Një ditë pasi Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg Fredi Belerin, Greqia zotohet se do të bllokojë Shqipërinë për procesin e anëtarësimit në BE.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shtetit në Greqi, Makis Voridis, i cili në një intervistë për një televizion grek, deklaroi se Greqia do të vendosë veton ndaj Shqipërisë.
“Për shkak të dënimit të Belerit, ne do të vendosim veton ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Qeveria e ka ngritur çështjen në nivel europian”, u shpreh ministri grek.
Ai vlerësoi se nuk bëhet fjalë për një problem në raportet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë, por sipas tij, në vendin tonë ka probleme që kanë të bëjnë me çështje të shtetit ligjor.
Ditën e djeshme, edhe Ministria e Jashtme greke tha pas dënimit të Belerit se këtë çështje do ta ndjekë nga afër dhe se vendimi nxorri në pah probleme të shtetit të së drejtës.
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri u dënua me 2 vite burg për blerje votash, duke shtuar akoma më shumë ngërçin në Bashkinë e Himarës që është pa kryetar, detyrë kjo që vijon të mbahet ende nga ish-kryetari Jorgo Goro.