Letër e hapur për SPAK: A e dini veten mbi ligjin ju dhe urdhëruesit tuaj Rama & Balla?
Duke qenë se SPAK ka nisur hetim prej mbi 3 vitesh, se e kanë shumë seriozisht zbatimin e ligjit, se askush nuk mund të jetë mbi ligjin, etj. po shtroj disa pyetje publike nisur nga rasti im konkret.
A keni ngitur akuzë për kallzim të rremë për Taulant Ballën, ish kreu i Grupit Parlamentar të PS dhe aktualisht Ministër i Brendshëm?
Në kallzimin e tij Balla pretendonte se toka e 5 familjeve të vjetra të Tiranës ishin shpronësuar sipas tij nga “Shefqet Verlaci dhe Jake Mane”. SPAK ka harxhuar miliona euro rroga për prokurorët dhe hetuesit dhe i detyroi të punonin muaj me rradhë në Arkiv të Shtetit, ndonëse e kanë të botuar në Fletoren Zyrtare të shtetit që ishte rekuizim i përkohshëm e jo shpronësim.
Kanë kaluar mbi 3 vjet, është vërtetuar katërcipërisht që Taulant Balla ka kryer kallzim të rremë, por ende SPAK nuk shprehet.
Pyetje për prokuroren që brenda ditës pranoi kallzimin dhe firmosi nisjen e procedimit penal:
A mos është mbi ligjin Taulant Balla?
Para 4 muajsh, ndonëse kish firmën e Edi Ramës tek vendimi i KRRT Tiranë, SPAK shkruante se dyshonte Sali Berishën për ndryshimin e destinacionit të tokës tek ish Klubi Partizani. Sot prokurorët kanë vërtetuar se ndryshimin e destinacionit nga zonë sportive në zonë banimi e ka kryer Këshilli Teknik i KRRT së Bashkisë së Tiranës – 10 drejtorat e besuar të Edi Ramës:
(i) pa pasur kërkesë nga pronarët e tokës,
(ii) pa lidhur ende kontratë pronarët e tokës me firmen ndërtuese dhe
(iii) pa u kryer privatizimi.
Nëse SPAK – sic shkruan – mendon se ndryshimi i destinacionit është dyshim i bazuar për korrupsion, atëhere a ka nisur hetime ndaj Edi Ramës dhe drejtorëve të tij për këtë ndryshim?
A e keni burgosur gjë Edi Ramën gjatë kësaj kohe që duhej të kishit nisur hetimet?
Askush nuk është mbi ligjin. As prokurorët e SPAK. SPAK ka detyrimin të zbatojë ligjin njëlloj përndryshe kemi të bëjmë me standarte të dyfishta ose thënë më shkoqur dyfytyrësi!
Edi Rama ka ndryshuar destinacionin në dhjetëra zona të gjelbra dhe sportive të Tiranës si:
1. Ish Klubi Dinamo
2. Ish Klubi Partizani
3. Ish Klubi 17 Nëntori
4. Ish Klubi Dajti
5. Fushat sportive përtej spitalit Neurologjik,
6. Fushat e zeza përballë hotel Mondial,
7. Lulishtja e madhe tek partizani i panjohur që u bë zyra dhe hotel për Fidelin,
8. Lulishtja e madhe pas Pallatit të Kulturës që tani ka dhënë leje për gradaçelë,
9. Lulishtja e madhe tek ish Uzina Mekanike u kthye në pallate për miqtë e Ramës,
10. Zona e gjelbër që përfshinte ish-QRVA me firmë të Edi Ramës u kthye në 50 pallate,
11. Lulishtja tek Sheshi Italia (pranë Stadiumit) u bë lokal me firmë të Edi Ramës.
Edi Rama nuk u ndal me ndryshimet e destinacioneve në qytet, por kafshoi edhe zonën e mbrojtur të Parkut të Madh të Liqenit duke kthyer në zona banimi:
a. ish liqenin e thatë
b. kodra sipër liqenit
c. leje për gradaçela tek ish lokali Lion Park dhe
d. ish hotelin Sheraton e ktheu në xhungël gradaçelash.
A është arrestuar në vijim të hetimeve Edi Rama për të gjitha këto apo ai është mbi ligjin? Apo për të aplikohet thënia e Luigjit 15-të, “Ligji jam unë”?
Po për lejet e kundraligjshme të ndërtimit që ka lëshuar Edi Rama në zona sportive pa ndryshuar më parë destinacionin?
Edi Rama dha leje ndërtimi për (1) pallatin Ambasador 3 (ku banon ministri aktual i brendshëm, miku i trafikantëve të drogës dhe promovues i 5 prokurorëve të Elbasanit për në SPAK), dhe (2) pallatin përballë Stadiumit Selman Stërmasi ndërkohë që Plani Urban i kish caktuar zona sportive. Po leja për gradacelë 44 katëshe tek toka e ish Klubit Sportiv Dajti kur edhe Plani Urban që e miratoi vetë lejon ndërtime deri 9 katëshe?
A është Edi Rama mbi ligjin? Apo Rama është ligji që duhet ta zbatojnë prokurorët e SPAK-ut?
Dy vitet e fundit Edi Rama ka lëshuar leje ndërtimi edhe brenda zonës qendrore të Parkut Kombëtar të Butrintit si tek Gjiri i Manastirit edhe tek Kepi i Stillos. Kjo është vepër penale pasi është në shkelje të Ligjit të Zonave të Mbrojtura. Parku Kombëtar gëzon ndër nivelet më të larta të mbrojtjes por për Edi Ramën ligji duket teknikalitet bezdisës. UNESCO reagoi me indinjatë ndaj shkatërrimit të Parkut Kombëtar të Butrintit për interes të xhepit të Edi Ramës e miqve të tij, e kjo gjë shqetëson çdo Shqiptar, por mesa duket jo SPAK.
Dini gjë për këtë zotërinj prokurorë, apo keni hetuar dhe ju rezulton thashethem kafeneje apo akuzë politike?
Prokurorët e SPAK refuzuan të pranonin si prova deklaratat e Edi Ramës në Kongresin (9 Prill 2022) dhe Asamblenë e PS (7 Maj 2022) ku deklaroi: “SPAK-i në këtë rast ka një detyrim që e tejkalon shtetasin e ndaluar familjarisht të hyjë në Shtetet e Bashkuara… Jemi vetëpërmbajtur, deri ku tani nuk mban më, Përballë kësaj tallje të madhe, durimi ynë po soset. Zonja dhe Zotërinj të SPAK-ut zgjohuni! Po deligjitimohet SPAK-u dhe i gjithë sistemi i ri i drejtësisë”.
Vetëm pak ditë pas këtij urdhrit publik të Edi Ramës, prokurorja e SPAK ndonëse kinse kishte hetim pa emra, ka nisur 6 shkresa për hetim pasuror brenda një dite (29.04.2022 me numrat e protokollit nga 3607 deri 3612) duke hetuar deri tek mbesat e Sali Berishës dhe madje edhe për kohën kur ato ende nuk kishin lindur! Pra, jo hetim për ndonjë vepër konkrete penale, por hetim pasurie për 3 breza. Me 12.02.2024 Edi Rama na sqaroi kur deklaroi “duke qenë NE ata që e garantojmë drejtësinë që është e lirë të veprojë”, e ne sot jemi dëshmitarë se si veprohet.
A nuk dëshmohet presioni dhe nënshtrimi ndaj Edi Ramës?
Prokurorja (e sjellë në SPAK nga Elbasani) sekuestroi dosjen civile për shpifje që Prof. Malltezi kish paditur Taulant Ballën. Ky veprim ndërkohë që procesi gjyqsor vijonte në gjykatë ishte dhunim i të drejtave kushtetuese për një proces të rregullt.
A janë prokurorët e SPAK mbi ligjin dhe mund të shkelin të drejta kushtetuese të shtetasve nëse shohin se cënohen interesat e Taulant Ballës?
Duke ju rikthyer çështjes së stisur politike gjatë hetimeve mbi 3 vjecare ka rezultuar se:
1. Toka ku komunistët vendosen ish Klubin ishte private e jo publike. Toka ju përkiste 5 familjeve themeluese të Tiranës dhe nuk ishte shpronësuar nga Italia por rekuizuar përkohësisht dhe vijoi të ishte private edhe në 1945 para se të grabitej nga komunistët;
2. Procesi i kthimit të pronës tek pronarët legjitime nisi qysh në 1995. Në 1996 pronarët e tokës morën vendime të (i) njohjes së pronës, (ii) kthimit të pjesshëm të saj dhe (iii) të drejtën e parablerjes.
3. Kthimi i tokës tek pronarët zgjati nga 1996-2007 dhe u vërtetua nga gjithë Komisionet e Kthimit të Pronave, Agjensia e Kthimit të Pronave dhe GIS Kadastra e Bashkisë.
4. Prof. Malltezi u bë pronar i 410 m2 tokë nga kthimi i pronës private që ishte grabitur nga regjimi komunist tek 5 familjet pronare. Ai bleu edhe 2200 m2 tokë nga bashkëpronarët dhe më pas tre nga bashkëpronarët u bënë bashkë që e zhvilluan pronën e tyre private;
5. Nga proceset e kthimit te pronës tek qindra pronarët e ligjshëm dhe më pas privatizimi i objekteve të ndërtuara në tokë pronari nuk ka asnjë zyrtar të dyshuar për asgjë;
6. Nuk ka asnjë dëm në financat publike, përkundrazi shteti përfitoi rreth 800,000 $ nga detyrimi i pronarëve të tokës që të blinin objektet e vjetra e të uzurpuara;
7. SPAK tentoi të gënjente sikur u morën me letra me vlerë por doli se 90% e pagesës – pra 720,000 $ – ishin paguar me para në bankë dhe vec 10% e vlerës u krye me letra me vlerë;
8. Nuk ka asnjë vepër penale pasi kthimi i pronës tek pronarët e shpronësuar padrejtësisht, nga rregjimi komunist, apo privatizimi i objekteve të ndërtuara mbi këto prona, sipas ligjeve të miratuara dhe në fuqi, nuk është as përfitim i parregullt, as korrupsion;
9. Ndonëse nuk ka dëm financiar për financat publike, SPAK sekuestroi qysh ditën e parë të gjitha pronat, kompanitë private dhe llogaritë bankare personale të Prof. Malltezit;
10. Edi Rama si ish kryetar Bashkisë së Tiranës ka refuzuar të zbatojë dhe ka kryer veprime në kundërshtim me vendim gjykate të formës së prerë (vepër penale) dhe ka shkaktuar dëm financiar rreth 320,000 euro nga shpërfillja e vendimit të gjykatës.
11. SPAK ka detyrën ligjore për të mbrojtur interesin publik, financat publike, por në këtë rast SPAK nuk ka asnjë reagim për 320,000 euro dëm nga Edi Rama!
A është Edi Rama mbi ligjin? Apo Edi Rama është ligji për Prokurorët e SPAK?
Sali Berisha nuk ka asnjë dokument dhe asnjë VKM me emër të përveçëm por është në arrest shtëpie pasi SPAK “dyshon” se ka ndihmuar Malltezin ndonëse nuk paraqet asnjë provë!
Nga ana tjetër është fakt i vërtetuar botërisht se Edi Rama ka nxjerrë 4 VKM të personalizuara në mënyrë korruptive në këmbim të favoreve mediatike për Bolinon, biles edhe leje ndërtimi speciale në KKT për ndërtesën por SPAK që nuk guxon ti përmendë as emrin Kryeministrit.
Prof. Malltezit iu kthye 410 m2 tokë private e trashëguar dhe sot mbahet në arrest, Berisha nuk ka asnjë firmë për asnjë m2 tokë publike për asnjë nga miqtë e tij dhe mbahet në arrest shtëpie, ndërsa Edi Rama deri tani ka përvetësuar dhe dhuruar miqve të tij rreth 6 milion m2 troje publike në bregdet, por nuk ka as hetim!
Në muajt e fundit Edi Rama ka marrë të ndajë me miqtë e tij edhe 600 ha (6 miljon m2) të tjera të grabitura nga zona qëndrore e Parkut Kombëtar të Butrintit, por SPAK po lodhet shumë të mbyllë sytë, veshët dhe arsyen duke bërë sikur nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk kupton.
A është Edi Rama mbi ligjin, apo për prokurorët e SPAK, ai është vetë ligji?
Me shpresë se do të respektoni institucionin tuaj me ndonjë përgjigje ndaj pyetjeve të mësiperme.
Prof. Dr. Jamarber Malltezi