Banka e Shqipërisë është bërë anëtari më i ri i Rrjetit për Qëndrueshmërinë e Bankave dhe Financave (SBFN).
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh entuziast rreth anëtarësimit në SBFN.
“Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, ndjehem krenar të njoftoj anëtarësimin tonë në Rrjetin për Qëndrueshmërinë e Bankave dhe Financave, SBFN. Ne jemi të përkushtuar ndaj financave të qëndrueshme dhe kjo reflektohet në Strategjinë tonë të miratuar së fundmi për “Administrimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve Financiare të lidhura me Klimën në Sektorin Financiar 2023-2025”. Ky partneritet me SBFN-në e përforcon edhe njëherë përkushtimin tonë për bashkëpunim, shkëmbim njohurish dhe avancim drejt një sistemi financiar më të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj sfidave që sjellin ndryshimet klimatike”, tha Sejko.
Rong Zhang, koordinatori global i SBFN-së, mirëpriti anëtarësimin e Bankës së Shqipërisë.
“Ne jemi gati të punojmë së bashku me Bankën e Shqipërisë për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për të administruar rreziqet dhe performancen e ESG (faktorë të lidhur me mjedisin, aspektet sociale dhe qeverisjen) në sektorin financiar, si dhe për të zhvilluar produkte novatore, të cilat inkurajojnë kanalizimin e kapitalit drejt atyre sektorëve dhe aktiviteteve që kanë objektiva të lidhura me prosperitetin financiar, mbrojtjen e mjedisit dhe mirëqenien sociale. Së bashku, synojmë të adresojmë në mënyrë efektive sfidat e financave të qëndrueshme dhe të mbështesim periudhën tranzitore drejt një ekonomie të qëndrueshme”, u shpreh ai.
Anëtarësimi i Bankës së Shqipërisë në SBFN rrit numrin e anëtarësimit në këtë rrjet në 89 anëtarë dhe shtrirjen e tij në 68 shtete.