitojmë nga rasti, për të kërkuar bashkëpunimin e drejtuesve të automjeteve , për të parkuar në vendet e përcaktuara për parkim, pa u berë pengesë për lëvizjen e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve, apo hapsirave dhe aktiviteteve të tjera, si dhe të paguajnë brenda afateve ligjore detyrimet për masat administrative, pasi në të kundërt shërbimet e Policisë Bashkiake , do të përdorin të gjitha mjetet shtrënguese që kanë në dispozicion, deri ne spostimin e automjeteve të kundravajtësve me mjet ngritës, për në pikat e bllokimit.