WebLajm zbardh ekskluzivisht shkakun e rënies së zjarrit në pavionin e urgjencës së re tek kopruosi spitalor “Nënë Tereza”. Sipas aktekspertimit të siguruar nga weblajm zjarri ka ardhur nga një anomali në UPS (bateritë e emergjencës).
Ky akt është administruar si ekspertizë nga shërbimi zjarrfikës dhe është bërë pjesë e dosjes, ndërsa policia dhe prokuroria vazhdojnë të kryejnë hetime intensive.
Zjarri është konstatuar mëngjezin e 11 shkurtit rreth orës 05:25 të mëngjezit duke nisur nga kati i dytë në dhomën teknike të godinës “Urgjenca e Re”.
Shkaku i zjarrit deri në këtë fazë të hetimit konsiderohet aksidental ndërsa pjesë e dokumentacioneve që po verifikohen janë edhe projektet e zbatuara nga kompania e kontraktuar për ndërtimin e godinës e cila është një investim publik.
Pjesë nga Aktespertiza teknike për shkaqet e zjarrit
AKTEKSPERTIZA
“ngjarja në fjalë është aksidentale, dhe zjarri në katin e dytë në dhomën teknike të godinës ka rënë si pasojë e një keq funksionimi të pajisjeve bateri (U.P.S-ve) nga ku rezulton se është edhe vatra e zjarrit”
QSUT më 17 shkurt sqaroi edhe përballimin e fluksit të pacientëve
Njoftim i rëndësishëm
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bën me dije se si pasojë e një defekti teknik në një nga dhomat e sherbimeve teknike 6 ditë më parë, në katin -1 të godinës së Spitalit Qendror në QSUT u konstatua tym dhe menjëherë u morën masat për mos përhapjen e tij në ambientet e shërbimit të urgjencës si dhe është bërë sigurimi i pacientëve të shtruar duke e vijuar shërbimin ndaj qytetarëve.
Për të mos cënuar shërbimin e urgjencës për qytetarët për shkak të këtij defekti teknik të ndodhur, bazuar në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shërbimi i urgjencës polivalente pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vazhdon të ofrohet sipas një grafiku të mirëpërcaktuar në Spitalin Universitar të Traumës si dhe në Qendrën Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”.
Ndërsa qytetarët e Gjirokastrës, Vlorës , Fierit e Beratit do marrin urgjencën kardiologjike, atë të sëmundjeve të brëndshme e atë ortopedike në Spitalin Memorial, ndërsa urgjencat kardiologjike për qarkun Shkodër dhe Lezhë trajtohen në Spitalin Rajonal Shkodër.
Aksidentet vaskulare cerebrale trajtohen në Sherbimin Neurovaskular në QSUT ndërsa urgjencat e tjera neurologjike në QSR Shefqet Ndroqi.
Fale investimeve të bëra në të gjithe sistemin këtë dekadë dhe angazhimit të personelit shëndetësor, janë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ofruar përkohësisht shërbimin e urgjencës së spitalit qendror në këto struktura shëndetësore bazuar në planet e emergjencës.
Ndërkohë aktualisht strukturat përgjegjëse po vijojnë punën intensivisht për rikthimin sa më parë në punë të shërbimit të urgjencës në spitalin qëndror në QSUT duke garantuar dhe sigurinë e të gjithë elementëve teknik për të vijuar shërbimin ndaj qytetarëve me standartet e duhura.
Sistemi shëndetësor spitalor është i mobilizuar, për t’i shërbyer qytetarëve në çdo skaj te vendit për nevojat e tij shëndetësore.
Spitalet punojnë me staf të plotë për të pritur urgjencën e sëmundjeve kardiake, semundjeve të specialiteteve të ndryshme duke qenë në gadishmeri 24/7 koronarografi.