Drejtori i përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, foli në Mcn Live në lidhje me ndryshimet ligjore në ligjin për Lojërat e Fatit. Meksi vuri në dukje se ndryshimet në draft kanë ardhur pas shqetësimeve nga bota e basteve. Sipas tij dy kanë qenë shqetësimet e komisionit, gjurmimi i çdo transaksioni, dhe bllokimi i hapësirave për evazion fiskal, pastrim të parave dhe hileve ndaj konsumatorit.
Meksi tha se modeli ri i vlerës se licencës së basteve sportive është pozitiv në frymë. Meksi e konsideron pozitiv edhe modelin e ankandit, por shton se kompania që hedh më shumë do të duhet të merrte diçka mbrapsht.
I pyetur si pronar i shoqërisë Moligix sh.p.k, e njohur si operatori (SQMO ) Sistemi Qendror i Monitorimit Online, se si e gjykon propozimin e Komisionit mbi monitorimin e monitoruesit, Meksi tha:
Në pamje të parë duket si një farë absurditeti, duke qenë se monitorohet apo auditohet kompania që i është dhënë e drejta e monitorimit, por përket me disa shqetësime që vijnë kryesisht nga bota e basteve, konkretisht përpjekja e tyre për të gjurmuar çdo transaksion, me modelin e ri të Online-t, pa nipte sekondare dhe për të kaluar nga modeli i mëparshëm i taksimit që ishte aforfe, me vetdeklarim dhe me pagesë fikse mujore, përtej vëllimit financiar xhiro-të ardhura të secilës kompani, me këtë modelin e ri ku do të taksohen të ardhurat bruto nga loja, me një përqindje të caktuar mbi këtë vlerë të fitimit bruto mujor. Shqetësimi i komisionit me sa unë kam kuptuar ka qenë që duhet gjurmuar çdo gjë së pari dhe së dyti duhen bllokuar në çdo lloj mënyre hapësirat për evazion fiskal, larje parash, apo të tjera hile që mund t’i bëhen konsumatorit sa i përket koeficentit të basteve, dhe në momentin kur një biletë quhet fituese apo jo. Se padyshim është një nga bizneset më problematikë që ka rruzulli tokësor. Nismën e Komisionit të Ekonomisë unë e përgëzoj, s’kam asgjë kundra. Tregu ka nevojë që kjo histori e draftit të mbyllet dhe të vazhdohet punën përpara. Çdo lloj nismë që ata duan të bëjnë për ta kopsitur tregun, le ta bëjnë, i mirëpresim”.
Pyetjes se çfarë do të monitoroje konkretisht audituesi/monitoruesi i SQMO, dhe kush e ka nxitur propozimin në fjalë, ai shprehet:
Me aq sa thotë drafti është e paqartë. Ka pasur ankesa që prej një viti, që nga muaji prill nga shoqata e basteve, nga ata që janë përfaqësuesit e vjetër të tregut të basteve. Tri kompani kanë qenë me letra, 26 ka thënë Artan Shyti në një dalje publike kanë qenë pa letra. Për ta thënë pak me humor, Kuvendi ishte indiferent për të monitoruar këto të 23-ta, do sot të monitorojë ato që do vijnë në treg sepse do të nisë një epokë të re dhe shumë OK me këtë. Nga këta operatorët e vjetër, nga personat që kanë qenë të përfshirë në këtë histori, disa herë kanë shprehur ankesa mbi aspekte të monitorimit, si do funksionojë, si do bëhet, a është i saktë për ata, kanë tentuar të bëjnë pis me çdo mënyrë, mos harrojmë që është një shoqatë që e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe e ka humbur në 2017-ën. Dhe në këtë përpjekjen e tyre për të bërë pisllëk, për të hedhur zhurmë, ata duan të jenë edhe në të zezë, duan të jenë edhe në të bardhë me një këmbë, por ta mbajnë të bardhën si e zeza! Jo nuk ka për të funksionuar kjo gjë. E bardha do të jetë e bardhë, e saktë dhe çdo gjë e gjurmueshme. Le të themi kanë tentuar një farë presioni në ambiente të caktuara duke tentuar të bëjnë pis. Komisioni gjykoj unë ka gjetur këtë zgjidhje për t’u dhënë atyre garanci dhe qetësi në mbarëvajtjen e biznesit të secilit, shumë OK. Do t’i mbetet Ministrisë së Financave në vijim të shohë se çfarë do dojë të monitorojë. Ministria e Financave sot e ka atë tagër. Ka një kontratë mes palëve, që parashikon monitorimin dhe mbikëqyrjen, nuk është se ministria nuk bën asgjë. Por le të bëjë edhe ndonjë audit më shumë herë pas here kur ta gjykojë të nevojshme me ata që do jenë ekspertë. Komisioni i Ekonomisë është këshilluar nga disa ekspertë të huaj, bujrum le të marrë edhe ministria ekspertët e saj rrugës, për ta ndjekur procesin nga afër si do realizohet për t’u dhënë edhe garancitë edhe palëve private që janë të shqetësuara. Modelet teknologjikë janë marrë nga jashtë, s’i kemi shpikur ne shqiptarët, as ka për të ndodhur ndonjëherë”.
Kundrejt SQMO ka patur disa ankesa nga anëtarët e shoqatës se basteve, në veçanti mbi tarifën e SQMO-së. Duke folur mbi këtë çështje Meksi tha:
Te drafti i fundit i zbardhur nga Mcn Tv nuk është kjo kërkesë e tyre. Kërkesa nuk bënte sens sepse tarifa s’është asgjëkundi në ligj, ka dalë nga një procedurë gare e bërë në 2017-ën. Pra nuk ishte një opsion i ndryshueshëm me ligj. Ok mund të duan të ndryshojnë me ligj çdo gjë, çdo lloj kontrate, në dorë e kanë sepse vendimarrja e Kuvendit është e tyrja, por do krijonin ngërç sepse tarifa është pjesë e një kontratë ekzistuese. Ata thonë që s’duan të paguajnë 0,5 për qind të xhiros që vetë SQMO-ja do t’u monitorojë atyre, dhe këtu kanë stresin e parë te monitorimi, por duam ta paguajmë si 2 për qind mbi të ardhurat bruto nga loja, duke qenë, interpretimi i tyre, që çdo gjë te ligji po kalon mbi të ardhurat bruto nga loja, sepse ky është edhe thelbi i monitorimit. Në këtë pjesën e të kaluarit nga një model në tjetrin, unë s’kam asgjë kundër, është mëse OK. Fitimi është ai që duhet të taksohet mbi çdo lloj norme, por vlera e shprehur mbi xhiron jo si një tekë apo kënaqësi e Endri Meksit. Ishte e tillë ftesa e garës. Ftesa e garës është bërë mbi një model të studiuar nga PNUD-i dhe ku janë paguar jo pak lekë shumë vite më herët. Kështu kanë qenë rregullat e asaj kohe, nëse duan ta ndërrojnë e ndërron ministria dhe kompania kontratore bashkë në një negocim dypalësh, nuk është diçka që e imponon një palë e tretë sepse nuk i pëlqen. E dyta, aritmetika që ata kanë thënë, pra 0,5 për qind e xhiros të shprehet në 2 për qind të brutos nuk e di asnjeri nëse korrespondojnë mes tyre. Nuk e di asnjëri sot që flasim, duke qenë tregu i tëri në të zezë, sa është të ardhurat bruto mbi xhiron si raport, që të kuptojmë nëse ky 2 për qindëshi i të ardhurave bruto është më madh apo më i vogël se 0,5 për qindëshi i xhiros. Këtë s’e di as unë, as Ministria e Financave, askush s’është në gjendje të bëjë një vlerësim analitik për të kuptuar korrespondencën midis dy shifrave. Do të dalë si rezultat i një, dy, tre viteve të para të matjeve ndoshta, dhe nëse vullneti i palëve do jetë mund të negociohet, por nuk del dot sot që flasim nga të dhëna empirike, që nuk ekzistojnë. Këto persona mund të kishin ofruar të dhëna, pra kanë qenë në treg vite më parë. Përtej faktit që kanë pasur ekskluzivitetin e deklarimit aforfe në Republikën e Shqipërisë, s’e ka asnjë kategori tjetër në treg, vetëm kjo kategori e ka pasur këtë të drejtë, që s’i plaste të deklaronte një tek shifër financiare. I kanë librat e tyre kontabël për ibret, por këta s’kanë ofruar as në mënyrë informale shifra, ku e kanë bazuar këtë korrespondencë”.
Pyetjes, si ju duket propozimi i Komisionit për modelin e ri të vlerës se licencës se basteve sportive, Meksi i përgjigjet:
Modeli i ri është shumë pozitiv në frymë dhe e përgëzoj komisionin. Komisioni thotë që si ta organizojmë pikëzimin e aplikuesve. Duke qenë se aplikimi bëhet mbi letra, koha do ta tregojë sa të aftë për të qëndruar në treg, sa të aftë për të kaluar nga e zeza në të bardhë do të jenë këta operatorët e rinj të licensuar. Në momentin e parë Komisioni i Licencave, është i detyruar t’i reflektojë vlerësimet e tyre vetëm në letra, jo në provë reale. Nëse vijnë më shumë se sa 10 aplikues, me sa nuhas, si do t’i diferencojë mes tyre. Nuk ka asnjë metrikë, asnjë sistem numerik për të vënë një pikë, për të thënë njëri vlen 7, njëri vlen 6, dhe për të thënë ky i 7-ës e merr, ky i 6-ës jo. Pra kur të vijmë te i 10-ti, i 11-ti, si do ta lëmë këtë të 11-tin jashtë?! Për mua opsioni i parë do ishte lëri të gjithë të aplikojnë, shteti nuk humb asgjë, vlera e licencës është shumë e lartë, 4 miliardë lekë në 10 vite. Pse të mos i marrë shteti këto lekë nëse do vijnë 27 licenca, bujrum. Prapë shteti nuk ka hapësirë më shumë se 6-7 copë për të qenë efektive, për të pasur të ardhura. Por është e drejta e të gjithëve ta provojnë, risku është i tyre, do harxhojnë 4 miliardë dhe le të dalin nga tregu, nuk ka pikë rëndësie. Komisioni ka shpikur dhe shumë mirë ka bërë, një opsion, thotë unë të kërkoj minumumi 4 miliardë, pra një proces ankandi le të themi, ti ofro më shumë, dhe ju radhis edhe mbi këtë kriter. A do jetë i vetmi kriter në radhitje apo do ketë edhe të tjerë, si psh. përqindja e aksionerit të huaj ishte pa limit, ka patur një debat të zjarrtë në seancat e Komisionit të Ekonomisë, ku relatori z.Xhelili ka thënë disa herë që s’mund të jetë pa minimum. E kanë propozuar tashmë 30 për qind, këtë minimumin për aksionerin e huaj, dhe ndoshta mund të jetë edhe ky një kriter eventualisht, që te pikëzimi si do radhiten kompanitë, mund të hyjë edhe kjo. Është edhe vlera e investimit, por edhe ajo është deklarative, është si vlera e investimeve të investimeve strategjik, që nuk përkon e deklaruara mbi të cilën qeveria ka dhënë tagrin, me vlerën në terren. Pra edhe investimi s’është i qartë. Në këtë sens vlera e licencës është konkrete se do paguhet një e ardhur, që shteti merr, pra shumë mirë që ka një model ankandi. Ajo çka nuk kuptohet është çfarë merr kompania në korrenspodencë, në kthim, mbi këtë vlerë. Pra për të shmangur që të hyjnë 10 operatorë me 4 miliardë e 100 milionë, 4 miliardë e 90 milionë, apo 4 miliardë e 80 milionë, pra të bëhet në një marrëdhënie okulte mes palëve që të mos ta rrisim shumë, duhet të jepte diçka ndoshta komisioni në kthim për të thënë që kur hedh më shumë merr diçka. Të kthejë diçka mbrapsht për të nxitur ofertën tënde më të lartë. Por në frymë modeli është shumë pozitiv. 6-7 licenca është tregu”.
Meksi theksoi se do jetë i suksesshëm modeli “në të bardhë” duke shtuar gara e tregut do të shtyjë operatorët që veprojnë në “të zezë” që të formalizohen.