Nga Durrësi Ministri Balla ka folur për një sërë çështjesh, ndalur tek rritja e kriminalitetit tek moshat e reja, ai solli shembullin se si në Florida SHBA rrjetet sociale nën modhën 16 vjeç tashmë janë ndaluar të përdoren.
Reagimi i Plotë i Ballës nga Durrësi
Komunikimi me mediat i ministrit të Brendshëm Taulant Balla, pas analizës vjetore të Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit:
Ministri Balla: DVP Durrës dhe Drejtoria e Kufirit janë dy Drejtori tepër të rëndësishme. Gjatë vitit 2023 kemi pasur rezultate të mira kryesisht në parandalimin e ngjarjeve kriminale. Por mos harroni që kemi pasur edhe ngjarje kriminale, njëra prej të cilave ende është në punë e sipër duke u hetuar nga Policia dhe shpresoj të shkojmë drejt rezultateve për të vënë para drejtësisë personat përgjegjës.
Duhet të kuptojmë që Durrësi është kryeqendër, edhe e turizmit dhe vëmendja jonë është shumë e madhe.
Po planifikojmë që përgjatë sezonit të ri turistik të kemi edhe mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë për të garantuar një sezon turistik të suksesshëm.
Qarkullimi rrugor mbetet një prej sfidave tona. Unë e di fare mirë që banorët e Durrësit, dhe jo vetëm, gjithmonë ankohen për të garantuar më shumë lëvizshmëri. Por shqetësimi im mbetet gjithmonë adresimi i shkeljeve rrugore.
Thirrja ime, edhe këtu nga Durrësi, është ndaj përdoruesve të rrugës, qofshin drejtuesit e automjeteve, po ashtu edhe këmbësorët, duhet që të reflektojmë të gjithë për një respektim edhe më të madh të rregullave të qarkullimit rrugor.
Duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor mbron veten, por edhe të tjerët.
Procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit ka qenë pjesë e diskutimit tonë. Besoj kam qenë shumë i qartë me të gjithë që në punën e tyre duhet të orientohen vetëm nga ligji dhe urdhrat që vijnë nga eprorët, duke e bërë shumë të qartë që nuk tolerojmë asnjë lloj ndërhyrjeje nga askush.
Pyetje: A keni ndonjë koment për ngjarjen e ndodhur në Komisariatin e Durrësit, vetëvrasjen e një oficeri?
Ministri Balla: Jo vetëm që kam një koment, më shumë se kaq, kam një ngushëllim për familjen. Prej atij momenti të parë, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, kemi bërë të gjitha verifikimet tona, edhe si koleg, por edhe si qytetar, se kush janë shkaqet që e kanë çuar në atë vendim.
Të them të drejtën nuk na dha mundësinë që ta merrnim në konsideratë një ankesë prej tij, qoftë për faktin që Policia e Shtetit ka qenë e detyruar të zbatojë një vendim gjykate.
Por na duhet një përkujdesje më e madhe dhe një komunikim më i hapur dhe më miqësor me çdo punonjës Policie në të gjitha nivelet për të kuptuar në fakt edhe problematika të tjera, që ndoshta nuk lidhen me punën e policisë, edhe një qasje tjetër të shërbimit me psikolog.
Mos harroni asnjëherë, punonjësit e Policisë janë ata që nuk kanë asnjëherë as orar dhe më takon mua t’i jap një zgjidhje përfundimtare historisë së mospagesës së orëve jashtë orarit.
Kemi bërë një zgjidhje të parë për pagesën e ushqimit, më në fund, por duhet të japim zgjidhje të tjera. Mos harroni që punonjësit e Policisë janë të parët që thirren për çdo lloj problematike. Se bie zjarr, se bie shi, se përmbytet e problematika të tjera, Policia e Shtetit është e para që mbërrin. (Edhe gazetarët). As e vë në dyshim që edhe ju keni të njëjtat le të themi, por unë nuk jam Ministri i gazetarëve, jam ministri i Brendshëm. Ju e dini që e respektoj shumë punën tuaj.
Për ta përmbyllur pjesën që lidhet me pyetjen e koleges suaj, ju e dini që kjo është një çështje që brenda nesh ka disa verifikime. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë po bën verifikimet e veta, AMP po bën verifikimet e veta.
Pyetje: Z. Ministër, a ka një diskutim për rrjetet sociale, nisur nga ngjarja që ka pasur në Durrës ku një grua u gjend e vdekur?
Ministri Balla: Edhe kjo çështje dhe kjo ngjarje ka qenë pjesë e trajtimit të analizës sonë. Ju e dini që për rastin në fjalë, Policia e ka bërë detyrën e vetë, ka bërë referimin në prokurori. Ky është një diskutim që nuk do të kthehet më mbrapsht dhe nuk do të lihet më në sirtar. Bën pjesë në prioritetet e mia, sa i përket mbrojtjes së jetës private të qytetarëve. Sa i takon mbrojtjes kryesisht të fëmijëve dhe të rinjve nga fenomene si bullizmi, por bullizmi nuk po njeh moshë. Jam njohur sot me një iniciativë të ndërmarrë nga një prej shteteve të SHBA, në Florida, për të vënë kufizime në përdorimin e rrjeteve sociale, pra për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç. Mendoj që është një ide e mirë.
Mos harroni asnjëherë që Policia e Shtetit, po i forcon kapacitetet e veta në luftën kundër krimeve kibernetike.
Dua t’i nxis qytetarët që në rastet kur ata mendojnë që janë pjesë e një sulmi kibernetik, edhe e dhunës përmes rrjeteve online t’’i referojnë ato. Në DVP Durrës ne kemi një seksion të posaçëm, sikurse kemi një seksion të posaçëm në DPPSH dhe e vërteta është që ne i ndjekim dhe kemi pasur dhe kemi plotë raste të suksesshme të një hetimi të plotë, qoftë të bllokimit të asaj faqeje nga e cila vjen sulmi, por dhe shkojmë përtej, në bashkëpunim pastaj me Prokurorinë sepse në momentin që lidhen përdorimi i të dhënave personale dhe evidentimi ose identifikimi i përdoruesit, na duhet edhe urdhri i Prokurorit. Dhe këtu duhet të nxis në fakt prokurorët që të jenë më bashkëpunues.
Besoj jeni njohur me rastin e ndodhur, të referuar nga DVP Vlorë ku kemi pasur një rast të një forme dhune seksuale, dhe Prokuroria ka vendosur ndjekje në gjendje të lirë. Mendoj që rastet e dhunës me bazë gjinore duhen ndjekur edhe nga Prokuroria në të njëjtën ritëm dhe në të njëjtën formë siç bën PSH.
Pyetje: Z. Ministër kemi parë që jo vetëm në ngjarjet kriminale, por dhe në konfliktet e çastit ka persona të cilët mbajnë armë pa leje. Si po punohet në këtë drejtim?
Ministri Balla: Durrësi kishte një performancë më të mirë krahasuar me mesataren kombëtare, të rasteve të personave të arrestuar në flagrancë me armëmbajtje pa leje. Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them, armëmbajtja pa leje është shprehja më kuptimplotë e arrogancës ndaj ligjit dhe ndaj shtetit dhe ndaj qytetarit.
Prandaj na duhet të bëjmë gjithçka dhe këtu kërkoj edhe mirëkuptimin e qytetarëve, të cilët ankohen nga kontrollet e vazhdueshme të Policisë, se kjo bëhet për t’i dhënë fund një historie tashmë gati 30-vjeçare të kësaj shprehje të arrogancës dhe ne do të vazhdojmë të ushtrojmë kontrolle sa të kemi mundësi.
Dy operacionet kombëtare qoftë “Sundimi i Ligjit” qoftë “Tempulli” kanë dhënë rezultatet e tyre, por do të vazhdojmë të gjejmë edhe mënyra të tjera dhe ndërkohë që i nxis qytetarët që të bashkëpunojnë, që qytetarët vetë të dorëzojnë armë, të cilat kanë mbetur që nga viti i mbrapsht 1997 në mënyrë që t’i shkojmë deri në fund këtij shqetësimi që unë me të drejtë e ngrita.
Pyetje: Z. Ministër përgjatë viteve të fundit në qytetin e Durrësit, madje ka qënë një ndër qarqet më të vështirë për sa i përket ngjarjeve kriminale. Z. Rrumbullaku një ndër hetuesit më të mirë që ka Shqipëria por edhe Drejtori aktual i DVP Durrës ka bërë një performancë të mirë përgjatë kohës që ka qenë këtu. A është në vëmendje zbardhja e dosjeve të vjetra apo në vëmendjen e policisë edhe krahas detyrave të tjera….
Ministri Balla: Pjesë e analizës ishte edhe rikthimi i vëmendjes edhe rihapja e të gjitha ngjarjeve të rënda kriminale. Kemi 56 ngjarje kriminale të ndodhura në 30 vitet e fundit, për të cilat drejtësia nuk e ka thënë ende fjalën e vetë. Dhe kjo është një detyrë e rëndësishme sikurse kemi dhe një numër të konsiderueshëm mbi 550 persona në kërkim nga drejtësia, për të cilët Drejtori Hita ka një plan për t’i adresuar në vazhdim me mbështetjen e Drejtorit të Përgjithshëm. Faleminderit.